Cakolli: S’ka arsye ligjore pse s’u thirr seanca menjëherë, një pjesë e deputetëve me gjasë janë ende në pushime

19 gusht 2025 | 11:34

Me publikimin e plotë të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me bllokadën në Kuvend përmes të cilit u dhanë rregulla të reja për konstituimin e Kuvendit, deputetët e Kuvendit të Kosovës proceduralisht mund të mblidheshin menjëherë.

Por, meqë kjo nuk ka ndodhur, Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka thënë se më shumë gjasë arsyeja është se një pjesë e deputetëve janë ende në pushime për shkak se s’ka arsye ligjore pse vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit nuk u thirr menjëherë.

“Mos keni dilema!  Nuk ekziston asnjë arsye ligjore, procedurale apo përgatitore pse vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit nuk u thirr menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Thjesht, një pjesë e deputetëve, me gjasë, janë ende në pushime”, ka thënë ai.

Cakolli ka kritikuar ata duke thënë se humbja e dy ditëve të para tregon se rehatia e tyre politike është më e rëndësishme se themelimi i institucioneve të reja.

“Çdo ditë që kalon kot është ditë më pak për zgjidhjen e bllokadës. Dhe kur problemi është mungesa e vullnetit politik, humbja e dy ditëve të para tregon qartë se rehatia politike mbetet më prioritare sesa funksionaliteti institucional”, ka thënë Cakolli.

Pas publikimit të aktgjykimit në Gazetën Zyrtare dje dhe me përfundimin e masës për pezullim të përkohshëm të Kuvendit nga gjykata, deputetët duhet të mblidhen brenda 48 orëve për të vazhduar me seancën konstituive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marco Belinelli, lojtari më i madh italian i basketbollit dhe…