
Brazili, 653 të vdekur nga Covid-19
Brazili i ka regjistruar 653 viktima të koronavirusit gjatë 24 orëve të kaluara, duke e çuar në 22 666 shifrën e përgjithshme të viktimave. Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 15 813 raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 363 211 persona, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Pas këtyre rasteve, Brazili përsëri ia ka zënë vendin e dytë Rusisë për numrin më të lartë të të infektuarve në botë. Në vendin e parë mbeten bindshëm Shtetet e Bashkuara me mbi 1 milion e 643 mijë raste.
Pavarësisht numrit të madh të viktimave dhe infektimeve, presidenti brazilian Jair Bolsonaro vazhdimisht i ka kundërshtuar masat kufizuese, duke thënë se ato po e dëmtojnë shumë ekonominë.
Brenda një muaji dy ministra të shëndetësisë në Brazil janë dorëhequr për shkak të mospajtimeve politike në lidhje me menaxhimin e pandemisë.