BQK organizon Punëtorinë për Edukimin Financiar dhe Komunikimin Digjital

20 qershor 2025 | 12:14

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Bankën Botërore organizoi punëtorinë me temë “Edukimi Financiar dhe Komunikimi Digjital”, si vazhdim i aktiviteteve në kuadër të Këshillit Kombëtar të Pagesave dhe diskutimeve rreth lidhjes me anëtarësimin në Zonën e Pagesave në Euro (SEPA).

Qëllimi i punëtorisë ishte ngritja e kapaciteteve dhe ndarja e përvojave, krahas rëndësisë së edukimit financiar dhe komunikimit efektiv digjital si shtylla thelbësore për aspektet e stabilitetit financiar, fuqizimin e konsumatorëve, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.

Punëtoria u hap me fjalë përshëndetëse nga Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, i cili theksoi përkushtimin e institucionit për të fuqizuar qytetarët me edukim financiar dhe komunikimin publik, duke potencuar se kjo përbën bazë për qëndrueshmëri financiare dhe mirëqenie afatgjatë. Gjithashtu një fjalë rasti mbajti drejtori për Kosovë i Bankës Botërore, z. Massimiliano Paolucci, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin dhe avancimin e sektorit financiar.

U theksua se gjatë viteve të fundit, BQK ka intensifikuar ndjeshëm aktivitetet në fushën e edukimit financiar dhe komunikimit me publikun, përfshirë:

  • Programet edukative në shkolla dhe universitete;
  • Fushatat informuese për qytetarët; dhe
  • Zhvillimi i mjeteve digjitale dhe përmbajtjeve vizuale për edukim publik.

Po ashtu, BQK ka zhvilluar Platformën për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare (krahaso.bqk-kos.org) si pjesë e përpjekjeve për edukim financiar. Kjo platformë është dizajnuar për të ndihmuar konsumatorët të kenë qasje dhe të krahasojnë normat e interesit dhe tarifat për produktet dhe shërbimet kryesore financiare.

Për më tepër, gjatë këtij viti BQK këtë është bërë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorëve Financiarë (FinCoNet), duke u rreshtuar krahas institucioneve që promovojnë praktika më të mira ndërkombëtare në edukimin dhe mbrojtjen financiare të qytetarëve.

BQK vazhdon të punojë ngushtë me akterë vendorë dhe ndërkombëtarë për të zhvilluar dhe zbatuar iniciativa që promovojnë vetëdijen dhe përfshirjen financiare në të gjitha grupmoshat. Gjithashtu, është rritur prezenca në rrjetet sociale dhe platformat digjitale me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit financiar sidomos te brezat e rinj.

Në punëtori morën pjesë stafi i BQK, sektorit financiar, institucione publike dhe institucione ndërkombëtare. Eksperti i Bankës Botërore, z. Aaron Koreneswsky paraqiti prezantimin e tij, së bashku me znj. Maria Iride Vangelisti – drejtore e Edukimit Financiar në Bankën e Italisë, duke ju mundësuar të pranishmëve diskutime për mënyrat më efektive të integrimit të komunikimit digjital me strategjitë e edukimit financiar, përfshirjen e grupeve të ndjeshme, matjen e ndikimit të fushatave informuese dhe rritjen e kapaciteteve institucionale në këtë fushë.

Me anë të këtyre takimeve dhe punëtorive, BQK riafirmon angazhimin e saj për të promovuar gjithëpërfshirjen financiare, transparencën dhe komunikim të hapur me publikun në përputhje me Planin Strategjik dhe praktikat më të mia ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja britanike, Tamzin Outhwaite, e njohur më së miri për…