Ç’është bajronizimi

22 maj 2025 | 10:02

ABDULLAH KARJAGDIU

Herët a vonë, në shekullin e kaluar, bajronizmi u përhap dhe ndikoi pothuajse në çdo letërsi të popujve të Evropës. Mirëpo, s’do mend, bajronizmi nuk u përhap njësoj në çdo vend e në çdo letërsi. Në disa letërsi bajronizmi ndikoi me një palë veçorish të tij, kurse në disa të tjera ai ndikoi dhe u afirmua me një palë veçorish të tjera. Kështu, në disa letërsi u mirëprit dhe u asimilua motivi i zhgënjimit dhe i pikëllimit, ndërsa në disa letërsi të tjera u kultivua ndjenja kryengritëse dhe porosia liridashëse e bajronizmit. Në disa letërsi u pëlqye personaliteti i tij, kështu që ai u bë objekt artikujsh, vështrimesh, esesh dhe trajtesash, ndërsa në disa letërsi të tjera, paralelisht me popu­llaritetin e tij, u përkthyen edhe poezitë e tij. Popullariteti i Bajronit në vende të ndryshme ishte mjaft i madh edhe para se të vdiste ai. Fama i tij vazhdoi së përhapuri në kontinent edhe atëherë kur ai qëmoti kishte vdekur në moçalishtet e Mesolu­ngut. Fama e tij jehoi nga bregoret e vendeve skandinave e deri në viset liridashëse të Ballkanit, nga Kaukazi në Pirinejtë.

Evropianët e dhjetëvjetëshit të tretë të shek. XIX, të mjeruar e të varfëruar nga luftërat napoleonike, të katandisur në robë­rinë politike të Aleancës së Shenjtë, të dërrmuar shpirtërisht e të shtypur nga ligjet e konvencat reaksionare të monarkëve, në fjalët poetike të Bajronit gjenin një lloj ngushëllimi, kuraje dhe mësimi se si duhej fituar lirinë individuale e kombëtare dhe si duhej ruajtur dinjiteti i njeriut. Mirëpo, shtrohet pyetja: Ç’është bajronizmi? Ç’nënkuptohet me nocionin ose termin bajroni­zëm? Përse ai u popullarizua aq tepër?

Është fare normale që, para se të bëjmë fjalë për bajronizmin arbëresh nga një anë dhe praninë e disa motiveve të bajronizmit në letërsinë e Rilindjes sonë nga ana tjetër, të përpiqemi sa më parë të shkoqitim çështjen e bajronizmit. Duhet thënë se stu­diuesit dhe historianët e ndryshëm i japin këtij nocioni shpje­gime dhe domethënie të ngjashme por, megjithatë, jo unanime.

Në “Leksikon” profesori Tvërtko Çubeliq[1]e shpjegon kështu çështjen e kontributit të Bajronit, të letërsisë dhe bajronizmin: “Me Haroldin e tij, që ka ngjashmëri autobiografike me të, Bajroni na jep figurën romantike të heroit të ri, i cili është zhgë­njyer në jetë pas një përvoje të pasur, i cili është i pakënaqur me çdo gjë, i cili askund s’mund ta gjejë fatin dhe paqen. Thellësisht i pakënaqur me çdo gjë që ka vetë dhe çdo gjë rreth e rrotull, Haroldi sjell trazim kudo që shkon”.[2] Sipas këtij studiuesi, heroi bajronian është një hero fatal, i kobshëm, fat­keq, i bezdisur, i gatshëm t’i shkelë normat shoqërore dhe zoti­met.[3] Surkovi, në “Enciklopedinë e shkurtër letrare”[4], jep këtë definicion të bajronizmit: “Bajronizimi është lëvizje shoqërore dhe mendore që u shfaq në letërsinë evropiane në fillim të shekullit XIX nën ndikimin e krijimtarisë së Xhorxh Gordon Bajronit”.[5]

Në historinë e letërsisë angleze, zakonisht kur bëhet fjalë për bajronizmin dhe karakteristikat e tij, nënkuptohen pothuajse ngaherë edhe heroi bajronian, popullariteti i jetës dhe i poezisë bajroniane, ndikimi i poezisë bajroniane dhe përhapja e mitit mbi Bajronin.

