“…burgu brenda kishte liri”

15 qershor 2020 | 22:42

Shkruan: Valon Murati

Ky varg i një poezie të Bahri Fazliut më sillej nëpër kokë kur sot me shokë vizituam ish burgun hetues të Prishtinës.

Historia e qëndresës së popullit shqiptar nën Serbi e Jugosllavi dhe e përpjekjeve të tij për liri, barazi, pavarësi e bashkim kombëtar është historia personale e shumë e shumë veprimtarëve që përjetuan vuajtje të papara në burgjet serbe e jugosllave. Është historia e familjeve të tyre të brengosura por krenare për bijat e bijtë e tyre në këto burgje. Është historia e shokëve të tyre që vazhduan punën e angazhimin deri në lirinë e Kosovës. Pa këtë përpjekje, e sidomos pa qëndresën heroike në burgjet e pushtuesit nuk mund të kuptohet historia e lëvizjes sonë çlirimtare. Kjo është edhe historia e Jugosllavisë e cila në vitet 80’ kishte numrin më të madh të të burgosurve politikë në Evropë.

Sot me disa prej ish të burgosurve Raif Qela, Avni Klinaku dhe Emin Sallahu (që ishte edhe në rolin e ciceronit) vizituam këtë burg famëkeq. Raif Qela i cili ka mbajtur tërësisht 14 vite në burg kishte qenë në këtë burg hetues në vitet 1981, 1983, 1984 dhe 1993; Avni Klinaku që ka mbajtur 10 vite burg ka qenë në këtë burg hetues në vitet 1984, 1985, 1989, 1997 dhe Emin Sallahu në vitin 1997. Ishim edhe me familjarët e tyre, Rreze Qela, Nazmije Klinaku dhe Nazmije Klinaku Qela dhe vizituam dhomat e shumta ku kishin qëndruar ata dhe shumë shokë të tjerë të gjallë e të vdekur. Në dhomën 28 Avniu dhe Raifi ishin njoftuar në vitin 1984.

Bahri Fazliu në një tjetër poezi e të cilën ia kishte kushtuar Raif Qelës, në vitin 1994 i cili gjendej në burg, thoshte:

“Do të vijë koha e sigurisht do të takohemi prapë
biseda atëherë do të ketë marrë një fund,
burgjet s’do të hapen më për ty,
liria për mua s’do të jetë më burg”.

Bahriu e Raifi nuk u takuan më kurrë. Por sot me Raifin, Avniun e të tjerët vizituam burgun dhe dhomat ku ndër të tjera kishte qenë edhe Bahriu në vitin 1990.

Aty ishim edhe Driton Avdiu, Blerim Zhabari, Agim Kuleta dhe unë, te të katërt “vizitorë” në tentativë të këtij burgu në vitin 1997. E në anën tjetër edhe pse sot nuk ishin me ne i vizituam edhe dhomat e shokëve të tjerë që kanë kaluar në këtë burg si Sabit Gashit, Osman Shahinit, Istref Klinakut, Fadil Fazliut etj.

Disa nga dhomat e burgut janë vërtetë ikonike, siç është dhoma numër 3 (ku një kohë kishte qëndruar edhe Avniu) e ku flitet se ka qenë dhoma e fundit prej ku ka dal i dërmuar Metush Krasniqi për të ndërruar jetë pak më vonë, apo ku edhe ka ndërruar jetë pas torturave Fazli Grajçevci. Në njërën prej dhomave kishte qëndruar edhe Rexhep Mala, Shaban Shala e shumë e shumë dëshmorë të tjerë. Nëpër këto dhoma burgu ka kaluar edhe baca Adem, ikona e përpjekjeve për liri të popullit shqiptar në Kosovë dhe vise të tjera nën Jugosllavinë, Ukshin Hoti e të tjera figura qendore të rezistencës dhe lirisë sonë.

Është për t’u përshëndetur nisma e ish zëvendës ministrit të kulturës Yll Rugova dhe ministres aktuale Vlora Dumoshi që të hapet ky burg dhe të shndërrohet në muze. Sigurisht duhet edhe shumë punë dhe mbledhje e kujtimeve të shumë gjeneratave të të burgosurve që muzeu e dhomat të pajisen me informatat e sakta dhe shumë të dobishme për historinë tonë dhe për gjeneratat e reja e ato që do të vijnë që ta kuptojnë të gjithë sesa e shtrenjtë është liria jonë dhe sa shumë sakrifica e mund e gjak është derdhur për këtë ditë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga 129 rastet pozitive me Covid-19 të konfirmuara sonte nga…