Bytyqi: Agjencia e Kosovës për Akreditim do të rikthehet në EQAR

07 mars 15:19

Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) do të rikthehet sa më parë në Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka garantuar se asnjë student nuk do të ketë problem me njohjen e diplomave ndërkombëtarisht apo pranim për regjistrim në universitetet evropiane.

Bytyqi ka bërë me dije se MAShT-i është duke bërë përgatitje maksimale për testin PISA 2018, në mënyrë që të arrihen rezultate të mira.

Ai ka folur edhe për punën e universiteteve publike dhe kolegjeve private, me ç’rast ka thënë se në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ka probleme të natyrave nga më të ndryshmet, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë në arsim.

Sipas Bytyqit, nuk do të lejohet që edhe më tutje të funksionojnë universitete publike me një cilësi të ulët dhe me një qëndrueshmëri në pikëpyetje.

Ai ka treguar se aktualisht gjendja në institucionet e arsimit të lartë nuk është në nivelin e dëshiruar por, sipas Bytyqit, prioritetet i MAShT-it do të jetë dalja nga kjo situatë.

“Epoka e re”: Z. Bytyqi, ditë më parë Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është përjashtuar nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) për shkak të ndërhyrjeve politike, përkatësisht për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë nga ju me kërkesë të kryeministrit. Cili është qëndrimi juaj ndaj vendimit të EQAR-së dhe çfarë pasojash do të ketë nga ky vendim?
Bytyqi: Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT) ka pranuar vendimin e EQAR-it lidhur me procesin e përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga regjistrat e vet. Ky vendim është duke u trajtuar me seriozitetin më të lartë institucional nga Kryeministria, MAShT-i dhe AKA. Vendimi i EQAR-it merr për bazë procesin e shkarkimit dhe zëvendësimit të Këshillit Shtetëror për Cilësi – KSHC. Në këtë vendim parashihet një periudhë prej 90 ditësh, si e drejtë e AKA-së për ta argumentuar funksionalitetin dhe pavarësinë e Agjencisë në veprimet strategjike dhe operative të saj. MAShT-i siguron opinionin publik në Kosovë, veçanërisht studentët dhe stafin akademik, se është në shërbim të fuqizimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe rritjes së cilësisë së tyre. Gjithashtu, mbesim të përkushtuar që asnjë lloj ndikimi politik apo i grupeve të interesit, të mos ndikojë në devijimin e angazhimeve dhe orientimeve tona të drejta, për të ecur drejt objektivave programore që ka vendosur MAShT-i që nga fillimi i këtij mandati qeverisës.

“Epoka e re”: Do të ankoheni ndaj këtij vendimi dhe kur do të rikthehet në EQAR Agjencia e Kosovës për Akreditim?
Bytyqi: Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) do ta shfrytëzojë të drejtën për ankesë në afat optimal, duke shfrytëzuar të gjitha argumentet e veta, të MAShT-it dhe të Zyrës së Kryeministrit për ligjshmërinë dhe arsyeshmërinë e vendimeve që prekin këtë proces. Me këtë rast, do të argumentohet që personalitetet e emëruara në Këshillin Shtetëror për Cilësi – KShC, do të jenë profesionalë, të pavarur politikisht, ekspertë të fushave përkatëse dhe të përgjegjshëm kundrejt detyrave të rëndësishme që pritet të kenë. Pra, MAShT-i mbetet e përkushtuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim të kthehet në EQAR sa më parë.