Së këndejmi, sipas Smithit, Bajroni jo vetëm që është bërë një legjendë romantike por ai, sipas tij, është personaliteti më romantik i letërsisë angleze.[6] Bajroni, shkruan Smith, qe një poet i guximshëm, i shkathtë, cinik, satirik, i pezmatuar, melan­kolik, i pashëm, i dashuruar, kryengritës, aventurier, liridashës, i zhgënjyer. Prandaj, termi “bajronik”, sipas Smithit, “për mbarë botën mishëron shëmbëlltyrën më të lartë të poetit të vërtetë romantik”.[7] Dejçizi, duke shkruar për Bajronin, pranon se Bajroni qe një gjurmues melodramatik i emocioneve të veta, rapsod i natyrës, idealist liberal i cili e përbuzi shtypjen politike, poet satanist i cili i flaku normat morale të shoqërisë së vet, patric i cili u interesua dhe përsiati për historinë, prandaj Dejçizi e sheh të udhës ta krahasojë atëherë me Shelin, herë me Vord­suordhin, herë me Blejkun e herë me Skotin.[8] Pos kësaj, Dej­çizi e konsideron Bajronin satirist, hedonist, narcisoid, kritik të shoqërisë dhe vjen në përfundim se Bajroni, si poet, ngërthen në vete disa kontradiksione. Legui dhe Kazamiani pohojnë se Bajroni qe i pari poet i cili ushtroi ndikim të konsiderueshëm në Evropë dhe ndikimi i tij u përhap në shumë letërsi, meqë ai jo vetëm e përfaqëson në letërsinë angleze pikëllimin e shekullit por, në të njëjtën kohë, është përfaqësuesi më karakteristik i romantizmit ndërkombëtar.[9] Sipas tyre, Bajroni është tipi i artistit romantik evropian i lindur në Angli, arti i të cilit frymëzohet nga sëmundja dhe mërzia e tij, nga brejtja e ndër­gjegjes dhe kënaqësitë e përjetuara të tij.[10]

Edhe personaliteti letrar i Bajronit, si pohojnë Legui dhe Kazamiani, ishte mjaft i ndërlikuar. “Çajld Haroldi”, “Gjauri” dhe poemat e ngja­shme, thonë Legiu e Kazamiani u bënë më të njohura dhe më të popu­llarizuara si në Angli ashtu edhe jashtë saj. Me vepra të këtilla zë të zhvillohet tema e posaçme bajroniane e melankolisë e cila është e gërshetuar me kotësinë e përpjekjeve njerëzore, me tablotë e bukura të natyrës, bredhjen e heroit të bezdisur në viset e Orientit ose në treva të trilluara, evokimin e episodeve historike ose edhe bartjen e heroit në vise e ngjarje të imagjinuara.[11] Kohani, duke bërë fjalë për heroin bajronian, thekson se ai jeton jashtë shoqërisë, lufton kundër saj dhe s’i përfill konvencionet ose ligjet e shoqërisë.[12] Sipas Kohanit, heroi bajronian është ose cub si Gjauri, Seimi e Konradi, ose është “i tepërt” në shoqëri, i braktisur, i dëbuar nga jeta e shoqëria, i shtrënguar të shtegtojë, të kërkojë, të bëjë aventura, të vuajë e të kujtojë. Puhallo arrin në përfundimin se vepra e Bajronit ndikoi në Evropë më tepër se vepra e asnjë shkrimtari tjetër anglez pas Shekspirit dhe se, pos arsyeve të shumta të ndikimit të tij, Bajroni u bë i njohur gjetkë edhe për arsye se shprehja e tij poetike, qartësia dhe shprehja e tij poetike, ishin më të përshtatshme e më të lehta për t’u përkthyer në gjuhë të tjera.[13] Së këndejmi, ai thotë se: “Vepra e Bajronit në domethënien e saj historike dhe ideo­logjike është pjesë e rëndësishme përbërëse dhe e pandarë e mendimit progresiv të Evropës së shekullit XIX”.[14] Lidhur me termin bajronizëm, Gami pohon se ky term gëzoi një popu­llaritet të madh meqë ishte krijuar nga fryma e veprave të para të Bajronit, e atyre veprave që shprehnin gjendjen e dezi­luzionit dhe të brengës, të pakënaqësisë dhe revoltës indivi­duale.[15]

