Botohet libri me poezi i Etleva Durmishit

03 prill 2024 | 09:08

Ka dalë nga shtypi libri me poezi i autores Etleva Durmishi, me titull “Kujtesa e përvëluar e diellit”, botuar nga N. Sh. “Armagedoni”.

Në parathënien e librit, autorja ka shkruar: “Kjo përmbledhje poezish është një kombinim i një tërësie motivesh që u kanë dhënë emra periudhave të ndryshme të jetës sime, duke shërbyer gjithmonë si zgjatim i njëra-tjetrës, për të kulmuar në vargje vetë­përmbushëse që dëshmojnë në vazhdimësi se poezia mbetet bashkëshoqëruese e përhershme e zhvillimit individual në jetë.

Poezia është njohja më e lartë e esencës dhe vërte­tësisë njerëzore. Ajo është provë në vetvete dhe dësh­mia e saj është e vetëmjaftueshme dhe mjaft e zëshme sa t’i flasë kohës, por edhe koha t’i përgjigjet. Poezia është pasqyrim i një realiteti, njëkohësisht është edhe bashkëkrijim me natyrën; është një ndjesi e re dhe një dimension i ri që i shërben zhvillimit njerëzor.

Poezia, më tepër se çdo gjë tjetër, ia rikujton njeriut rolin madhor që ka në jetë: t’i kushtojë vëmendje thel­bit, ndjesisë së çmuar që ka funksion më të lartë nga sa e ka thjeshtësuar shoqëria në shërbim të masave, të eksplorojë të pathënën që pret vetëm momentin të shumëfishohet dhe të jetë pjesë e dukshme e realitetit njerëzor, të ushqehet në brishtësinë e saj më të pakup­tueshme që të rritet në një parim sublim njerëzor që do na të riorientojë në një rrjedhë të re kuptueshmërie.

Poezia, pra, është gjithmonë një hap para, është e njohura, e panjohura, në veçanti ajo e panjohura mes dy të njohurave. Një krijim letrar është një pyetje, së cilës autori nuk do t’i japë një përgjigje të shpejtë e, madje, edhe po ta ketë atë, ai do t’i shmanget me ven­dosmëri sepse e di mirë që procesi është tërësia që të jep shumë më tepër se përgjigja. Çdo përgjigje është afatshkurtër, kurse procesi është një ligj jete që të sigu­ron qëndrueshmërinë dhe shkathtësinë për të lundruar në dallgë dhe për të marrë më të mirën e esencës njerë­zore. Psikologjia e vërtetë njerëzore fillon nga letërsia, ndonëse aty gjendet dhe mbetet gjithmonë në formë të papërpunuar e të pakontrolluar, por që përbën tabanin e qenësisë sonë. Aty njeriu vërteton tërësinë e tij më mirë se çdo metodë shkencore.

Letërsia, poezia në veçanti, ndihmon në rikoncep­timin e psikologjisë njerëzore, duke mos u kufizuar vetëm në racionalen e provuar me metoda të njohura përmes kontureve të qarta shkencore, por është e ven­dosur ta ruajë shumëdimensionalitetin e individit e të jetësojë në varg të gjitha aspektet e qenies njerëzore, përfshirë edhe të pavetëdijshmen që është kaq e shpre­hur në sferën e surrealizmit – një element ky i shprehur në shumicën e poezive të kësaj përmbledhjeje.

Poezia është kufiri më delikat në mes të reales dhe areales, të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes, vetes dhe tjetrit, duke shprehur identitetin psikologjik në pikat më kulmore të çdo vargu.

Poezia krijohet dhe rrjedh lehtë vetëm mbi rrënjët e autentikes. Vërtetësia njerëzore është formulë kyçe për psikologjinë dhe poezinë sepse ky është edhe misioni madhor i krijimit të njeriut: ta realizojë vetveten. Por ajo nuk vjen asnjëherë e plotë, në formë finale, apo e përcaktuar qartë. Njeriu duhet ta pranojë vazhdimë­sinë më tepër sesa interpretimin absolut që nuk përpu­thet me lirshmërinë e natyrës dhe mënyrën se si shpa­loset ajo. Poezia mund ta mbështesë vetëm autenti­citetin sepse njerëzit, qoftë edhe në kohë të ndryshme, bashkohen vetëm në autenticitet. Shoqëria nuk është e udhëzuar dhe nuk e ka durimin e mjaftueshëm që të ligjërojë mbi autenticitetin, prandaj është gjithmonë aty poezia që, në tejkohësinë e vet, pret momentin e nevojshmërisë së individit që t’i kthehet asaj.

Të gjitha këto poezi janë përsiatje rreth tematikave që, me lente psikologeje, vlerësoj se përbëjnë thelbin e qenësisë njerëzore, psikologjisë dhe mënyrës se si ajo dirigjon proceset evolutive, ndikimit të kohës, funksio­nit të gjuhës, artit dhe së bukurës, proceseve shqisore, surrealizmit, dualitetit dhe vagullësisë së fillimeve dhe mbarimeve.

Kjo përmbledhje me poezi ka kaluar nëpër vështri­min dhe kritikën e studiuesit të mirënjohur dhe shumë të vlerësuar Ramadan Musliu (1954-2020), i cili, përveç që ishte studiues, kritik letrar dhe intelektual i shquar dhe me ndikim në këtë fushë, ishte mik i çmuar që nuk e kurseu kurrë përkrahjen ndaj punës sime që në moshë të hershme. Prandaj kjo përmbledhje le të shër­bejë si një mirënjohje për kritikën e tij ndaj punës sime, por edhe ndaj gjithë krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij në shoqërinë tonë”.

Shënime për autoren:

Etleva Durmishi (1989), poete dhe psikologe, e përqëndruar në fushën e psikologjisë politike, ka studiuar për psikologji dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Suedi. Botimet e saj saj të para janë dy përmbledhje me fabula (2003-2004), ndërsa së fundmi ka botuar edhe librin studimor mbi rëndësinë dhe aplikimin e psikologjisë politike në Kosovë, me titull “Psikologjia politike si strategji për emancipim politik: Rasti i Kosovës” (2022). Duke e parë letërsinë, konkretisht poezinë, si pararendëse dhe plotësim i domosdoshëm i psikologjisë, si një fushë me konture të qarta shkencore, Etleva e ka përqëndruar aktivitetin mes këtyre dy fushave. Librat e saj të parë nuk kanë kaluar pa u vlerësuar edhe nga studiues të ndryshëm, një prej të cilëve ishte edhe albanologu hungarez Istvan Shutz (1923-2010). Shumë prej poezive të saj të hershme, gjithashtu, janë bërë tekste këngësh si dhe janë shpërblyer me çmime. Ky është libri i saj i katërt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka dalë nga shtypi libri i parë me poezi i…