“Epoka e re”: Njohësit e fushës së arsimit kanë ngrehur shqetësime se përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga EQAR-i do të ketë pasoja të mëdha në të ardhmen. Një prej këtyre pasojave është thënë se do të jetë mosnjohja e diplomave të studentëve të Kosovës në Evropë?
Bytyqi: Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë garanton se asnjë student nuk do të ketë problem me njohjen e diplomave ndërkombëtarisht apo pranim për regjistrim në universitetet evropiane dhe se ato do të trajtohen ashtu siç janë trajtuar deri më tash. MAShT-i do të angazhohet fuqishëm që edhe programet e reja të cilat do të akreditohen, të garantojnë cilësi dhe do të kenë të njëjtën rëndësi dhe vlefshmëri. Tendenca për të thënë se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në Evropë, janë manipulime të ulëta, dashakeqe dhe dëmtojnë imazhin e universiteteve tona dhe të diplomave tona. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia nuk janë pjesë e EQAR-it dhe studentët e tyre nuk e kanë asnjë problem me njohje të diplomave, dhe ky është edhe një fakt i fuqishëm që demanton manipulimet se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në UE. Por, në asnjë mënyrë ky fakt nuk përmendet për ta relativizuar apo zvogëluar rëndësinë që ka EQAR-i për njohjen e vlefshmërisë së diplomave tona. Ne lidhje me këtë, kam takuar edhe përfaqësuesit e organizatave studentore, të cilët i kam informuar për situatën e krijuar në raport me EQAR-in dhe i kam siguruar se nuk ekziston asnjë problem lidhur me njohjen e diplomave të studentëve tanë nga Bashkimi Evropian.

“Epoka e re”: Z. Bytyqi, çfarë vlerësimi keni për punën e universiteteve publike dhe kolegjeve private? Gjatë kësaj periudhe keni arritur t’i identifikoni të metat e tyre?
Bytyqi: Të themi të vërtetën, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ka probleme të natyrave nga më të ndryshmet, probleme këto të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë në arsim. Ne nuk guxojmë edhe më tutje të lejojmë të na funksionojnë universitete publike me një cilësi të ulët dhe me një qëndrueshmëri në pikëpyetje. Në lidhje me këtë ne kemi tashmë një grup punues që po merret me fizibilitetin e universiteteve publike dhe ky grup do të dalë me një raport të kompletuar mbi gjendjen reale në këto universitete publike, pastaj në bazë të raportit do t’i marrim edhe hapat e nevojshëm. Në përgjithësi, në universitetet publike dhe në kolegjet private mungon harmonizimi i programeve të tyre me nevojat e tregut të punës. Ne jemi duke analizuar që ta bëjmë më të mirën e mundshme për arsimin e lartë. Jemi duke diskutuar me stafin tonë lidhur me çështjen e universiteteve publike. Vërtet kanë probleme edhe buxhetore, edhe të kuadrove. Do ta gjejmë një model shumë shpejt që këto universitete të funksionojnë në mënyrën e duhur.

