
Brenda tre ditësh humbi tre të rinj, komuna e Vitisë shpall të mërkurën Ditë Zie
Komuna e Vitisë ka shpallur një ditë zie më 11 qershor 2025, në nderim të tre të rinjve që humbën jetën tragjikisht.
Gjatë kësaj dite, flamujt do të ulen në gjysmështizë dhe do të pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore, sportive e festive.
Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave.
”Të nderuar qytetarë të Komunës së Vitisë,
Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftoj se këto ditë, komuna jonë është tronditur nga tri humbje të mëdha. Brenda vetëm tre ditësh, kemi humbur tre të rinj vitias – bij e bija të kësaj toke, që u ndanë nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe tragjike.
Kjo dhimbje është e papërshkrueshme dhe ka prekur thellë secilin prej nesh. Në nderim të jetës së tyre dhe për të shprehur solidaritetin e institucioneve dhe të gjithë qytetarëve me familjet që po përballen me këtë dhembje të madhe, shpall të mërkurën, 11.06.2025 DITË ZIE në Komunën e Vitisë.
Gjatë kësaj dite:
• Flamujt në të gjitha institucionet komunale do të ulen në gjysmështizë;
• Aktivitetet kulturore, sportive dhe festive do të pezullohen;
• Institucionet dhe qytetarët do të nderojnë kujtimin e të rinjve tanë me heshtje dhe respekt të thellë.
I ftoj të gjithë qytetarët e Vitisë të bashkohen në këtë ditë zie, për të nderuar kujtimin e të ndjerëve dhe për të qëndruar pranë familjeve të tyre, duke ndarë dhembjen me solidaritet dhe dashuri njerëzore.
Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe i pastë të ndjerët në mëshirën e Tij.
Me respekt dhe dhembje të thellë”.