Bû Dë La Ry

09 dhjetor 2021 | 08:24

VIKTOR HYGO

Ai banonte në famullinë e Sent-Samsonit. Nuk e gëzonte dashamirësinë e fqinjëve. Për këtë ekzistonin jo pak arsye. Së pari, ai kishte për banesë një shtëpi të “fanepsur”. Ndonjëherë, në Xhersi apo në Gernsej, në fshat, madje dhe në qytet, ndodh që, duke ecur në ndonjë qoshe të shkretuar apo në ndonjë rrugë që gëlon nga gjindja, të hasni ndonjë shtëpi hyrja e së cilës është e mbyllur mirë, shkurre beronje mbajnë të bllokuar portën, dërrasa të nevertitshme e të kota, gjithë gozhdë, bllo­kojnë dritaret e katit përdhes, dritaret e kateve më sipër janë të hapura dhe të mbyllura njëherësh. Të gjithë parvazet janë të bllokuar me lloz, por të gjithë xhamat janë të thyer. Nëse ka ndonjë oborr të vogël, bari në të jeshilon me tepri, parmaku i rrethimit është i shembur. Nëse ka një kopsht, ai është gjithë hithra, ferra dhe bimë helmuese, dhe fare mirë mund të përgjojmë aty zukatje insektesh të rralla. Oxhaqet plasariten, çatia vithiset. Ajo çka shihet në brendinë e dhomave është e shkatërruar. Pjesët e drunjta janë të kalbura, ato të gurtat i ka zënë myku. Letra e murit vende-vende është shkolitur. Mund të studioni aty modën e hershme të letrës murale, grifonët (gjysmë shqiponjë e gjysmë luan) të perandorisë, cohat me pala zbukurimi në gjysmëhënë të Direktoratit, shtyllat e parmakëve dhe format lapidare të kohës së Luigjit XVI. Pëlhurat me fije të dendura e të mbushura plot miza tregojnë qetësinë mbretëruese të mërimangave. Me raste, të zë syri ndonjë enë të thyer mbi një raft. Ja, kjo farë shtëpie mund të quhet “e fanepsur”. Djalli vjen aty gjatë natës.

Shtëpia, ashtu si njeriu, mund të shndërrohet në një kufomë. Mjafton që një besëtytni ta vrasë. Atëherë ajo është e tmerrshme. Këto farë shtëpish të vdekura nuk janë të pakta në ishujt e La Manshit.

Popullsitë fshatare dhe ato bregdetare nuk janë aspak të qeta kundrejt djallit. Ato të La Manshit, arkipelagut anglez dhe breg­detit francez, kanë mbi qoftëlargun një ide shumë të saktë. Djalli ka disa të dërguarit e vet në të gjithë botën. Është e sigurt që Belfégori është ambasador i ferrit në Francë, Hutgini në Itali, Béliali në Turqi, Thamusi në Spanjë, Martineti në Zvicër dhe Mammoni në Angli. Satanai është një perandor ashtu si çdokush më parë: një Satan Çezar. Oborri i tij peran­dorak është organizuar më së miri; Dagoni është kryeshef i hambarit të drithit; Succor Benothi është shef i eunukëve; Asmodéa, bankier i lojërave; Kobali, drejtor i teatrit, dhe Verdëleti, kryemjeshtër i ceremonive; Nybbasi është gaztori. Uierus, një burrë fort i ditur, një shtrigolog i mirë dhe demonograf i zoti, Nybbasin e quan “parodisti i madh”.

