
Buruk akuzon Mourinhon: Më gërvishti fytyrën me thonj
Okan Buruk, trajner i Galatasarayt, ka dhënë një intervistë në Turqi ku ka akuzuar Jose Mourinhon për një veprim të dhunshëm pas përfundimit të derbit të Stambollit në çerekfinalet e Kupës së Turqisë. Pas vërshëllimës së fundit, portugezi i “shtrëngoi hundën” Burukut, i cili ra në fushë duke u ankuar për dhimbje.
“Hollywood e pa”, komentoi Mourinho për atë moment, ndërsa më tej ka thënë: “Pamjet flasin vetë”. Okan Buruk, në një deklaratë për televizionin TV100, ka deklaruar: “U godita, disa thonë që rënia ime ishte e ekzagjeruar, por kam zgjedhur të hesht sepse nuk dua ta zgjas më këtë histori”.
Mourinho, ndërkohë, mori një pezullim prej tre ndeshjesh, por nuk do ta vuajë këtë dënim deri në sezonin e ardhshëm. Sipas rregullores së futbollit turk, pezullimet deri në tre ndeshje zbatohen vetëm në kompeticionin përkatës – dhe meqë Fenerbahçe është eliminuar nga Kupa e Turqisë, ai do ta vuajë pezullimin në sezonin 2025/2026.
Buruk me pas ka shtuar: “Asnjë nuk do ta priste një sulm fizik në atë moment, nuk mendova as për mënyrën si rashë. Ai më gërvishti fytyrën me thonj. Bëri një lëvizje të dhunshme, që më dhembi. Nëse do të kisha reaguar ndryshe, ndoshta do të isha pezulluar për 10 ndeshje. Nuk ndiej nevojën të përgjigjem. Kundërshtarët mund të përballen brenda dhe jashtë fushës, kjo është normale për mua. Por e kuptoj qëllimin e tij që nga fillimi i sezonit”.