“Epoka e re”: Ministër, pavarësisht prej rritjes së pagave të mësimdhënësve si dhe hapjes së shkollave e universiteteve, cilësia në arsim vetëm ka pësuar rënie. Ndonëse ende nuk i keni bërë gjashtë muaj prej që keni ardhur në krye të MAShT-it, çfarë keni bërë dhe cilat janë veprimet konkrete që i keni ndërmarrë për përmirësim të cilësisë në arsim?
Bytyqi: Që të jemi realë, që nga koha kur e kemi marrë ministrinë aktiviteti ynë fillimisht është fokusuar për të parë një pasqyrë të qartë të gjendjes së ministrisë dhe e kemi analizuar gjendjen e përgjithshme se si duhet të qasemi dhe si duhet të dalim nga kjo situatë. Ne kemi arritur të kemi një pasqyrë të qartë të gjendjes dhe ajo që po e them është se nuk është një gjendje që ne e dëshirojmë dhe duhet të jetë qoftë në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë apo në përgjithësi të sistemit arsimor, por mbi këtë bazë ne kemi vendosur prioritetet tona për programin qeverisës që të dalim nga kjo situatë. Konsideroj se ne ia kemi dalë të futemi në gjera që do ta ndryshojnë gjendjen e arsimit. Pra, e kemi filluar një rrugë të mbarë dhe kjo ka qenë synimi kryesor që nga momenti kur është përcaktuar që ta marrë udhëheqjen e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, me qëllimin e vetëm që arsimi në Kosovë të marrë një drejtim dhe për këtë periudhë kohore besoj se e kemi arritur këtë qëllim. Nëse flasim brenda periudhës sonë, mund të them se është bërë një përpjekje, por duhet të bëhen punë të mira që duhet të jenë të qëndrueshme për një periudhë me të gjatë. Pra, kjo është ajo që synojmë të bëjmë. Është vazhduar të kompletohet infrastruktura e nevojshme që nga niveli parafillor e deri te niveli universitar. Më tutje, është vazhduar plani strategjik 2017-2021, që është punuar nga qeveria e kaluar dhe që është vërtet një plan i mirë, në veçanti ne kemi identifikuar gjërat që duhet t’i bëjmë si një qeveri e re dhe si një ministër i ri për synimin e vetëm që duhet të ndryshojë cilësia në arsim. Tani jemi në hapat e para kur kemi identifikuar ndryshimin e modelit të arsimit në Kosovë, sidomos në atë parafillor, për të vazhduar tek ai universitar. Për klasat 1-5 do të kemi një model të ri, për çfarë kemi punuar vazhdimisht. Grupet punuese kanë filluar diskutimin me njerëz të arsimit dhe ekspertë të kësaj fushe derisa ta finalizojmë këtë çështje. Pastaj kemi edhe modelin 6-9 që do të jetë një model i vlerësimit të nxënësve në mënyrë të vazhdueshme, pastaj në klasën e 9 do të bëhet ndarja e nxënësve për vazhdimin e shkollimit në shkollat profesionale apo në gjimnaz. Ne jemi te pika kyçe e programit tonë, apo prioriteti kryesor që do të jetë për këtë mandat është avancimi i shkollave profesionale. Prandaj, jemi të vendosur në punën tonë që shkollat profesionale ta zënë vendin kyç në arsimin e mesëm dhe në atë të lartë dhe të zhvillohen në shkollat evropiane. Në këtë drejtim jemi në përgatitje të një plani nacional për shkollat profesionale që besoj se në fillim të vitit të ardhshëm, pra në muajt në vijim do ta bëjmë publik planin nacional, i cili do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, ku një numër i madh i mësimdhënësve do ta kenë mundësinë të trajnohen në vendet e jashtme dhe të jenë të gatshëm pastaj t’i përgatitin të rinjtë në shkollat profesionale. Ne synojmë që përmes këtyre shkollave t’i bëjmë të gatshëm të rinjtë për punë, pra që nga mosha 18-vjeçare të mos i ndalojmë ata nga shkollimi i mëtejmë, pra ai universitar.

“Epoka e re”: Së shpejti do të mbahet edhe testi PISA. I keni bërë përgatitjet e duhura që Kosova të dalë me rezultat më të mirë se në vitin e kaluar?
Bytyqi: Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë si ministër i Arsimit kam marrë hapat e duhur rreth përgatitjeve që ne duhet të bëjmë për Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). E kemi ngritur një komision të ri për faktin se komisioni i kaluar ka qenë tërësisht jofunksional. Komisioni i ri është tejet i angazhuar me përgatitjet që duhen bërë, madje kanë hartuar edhe një Udhëzim Administrativ që ka të bëjë me mbikëqyrjen e testit PISA 2018 dhe në bazë të të cilit kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie. Gjithashtu, ky komision ka përgatitur edhe planin e punës me aktivitetet që duhet të zhvillohen deri në mbajtjen e testit. Deri më tani kanë mbaruar takimet informuese nëpër regjionet e vendit dhe tani janë në fazën e takimeve me koordinatorët e testit PISA të zgjedhur nëpër komunat e Kosovës. Sipas planit, gjatë këtij muaji do të mbahen edhe dy teste provuese me nxënësit 15-vjeçarë. Pra, MAShT-i është duke bërë përgatitjet maksimale që në testin PISA 2018 të dalim shumë më mirë se në testin e kaluar.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, gjatë fjalimit të tij në…