Peshkatarët normandë të La Manshit duhet të marrin shumë masa paraprake kur nisen për lundrim në det për shkak të fanitjeve që djalli ua bënë. Është besuar për një kohë të gjatë se shën Maklu jetonte në shkëmbin e madh në formë katrore të Ortashit, i cili ndodhet në det të hapur midis Orinjis dhe Kasketsit, dhe shumë marinarë të dorës së vjetër pohojnë se e kanë parë jo pak herë nga larg, të ulur e duke lexuar një libër. Po ashtu, detarët kalimtarë gjunjëzoheshin me detyrim përpara shkëmbit Ortash deri në ditën kur kjo farë fabule u shkapërda duke i lënë vendin të vërtetës. U bënë zbulime dhe tanimë e dimë që ai i cili jetonte në shkëmbin Ortash nuk ishte aspak një shenjt, por një djall. Ky i fundit, njëfarë i mbiquajturi Joshmus, pati ligësinë që për shumë vite të dukej sikur ishte shën Maklu-ja. Madje vetë kisha bie pre e të tilla gabimeve. Djajtë Raguhel, Oribel dhe Tobiel kanë qenë shenjtorë deri në vitin 745, kur Papë Zaharia, sapo i nuhati, i largoi menjëherë nga kjo kate­gori. Për të bërë të tilla spastrime, të cilat patjetër kanë shumë dobi, duhet të kesh shumë haber nga djajtë.

Më të moshuarit e vendit rrëfejnë, por këto fakte i përkasin të shkuarës, se popullsia katolike e arkipelagut normand kohë më parë, kundër dëshirës së vet, ka qenë më tepër në kontakt me djallin se popullsia hygënote. Përse? As që e dimë. Ajo çka dimë me siguri është se kjo pakicë, njëherë e një kohë, qe fort e mërzitur nga djalli. Ky i fundit kish ngjallur sevda të madhe për katolikët dhe rrekej të shoqërohej së tepërmi me ta, gjë që të shtynte të besoje se djalli qenkësh më tepër katolik sesa prote­stant. Një nga familjaritetet e tij më të padurueshme ishte të bërit vizita natën shtretërve bashkëshortorë katolikë, fill në çastin kur burrin sapo e kishte zënë gjumi dhe e shoqja ishte me sytë gjysmë të mbyllur. Që andej veçse gabime. Patujé mendonte se Volteri qe ngjizur në atë mënyrë. Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Për më tepër, ky rast është plotësisht i njohur dhe i përshkruar në formularët e ekzor­cizmit, në rubrikën De erroribus nocturnis dhe de semine diabolorum. Ai i ka shërbyer në veçanti Sent-Héljerit, aty nga fundi i shekullit të shkuar, me sa duket si formë ndëshkimi për krimet e revolu­cionit. Pasojat e teprimeve revolucionare janë të palloga­ritshme. Sido që të ishte, kjo shfaqje e mundshme e djallit, gjatë natës, kur nuk mund të shihet qartë se ç’bën vaki, kur të kaplon gjumi, vuri në siklet të madh shumë femra ortodokse. Nuk përbën asgjë të këndshme nxjerrja në jetë e një Volteri. Njëra syresh, e shqetësuar, u këshillua me rrëfye­sin e saj për mënyrën e sqarimit në kohë të këtij keqkuptimi. Rrëfyesi iu përgjigj: – Për t’u siguruar në keni të bëni me djallin apo me bashkëshortin tuaj, prekni ballin, nëse hasni brirë, do të jeni plotësisht e bindur… – Për çfarë? – pyeti gruaja.

Shtëpia ku jetonte Zhiliati paskësh qenë e fanepsur, por nuk ishte më. Për këtë arsye ajo shihej edhe më me dyshim nga gjindja. Askush (nga ata që kanë qasje në demonologji) nuk mund të mos e dijë se kur një magjistar vendoset në një banesë të pushtuar, djalli e gjykon se banesa është e mbajtur mirë dhe magjistarit i bën mirësinë duke mos u kthyer më aty, vetëm nëse, ashtu si mjeku, do të thirrej nga ky i fundit për ndonjë rast të caktuar.

Kjo shtëpi quhej Bû dë la Ry. Ajo qe ngritur në majë të një rripi toke apo shkëmbi më saktë, duke bërë njëfarë ankorimi veçmas në gjirin e vogël shkëmbor të Humé-Paradiz. Atje ujët ka thellësi. Kjo shtëpi qëndronte krejt e vetme mbi këtë pikë pothuajse të jashtme të ishullit, me fare pak tokë sa për një kopsht të vogël. Ndonjëherë baticat e larta krijonin përmbytje në kopshtin e saj. Midis portit të Shën-Samsonit dhe gjirit të Humé-Paradizit shtrihet kodra e madhe, e cila ngrihet përmbi bllokun e kullave mbuluar me bimë kacavarëse shermasheku, e njohur si kështjella e Valës apo e Arshanzhit, kështu që nga Shën-Samsoni nuk mund të këqyrej Bû dë la Ry-ja.

