
Brukseli: Rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi
Bashkimi Evropian (BE) ka rikonfirmuar angazhimin e tij si ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se është duke punuar intensivisht me të dyja palët për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Ky reagim i Brukselit vjen pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili në një bisedë me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, ka theksuar rëndësinë e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
“BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin shpejt angazhimet e tyre ndaj Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivave për anëtarësim në BE”, është thënë në një deklaratë nga zyra e shtypit e Komisionit Evropian.
Zyrtarët evropianë ka thënë se pas takimit të fundit të kryenegociatorëve në qershor, BE-ja mbetet e gatshme të organizojë raundin e ardhshëm të dialogut sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë për takim, qoftë në nivel teknik apo politik.
Në deklaratë vihet në dukje se “rruga drejt BE-së për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, duke shtuar se zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara është kyç për avancimin e tyre në procesin e integrimit evropian. /RTK