Kadija, më në fund, konstaton se termi bajronizëm, i krijuar nga fryma e veprave të para të Bajronit, gëzon popullaritet të gjerë ngaqë shpreh deziluzionimin dhe melankolinë romantike të lidhur me protestën e individualizimit.[16]

Ndërkaq, bajronizmin do ta përcaktojnë herë në mënyra të ndryshme e herë në një mënyrë të ngjashme studiuesit dhe kritikët anglezë dhe të huaj në studime, monografi, vështrime dhe trajtesa të llojllojshme.

Për Edmond Estevin bajronizmi mund të përcaktohet si individualizim, përbuzje e paepur, absolute. Pos kësaj, Estev shton se me bajronizmin nënkuptohet liria e pacak, flakja e çdo ligji, konvencioni, vënia në qendër të vëmendjes vetveten, spikatja e individualitetit, shndërrimi i unit të heroit, të vetvetes në epiqendrën e botës.[17]

Moris Kastelan, duke e kërkuar esencën e bajronizmit, konstaton: “Në e zbërthefshim bajronizmin në elementet e tij kryesore, atëherë do të shohim se ai përbëhet nga tri apo katër elemente. Elementet kryesore të bajronizmit, sipas Kastelanit, janë mërzia e madhe, melankolia, pikëllimi, zhgënjimi në jetë, skepticizmi, përbuzja ndaj shoqërisë, dashuria fatale dhe bes­nike, misterioziteti.[18]

Zhirmuski, duke bërë fjalë për temat bajroniane, shënon se ato qenë shprehjet artistike më të mira të asaj epoke.[19] Veçoritë kryesore të tematikës bajroniane, sipas Zhirmuskit, janë: fabula romantike, heronjtë e jashtëzakonshëm, përjetimet tronditëse dhe melodramatike, gjestet dhe poza efektive, realiteti ekzotik dhe i veçantë poetik, mbisundimi i heroit në vepër, ngjarja e papritur, portreti statik, bota e posaçme shpirtërore e heroit etj.[20]

  1. Arturo Farinelli do të shkruajë gjerësisht mbi bajronizmin. Idetë bajroniane, sipas tij, i kishin bërë për vete romantikët më të përvuajtur dhe më me përvojë, meqë u përgjigjeshin dëshi­rave, aspiratave, shqetë­simeve dhe brengave të tyre.[21] Atij i drejtoheshin për të mësuar se si fitohet pasioni i madh i zemrës, si duhet vuajtur, si duhet përjetuar dhe shprehur trazimin dhe pikëllimin shpirtëror.[22] Pos kësaj, karakteristikat e tjera të bajro­nizmit janë edhe pasioni i shqetësuar dhe i pangushëlluar i zemrës, pakënaqësia me jetën, shtegtimi, dëshpërimi, dhimbja, vaji, mospajtimi me shoqërinë, konflikti me të, lufta për lirinë individuale, përleshja me despotët dhe shtypësit, sekreti i shpir­tit, fataliteti, guximi dhe qëndresa.[23]