Në Gernsej asgjë nuk është më pak e rrallë sesa një magjistar. Ata e ushtrojnë zanatin e tyre në disa famulli, në indiferencën e plotë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ata kanë disa praktika me të vërtetë kriminale. Ata e ziejnë floririn, mbledhin bimë në mesnatë, vështrojnë vëngër bagëtitë e njerëzve. Kur këshillohemi me ta, kërkojnë t’u sjellim nëpër shishka “ujët e të sëmurëve” dhe i dëgjojmë teksa thonë me zë të ulët: Ujët duket shumë i trishtë. Njëri syresh, një ditë, në mars 1856, në “ujët” e një të sëmuri arriti të shquajë shtatë shejtanë. Ata janë të frikësuar e të frikshëm. Një tjetër syresh, tani rishtas, ka magjepsur një bukëpjekës “bashkë dhe furrën e tij”. Një tjetër akoma ka poshtërsinë të dyllosë dhe të vulosë me kujdesin më të madh ca zarfe “brenda të cilëve nuk ka asgjë”. Një tjetër akoma shkon deri aty sa mban mbi një raft në shtëpinë e tij tri shishka me etiketën “B”. Këto fakte të llahtarshme janë kon­statuar. Disa magjistarë janë të dashur dhe, për dy apo tre gine[1], bartin sëmundjet tuaja. Atëherë ata përdridhen në shtratin e tyre duke lëshuar britma. Ndërkohë që ata palosen dysh nga dhimbjet, ju thoni: Ja, merri, kaq të holla kam gjithsej. Të tjerët ju shërojnë nga të gjitha lëngatat duke ju lidhur nyjë një shami përreth trupit; një metodë kjo aq e thjeshtë sa është vërtet për t’u habitur që askujt s’i ka shkuar mendja më parë. Gjatë shekullit të kaluar oborri mbretëror i Gernsejit i vendoste ata në turrën e druve dhe i digjte të gjallë. Në ditët e sotme ai i ndëshkon me tetë javë burgim; katër javë duke u dhënë vetëm bukë dhe ujë dhe katër javë të tjera me izolim vetmitar, të kombinuara. Amant alterna catenæ.

Djegia e fundit e magjistarëve në Gernsej ka ngjarë më 1747. Për këtë ngjarje qyteti kishte shfrytëzuar një nga sheshet e tij, Karrfur dy Burgazhin. Nga 1565 deri më 1700 ky i fundit ka parë të shkrumbohen njëmbëdhjetë magjistarë. Në përgji­thësi këta të dënuar i pranonin krimet. Drejt pohimit i ndih­monin me anë torturës. Karfur dy Bordazhi i ka bërë edhe të tjera shërbime shoqërisë dhe fesë. Aty u dogjën heretikët. Nën qeverisjen e Maria Tudorit, aty, ndër shumë hygënotë të tjerë, dogjën dhe një nënë me të dyja vajzat e saj. Ajo nënë quhej Pertinë Masi. Njëra nga vajzat ishte shtatzënë. Ajo e lindi fëmijën në turrën e druve. Kronika thotë: “Barku i saj plasi”. Nga ai bark doli një fëmijë i gjallë. I porsalinduri u rrokullis jashtë zjarrit flakërues. Dikush me emrin Huse e mori në krahë. Gjykatësi Heljé Goslë, katolik i përkorë, urdhëroi që foshnja të rihidhej në zjarr.

(Marrë nga numri 12 i revistës “Akademia”. Përktheu nga origjinali: Verjon Fasho)

[1] Guinées – monedhë e hershme angleze, fillimisht e shtypur me material ari të ardhur nga Guinea. Vlefta e saj ishte e barabartë me 21 shilinga. (Sh. i p.).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MACHADO DE ASSIS KAPITULLI I Nga një ide e mahnitshme…