
Bulliqi nënshkruan inicimin e procedurave të prokurimit për ndërtimin e tri anekseve shkollore
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se ka nënshkruar inicimin e procedurave të prokurimit për ndërtimin e tri anekseve shkollore në shkollat “Ibrahim Rugova”, “Enver Maloku” dhe “Xheladin Rekaliu” në qytet.
Ai ka thënë se këto projekte janë një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivit tonë për realizimin e mësimit gjithëditor në shkollat e qytetit.
“Përmes ndërtimit të këtyre anekseve, do të zgjerojmë kapacitetet hapësinore, do të krijojmë kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe do të mundësojmë zhvillimin e mësimit kabinetik në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit. Në fazën e radhës do të përfshihen edhe shkollat në fshatra, duke kompletuar kështu infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e mësimit gjithëditor në gjithë komunën tonë”, ka njoftuar Bulliqi.