
BQK-ja: Ekonomia e Kosovës ndien krizën me rritjen e çmimeve
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës pritet të ndien krizën përmes kanalit të rritjes së çmimeve si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.
Ditë më parë zyrtarë të Trust-it kanë konfirmuar se kriza në tregjet e ndërkombëtare ka bërë që të bie vlera e investimit në kthim rreth 90 milionë euro. Ndërsa tash përveç rritjes së inflacionit, BQK-ja, si të rrezikuar është duke e parë edhe Trust-in, i cili është i investuar rreth 80 për qind në tregjet ndërkombëtare.
“Duke pasur parasysh faktin se ekonomia e Kosovës ka volum të lartë të importeve nga vendet e BE-së dhe se lufta ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse do të ndikojë, sidomos në sektorin e energjisë, presim që edhe ekonomia e Kosovës të ndikohet përmes kanalit të çmimeve. Gjithashtu, zhvillimet e tilla ndikojnë edhe në tregjet e kapitalit, rrjedhimisht, në performancën e aseteve të Trustit, por këto janë efekte të natyrës më afatshkurtër si rezultat i luhatjeve të tregjeve dhe në periudha afatmesme pritet të rikuperohen”, ka thënë për “Kosovapress” zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.
Pavarësisht kësaj, Ahmeti ka thënë se qytetarët nuk kanë pse të ndihen të brengosur për depozitat e tyre në bankat komerciale në Kosovë për shkak të luftës në Ukrainë, pasi sipas tij bankat nuk kanë ekspozim ndaj tregjeve të Evropës Lindore dhe niveli i transaksioneve është i ulët.
“Segmentet tjera të ekonomisë së vendit nuk kanë ekspozim ndaj tregjeve të Evropës Lindore dhe niveli i transaksioneve është relativisht i ulët. Rrjedhimisht, për vitin 2022 presim kontribut të lartë të sistemit bankar vendor në zhvillim të mëtejmë të ekonomisë vendore dhe financim të aktivitetit ekonomik në përgjithësi”, ka thënë ai.
Për shkak të luftës në Ukrainë, ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se përveç rritjes së çmimeve, ka mungesë të mallrave esenciale siç është gruri, mielli, vaji dhe sheqeri.
“Po përballemi me një valë të re të inflacionit, e cila ka shumë gjasa që të mos jetë vetëm inflacion, por në ditët e ardhshme të përballemi edhe me mungesë të produkteve, kjo besoj që do të jetë më problematike dhe do të jetë shqetësim tejet i madh për mirëfunksionimin komplet të industrisë, por edhe të institucioneve shtetërore…Janë dy rrafshe në të cilat duhet të veprojë qeveria, e cila fatkeqësisht është duke qëndruar si spektatore, nuk e kemi parë veprime konkrete”, ka thënë Bajrami, duke kërkuar nga qeveria furnizim me artikuj kryesor nga vendet mike të Kosovës.
Ndërsa profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi, ka thënë se në këtë kohë krize, qeveria duhet urgjent ta bëjë rishikimin e buxhetit 2022, në mënyrë që të miratohet një pakoje ekonomike për mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë në vend.