Antonio da Porta shkruan se Bajroni qe mishërimi i kohës së vet. “Kjo, – thotë ai, – qe lavdia dhe përkufizimi i tij”. Së kën­dejmi, sipas Da Portës, duke folur për Bajronin, ne vetvetiu e analizojmë tërë epokën e tij dhe e përcaktojmë romantizmin.[24] Da Porta vë në dukje se heroi bajronian është paralajmërimi i një jete me përpjekje titanike, i një jete drejt një qëllimi të denjë. Aktiviteti i njeriut arrihet në saje të luftës dhe fitores, të revoltës kundër moralit dhe traditës, të çmuarit të vlerave të larta njerë­zore.[25] Karakteristikat e tjera të bajronizmit, sipas Da Portës, janë edhe individualizmi, protesta kundër kanoneve shoqërore, prometheizmi, flakja e moralit të imponuar nga shoqëria, titanizmi, vendimi i prerë për të luftuar për liri, zhgënjimi në jetë, satanizmi, respektimi i të vërtetës dhe i të drejtës, dashuria fatale, braktisja e shoqërisë, brejtja e pashpjegueshme e ndër­gjegjes, trimëria, dashuria ndaj natyrës, vendimi për t’u hak­marrë kundër atyre që e kanë damkosur, katandisur në fat­keqësi dhe ofenduar.[26]

Në studimin e tij të gjerë, Ilija Peroviq vë në pah se disa ndër karakteristikat e përgjithshme të bajronizmit janë: fjalët e zjarrta poetike, gjestet melodramatike, poza autentike individuale, tiranizimi, ndjenja e vetmisë, bota armiqësore, fatalizmi i errët i heroit, e kaluara misterioze e heroit, sfida kundër dhespotëve e tiranëve, satanizmi, revolta kundër paragjykimeve të shoqë­risë dhe adhurimi i lirisë individuale dhe kombëtare.[27]

Leopard Uiljem pohon se në periudhën romantike vetëm Bajroni ia doli mbanë t’i ndiente dhe t’i kuptonte faktet, kushtet, atmosferën e ndërlikuar të trishtimit të botës, cinizmit, revoltës, lirisë dhe shpresës, kështu që, Bajroni, mbi të gjitha, kontribuoi të vendoset në zemrën e Evropës së dërrmuar dhe servile, ndjenjën e dinjitetit dhe lirisë humane, prandaj ai ndihmoi që të krijoheshin fatet artistike, politike dhe shoqërore të kombeve të Evropës.[28]

  1. Mihajllova, ndërkaq, jep një përcaktim mjaft bashkëkohës dhe mjaft të qëlluar të bajronizmit.[29] Duke shkruar për veçoritë e poemave bajroniane, ajo në të njëjtën kohë e shkoqit edhe bajronizmin.[30] Sipas saj, poemat e shkruara në frymën e bajronizmit kanë këto karakteristika: Në epiqendrën e poemës së shkruar me frymë bajroniane është i pra­nishëm përherë kryengritësi i shqetësuar dhe i vetmuar i cili bie në kon­flikt me fatin dhe njerëzit; heronjtë e poemave të këtilla, në të shumtën e rasteve, janë njerëz të cilët e kanë braktisur shoqërinë, janë cuba ose kusarë, të dëbuar, endacakë ose edhe të arrestuar e të dënuar të dergjën në burg dhe të luftojnë për liri; në këtë mënyrë spikatet mospajtimi midis heroit dhe rrethit të tij. Një gjë e këtillë mundëson që të dalin në spikamë disponimet dhe idetë bezdisëse, liridashëse dhe hakmarrëse të heroit; në poemën e shkruar në frymën e bajronizmit, një rëndësi të madhe e kanë përjetimet e brendshme emocionale të heroit, pasionet e rrëmbyeshme dhe përsiatjet e hidhura të tij; në një poemë të tillë, përshkrimi i ngjarjeve zë më pak vend, ndërsa vendin e parë e zënë gufimet e rrëmbyeshme të ndjenjave dhe të mendimeve; ngjarjet në poemën e Bajronit marrin një theks mjaft të ashpër, madje edhe të përgjakshëm, ngaqë kontradiktat midis heroit dhe realitetit s’mund të zgjidhen dot, kurse fati i heroit është tragjik; gjuha e poemës nëpërmjet së cilës rrëfehen përjetimet e vrullshme të papritura dhe të ndërlikuara është një gjuhë tronditëse dhe e lartë; në pajtim me karakterin e rrallë, të rreptë dhe krenar të heroit të poemës, ngjarja e saj, nga kushtet reale bashkëkohëse, transferohet në një botë të përfytyruar, legjendare, qoftë në viset piktoreske jugore ose lindore, qoftë në largësitë madhështore të historisë.[31]

