BQK-ja shpall konkursin për çmimin ‘Ekonomistët e rinj’ – tema e sivjetme është ‘Ekonomia e Kosovës në kohë të pandemisë Covid-19’

16 korrik 2020 | 11:16

Në funksion të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj të Kosovës, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka krijuar mundësinë e dhënies së një çmimi për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj.

Punimet për këtë çmim duhet të jenë në fushën e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, me theks të veçantë, duke iu përshtatur rrethanave të reja të krijuara gjatë vitit 2020-të në vend dhe ekonominë botërore.

“Duke vlerësuar relevancën e rrethanave të krijuara nga Covid-19, kësaj radhe tema që duhet të shtjellohet është “Ekonomia e Kosovës në kohë pandemie, ndikimet e Covid-19 në ekonominë vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Lidhur me këtë, BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara.

Rregullat e pranimit

Tema e dorëzuar duhet të plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).

Autorët për këtë aplikim të përgatitin temën ekskluzive, punimin që mund ta përfundojnë gjatë fazës së konkursit të hapur të aplikimit . Në konkurrim me punimin e dorëzuar kandidati duhet të jetë autori kryesor.

Tema duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe ose gjuhën angleze.

Formati: punimi i dorëzuar nuk duhet të ketë më shumë se 25 faqe, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë dyfishe. Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.

Komisioni përzgjedhës i përbërë nga stafi i BQK-së dhe një përfaqësues nga fusha akademike, jo vetëm që përzgjedh punimet që do të publikohen nga BQK-ja, por mund edhe të sugjerojë një ose më shumë nga ekonomistë e rinj konkurrues për t’u shpërblyer me çmim.

Komiteti përzgjedhës do të gjykojë punimet duke përdorur kriteret e përgjithshme të miratuara nga drejtuesit e BQK-së: (a) interesi i subjektit në ekonominë kosovare, ndërkombëtare (b) cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza, dhe (c) cilësia e të shkruarit. Përveç kësaj, hulumtimet dhe shkrimet e të tjerëve të përfshira në punimin e paraqitur duhet të identifikohen mirë në fusnotat dhe referencat bibliografike.

Çmimi i parë do të shpërblehet me 1000 euro, çmimi i dytë me 700 euro dhe çmimi i tretë me 500 euro.

Pa paragjykuar Rregullën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë një ose më shumë se një.

Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë me punimet e tyre në këtë konkurs.

Studentët e interesuar për aplikim mund të aplikojnë: duke dorëzuar punimet e tyre në version elektronik (pdf) në [email protected] të shoqëruar nga tri kopje me shkrim të dërguara në adresën: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Attn. Çmimi i BQK-së për Ekonomistët e Rinj, rruga Garibaldi nr. 33, Prishtinë, Republika e Kosovës; emrin e udhëheqësit të temës dhe Universitetin/Fakultetin përkatës (në rast se studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit të temës); dhe kopjen e letërnjoftimit.

Data e fundit për dorëzim do të jetë 15 shtator 2020.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FIFA ka dalë me një njoftim zyrtar se kur do…