Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, dëshiron ta rikthejë Marcus Rashfordin në Old Trafford, raportojnë mediat angleze.
Megjithatë, rikthimi i sulmuesit anglez nuk duket i lehtë, pasi ai ka plane të tjera për të ardhmen e tij.
Siç dihet, Rashford është pjesë e Barcelonës këtë sezon në formë huazimi nga Manchester United dhe po zhvillon paraqitje mjaft pozitive me kampionët e Spanjës.
Në 31 ndeshje të luajtura në të gjitha garat këtë sezon, Rashford ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë nëntë asistime, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës katalanase. Sulmuesi tashmë e ka bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë aventurën e tij në “Camp Nou”.
“Ajo që dua të bëj është të qëndroj te Barça. Ky është qëllimi im përfundimtar. Barcelona është një klub i madh dhe fantastik, i ndërtuar për të fituar tituj. Që nga momenti që mbërrita, u ndjeva shumë i mirëpritur. Jam në mjedisin e përsosur për të vazhduar rrugëtimin tim si futbollist”, kishte deklaruar Rashford në dhjetor.
Ai shtoi se fokusi i tij është të japë maksimumin çdo ditë dhe të ndihmojë ekipin të fitojë, ndërsa e ardhmja do të sqarohet në verë.
Vlen të theksohet se nëse Barcelona dëshiron ta mbajë përfundimisht Rashfordin, do të duhet të paguajë klauzolën e blerjes prej 35 milionë eurosh. /Telegrafi