Për Robert Eskarpin bajronizmi është një fakt shoqëror dhe psikologjik, meqë krijuesi i bajronizmit, Bajroni, qe një njeri tërësisht i epokës së vet dhe, qoftë me vepër poetike, qoftë me aksione, ai kërkoi përgjigje për brengat që e trazonin në shoqë­rinë e përçarë dhe me shkrime u bë iniciator i asaj që sot e quajnë “letërsi e angazhuar”.[32]

Ivo Hergeshiq, duke bërë fjalë për bajronizmin, vë në dukje se “me kohë u krijua epiteti bajronik, që do të thotë i ngjashëm me Bajronin dhe poezinë e tij, por edhe rëndësinë dhe menta­litetin e tij. Të sillesh në mënyrë bajronike do të thoshte ta përbuzësh moralin konvencional i cili gjithnjë është hipokrit, të luftosh kundër hipokrizisë së çdo lloji, ta provokosh fatin duke e ndier veten të njollosur dhe të predestinuar për një fatkeqësi tragjike”.[33] Hergesiq pohon se bajronsitët përpiqeshin të visheshin si Bajroni, ta kishin pamjen e tij, të shikonin si ai, ta merrnin arratinë nga shoqëria e tyre e të vënin në shoqërinë e njerëzve të pacivilizuar, ekzotikë, të marrin poza bajroniane, të sillen si ai, të shtegtojnë, të maskohen si ai dhe, në fund, të jenë të gatshëm të luftojnë deri në fund për idealin e jetës.[34] Bajroni dhe heronjtë e tij, të gjithë heronjtë e tij janë variante të pada­llueshme të atij tipi si e imagjinonte veten poeti, janë misteriozë dhe trima, të ngrysur, të padisponuar dhe me rrebe, cinikë dhe të pabesueshëm, jashtëzakonisht krenarë por, në shpirt, të mjerë. Është cilësi bajronike të përbuzësh të afërmin, por edhe të sakrifikohesh për të në e lyptë nevoja, të bëhesh hakmarrës i paepur, por edhe i zoti që ta ndiesh besnikërinë e thellë dhe të fuqishme.[35]

Pol Van Tigei, me sa dihet, e karakterizon bajronizmin në mënyrë mjaft të qartë.[36] Bajronistët, sipas fjalëve të Van Tigemit, formojnë një familje morale dhe letrare prej njërit e deri në skajin tjetër të Evropës. Pos kësaj, bajronizmi është një ndër aspektet më karakteristike të roman­tizmit interier. Ky studiues vëren se bajronizmi shfaqet herë si gjendje shpirtërore dhe herë si modë letrare dhe se për ta shkoqitur bajronizmin si duhet, duhet të sqarohen më parë elementet e ndryshme të bajroni­zmit. Disa nga elementet kryesore të bajronizimit janë të lidhura me prestigjin personal ndaj njeriut të quajtur Lord Bajron dhe ndikimi që ushtron një njeri i tillë në gjeneratat e romantikëve me idetë e tij intelektuale dhe morale.[37]

Elementet më të rëndësishme të bajronizmit, sipas Van Tigemit, janë:

