Cakolli: Çfarë po pret prokuroria që s’po nisë hetimet për manipulimin e votave të kandidatëve?
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka pyetur se çfarë është duke pritur Prokuroria që nuk është duke i nisur hetimet pasi pas rinumërimit ka pasur ndryshime në votat për kandidatët për deputetë.
“Ku është dhe çka po pret Prokuroria që nuk po nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve – që në disa vendvotime e komuna kanë marrë përmasa industriale?!”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.
Ai ka thënë se dihen emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit (QNR).
“Emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në QKN dihen. Por këto manipulime nuk janë bërë krye në veti nga komisionerët. Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor. Prandaj, përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është shumë e mundshme. Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”, ka shkruar Cakolli.



