
Çdo vit rreth 600,000 persona humbin jetën si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive
Më 26 qershor, shënohet Dita Botërore kundër Abuzimit me Droga, një iniciativë globale që synon ngritjen e ndërgjegjësimit mbi problemet që shkakton përdorimi i substancave psikoaktive dhe trafikimi i tyre i paligjshëm.
Këtë vit, fushata zhvillohet nën moton: “Të thyejmë zinxhirët: Parandalim, Trajtim dhe Rikuperim për të gjithë!”, duke theksuar rëndësinë e ndërprerjes së ciklit të varësisë përmes parandalimit, trajtimit adekuat dhe mbështetjes në procesin e rikuperimit për çdo individ.
Varësia nga substancat psikoaktive është një çrregullim kronik dhe i përsëritur, i karakterizuar nga dëshira e pakontrolluar për përdorim të vazhdueshëm, pavarësisht pasojave negative, si dhe ndryshimeve në sjellje që ndikojnë në ndjenjat e kënaqësisë, stresit dhe vetëkontrollit.
Megjithatë, varësia është e parandalueshme dhe e trajtueshme. Pa trajtim, ajo mund të zgjasë gjatë gjithë jetës dhe të ketë pasoja të rënda, përfshirë ato fatale.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit rreth 600,000 persona humbin jetën si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive. Megjithatë, vetëm 1 deri në 35% e atyre që përballen me varësi kanë qasje në trajtim.
Edhe Kosova përballet me këtë sfidë. Gjatë vitit 2022 janë raportuar 72 raste me diagnoza të lidhura me përdorimin e substancave (F10–F19), ndërsa në vitin 2023 ky numër është rritur në 123 raste.
Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e qasjes në trajtim. Në Ligjin e Buxhetit për vitin 2025 është planifikuar ndërtimi i Qendrës për Sëmundje të Varësisë, ndërsa tashmë është themeluar edhe grupi punues i autorizuar për realizimin e këtij projekti.
Në këtë ditë, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kujdesen për shëndetin e tyre, të informohen dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që sjell përdorimi i substancave psikoaktive.