
Botohet “Manaxhimi dhe marketingu bankar (rasti i Kosovës)” i autorit dr. Bajram Hasani
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, afaristi Bajram Hasani, ka nxjerr në botim librin më të ri “Manaxhimi dhe marketingu bankar (Rasti i Kosovës)”.
“Një tjetër gur themeli në karrierën time akademike, profesionale dhe institucionale! Me kënaqësi ju prezantoj librin tim më të ri: ‘Manaxhimi dhe Marketingu Bankar (Rasti i Kosovës)’”, ka shkruar Hasani në “Facebook”.
Ai ka thënë se ky libër është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe përmbledh përvojën e tij të thelluar si: Me përvojë të madhe në sektorin bankar; Sipërmarrës dhe menaxhues biznesi privat; Mësimdhënës në arsimin e lartë; Studiues dhe autor i literaturës universitare; Si dhe drejtues institucional, në kohën kur ka udhëhequr Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës.
“Ky botim synon të japë një kontribut konkret dhe të qëndrueshëm në literaturën shqipe në fushën e menaxhimit dhe marketingut bankar, duke shërbyer si udhëzues teorik dhe praktik për studentë, studiues, profesionistë të sektorit bankar dhe vendimmarrës institucionalë. Një falënderim i veçantë shkon për recensentët e librit, figura të njohura të akademisë shqiptare: • Prof. Dr. Liljana Elmazi, Universiteti i Tiranës • Prof. Dr. Elvina Bazini, Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” • Prof. as. Dr. Ledina Aljolli, Dekane në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”. Mbështetja dhe vlerësimi i tyre profesional kanë qenë thelbësor për cilësinë shkencore dhe akademike të këtij botimi. Libri është botuar në Tiranë nga shtëpia botuese “Shpresa Print”, me ISBN 978-9928-810-70-0, dhe tashmë është i qasshëm për të gjithë të interesuarit. Ai është i hapur për lexues që dëshirojnë të thellohen në sfidat dhe mundësitë e menaxhimit dhe marketingut bankar. Faleminderit për përkrahjen dhe besimin në çdo hap të rrugëtimit tim”, ka njoftuar autori i librit, Bajram Hasani.