  1. Tipi i heroit romantik me cilësitë e vet Bajronit;
  2. Veçoritë dhe tiparet satanike, don zhuaniane dhe faustiane të heroit;
  3. Qëndrimi kryelartë dhe përbuzës i heroit kundrejt opinio­nit vulgar, provokues si dhe kundrejt paragjykimeve dhe stig­matizimeve morale;
  4. Shpirti krenar i heroit të poemës, jo vetëm që është i pam­poshtur, por shoqërohet nga rreziku, nga e papritura;
  5. Heroi bajronian është i pasionuar për lirinë në kuptimin e gjerë të fjalës, është plot sinqeritet, i gatshëm të tretet me gjithë­sinë;
  6. Heroi bajronian ka zemër delikate dhe skofiare, zemër që ëndërron dashurinë e përjetuar, por zemër e cila është fyer dhe lënduar nga mashtrimet e padrejtësitë;
  7. Disponimi i heroit mund të jetë i pajisur edhe me mllef, dëshpërim, urrejtje, etje për hakmarrje, meqë fati apo dikush tjetër e ka detyruar atë dikur që ta pijë kupën e helmit;
  8. Heroi baronijan mund të jetë edhe plot e përplot entu­ziazëm e galdim ngandonjëherë, në mënyrë që herëve të tjera të jetë hokatar e cinik, lozonjar dhe i trishtuar;
  9. Stili i poemës është i guximshëm, i posaçëm, poetik, elo­kuent, sarkastik, herë me theks deklamues e herë me detaje të rralla;
  10. Heroi është herë mizantrop dhe herë vetjak, por ka një filozofi të zhgënjyer, demoralizuese, e cila nga fundi i veprës bëhet një filozofi panteistike, antireligjioze dhe nostalgjike ndaj idealit të aspiruar.[38]

Van Tigemi shkruan edhe për karakteristikat e bajronistëve. Ai konstaton se bajronistët, të shumtën e herës, ishin poetët ose shkrimtarët e rinj, disa ndër të cilët kishin pamje elegante, por të zhgënjyer, të tjerët ishin të dëshpëruar me gjendjen e tyre të mjerë ku ishin katandisur dhe, më në fund, disa prej tyre ishin të marrë në qafë nga shoqëria, bota ose njeriu.[39]

Së këndejmi, disa bajronistë i josh aspekti eksterier i veprës bajroniane. Të tillët ëndërronin për dekore orientale, përjetime misterioze, dashuri të zjarrtë, femra me besnikëri ideale, cuba dhe kusarë të revoltuar, të ndershëm ose fisnikë. Këta bajro­nistë ishin të magjepsur me kallëzimet orientale. Mirëpo, disa bajronistë të tjerë, sipas të gjitha gjasave, parapëlqenin ta merr­nin hijen dhe pamjen e zhgënjyer, por kryelartë dhe cinikë të Bepos ose të Don Zhuanit. Edhe ndaj këtyre jeta s’kishte qenë fisnike dhe dashamirëse. Dhe, më në fund, ishte pala tjetër e bajronistëve, edhe më specifike, ku bënin pjesë bajronistët e fyer po edhe të paepur në jetë, plot e përplot skepticizëm, të dëshpëruar e të pezmatuar sa s’thuhet ndaj shoqërisë, njeriut dhe perëndisë, të cilët pëlqenin të merrnin poza Manfredash ose edhe Kainësh.[40] Rëndomë bajronistët ishin njerëz të rinj, elegantë, pothuaj ngaherë të zhgënjyer në jetë, ndërsa disa baj­ronistë ishin të mjeruar nga fatkeqësia ose varfëria e tyre. Kishte edhe aso bajronsitësh të cilët jeta i kishte shndërruar në njerëz fatmjerë dhe në viktima.[41] Sa i përket sjelljes së tyre, bajronistët zakonisht orvateshin të visheshin si Bajroni, të maskoheshin si luftëtarë ekzotikë, të shtegtonin diku larg, të agjëronin në rast nevoje, meqë dikur Bajroni kishte agjëruar dhe pirë sodë, të çalonin si Bajroni, por nga Bajroni u dalluan shumica e tyre në çështjen e idealit. Ndërsa Bajroni për kauzën e idealit të lirisë greke, shkoi dhe e vuri jetën në rrezik. Ndër bajronsitët rrallë do të gjejmë raste të tilla.[42]

Karakteristikat kryesore të bajronsitëve, sipas Van Tigemit, janë këto:

