Certifikimi i ekspertëve gjyqësor, Sallahu: Roli juaj në sistemin e drejtësisë, jetik

15 dhjetor 2025 | 15:31

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, të hënën është mbajtur ceremonia e certifikimit të ekspertëve të rinj gjyqësor, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, vlerësoi se ekspertët gjyqësorë përbëjnë një nga shtyllat e rëndësishme të sistemit të drejtësisë, me rol të lidhur drejtpërdrejt me forcimin e sundimit të ligjit, besueshmërisë së drejtësisë dhe sigurisë juridike për qytetarët. “Sot, me certifikimin tuaj, ju nuk merrni vetëm një dokument apo një status profesional. Ju merrni një përgjegjësi publike. Një përgjegjësi për të qenë të paanshëm, të saktë dhe të guximshëm në mbrojtjen e së vërtetës profesionale, edhe atëherë kur ajo mund të mos jetë e lehtë apo e përshtatshme për palë të caktuara”, tha ministri Sallahu.

Ai shtoi se, duke qenë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballën ekspertët gjyqësor, angazhimi politik dhe institucional konsiston në fuqizimin e rolit të tyre, mbrojtjen e integritetit profesional dhe në krijimin e kushteve që puna e ekspertëve gjyqësor të vlerësohet dhe të respektohet në përputhje me rëndësinë që ka për sistemin e drejtësisë.

“Sot, duke ju certifikuar, ne riafirmojmë besimin tonë se ekspertët gjyqësorë do të jenë partnerë të denjë të drejtësisë, kontribuues aktivë në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtës të standardeve profesionale që i takojnë një shteti demokratik dhe ligjor”, u shpreh Sallahu.
Duke i uruar suksese në ushtrimin e detyrës, u.d. ministri i Drejtësisë, uroi që puna e tyre të jetë gjithmonë e udhëhequr nga e vërteta profesionale, nga etika dhe nga përgjegjësia ndaj shoqërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i menaxhuar nga Limak…