  1. Bezdia dhe shqetësimi i pareshtur;
  2. Pyetjet që rëndom mbeten pa përgjigje;
  3. Melankolia dhe përmallimi, që të shpeshtën e herës shndërrohen në demoralizim;
  4. “Sëmundja e shekullit”, pikëllimi në jetë, mërzia nga jeta;
  5. Egocentrizmi, herë-herë i shndërruar në narcisoidëm;
  6. Përbuzja e shoqërisë dhe e njerëzisë në përgjithësi, meqë damkosjen e kanë marrë nga ata;
  7. Kërkimi i vetmisë, ku do të mund ta përkujtojnë superioritetin e tyre e të qajnë hallin dhe fatkeqësinë e tyre;
  8. Qëndrimi armiqësor ndaj opinionit të kohës e të rrethit prej nga kanë dale;
  9. Qëndrimi armiqësor, përbuzës dhe hakmarrës ndaj paragjykimeve shoqërore dhe morale;
  10. Dëshira dhe aspirimi ndaj një lirie të pacak e të pakufi.[43]

Në të shpeshtën e rasteve, pos këtyre karakteristikave, bajro­nsitët na shfaqën të kapërthyer nga flaka e dashurisë fatale, unike dhe demoniane, ose i gjejmë duke shtegtuar viseve të egra, majave të thepisura, trevave të tmerrshme ose, tekefundit, paraqiten si njerëz të revoltuar dhe kryengritës, mes cubash apo kusarësh, ngandonjëherë edhe në ballë të tyre, duke i shpallur luftë e sfidë vdekjeprurëse autoritetit politik, religjioz, tiranit apo despotit.[44]

Elementet e bajronizmit dhe karakteristikat e bajronsitëve të ndryshëm u shfaqën në një sërë letërsish romantike, të vendeve të ndryshme të Evropës, madje edhe në Amerikë. Por, ele­mentet, veçoritë dhe karakteristikat e bajronizmit dhe të baj­ronistëve s’u shfaqën njëkohësisht në të gjitha letërsitë dhe s’u paraqitën në të njëjtën mënyrë në çdo letërsi.

Sa iu përket gjurmëve të para të bajronizmit në letërsinë tonë, ato duhet t’i kërkojmë më parë, përtej Adriatikut, në letërsinë arbëreshe të Rilindjes sonë kombëtare.

Vijon nga numri i 22 i revistës “Akademia”.

Vazhdon në numrin e ardhshëm, të 24-in.

 

[1] Tvrtko Ćubeliq, Književni Leksiokon, Zagreb, 1972, f. 71-72

[2] Aty f. 71

[3] Aty f. 72

[4] Kratkaja Literaturnaja Enciklopedija, glavni redactor A. A. Surkov, Moskva, 1962, f. 409

[5] Aty f. 409

[6] Guy E. Smith, English Literature, volume II, Totowa, New Jersey, 1969

[7] Aty f. 37

[8] David Daiches, A Critical History of Engish Literature, Volume II, London, 1963, f. 922

[9] Emile Legouis and Louis Cazamian, A History of English Literature, London, 1967, f. 1045

[10] Aty f. 1046

[11] Aty f. 1049

[12] P. S. Kohan, Istorija zapadnoevropske Književnosti, Sarajevo, 1957, f. 297

[13] Dušan Puhalo, Istorija Engleske Književnosti, XVIII veka i Romantizma, Beograd, 1966, f. 226

[14] Aty f. 227

[15] N. Gami, Letërsia e huaj, romantizimi, Tiranë, 1971, f. 16

[16] Refik Kadija, A History of English and American Litera, Tiranë, 1971, f. 126

[17] Edmond Estev, Byron et le Romantisme Français, Paris, f. 4

[18] Maurice Castellan, Byron, Paris, 1931, f. 18

[19] V. Zhirmunskij, Bajron i Pushkin, S. Petersburg, 1924, f. 15

[20] Aty f. 20-55

[21] Arturo Farinelli, Byron e il Byronismo, Bologna, 1924

[22] Aty f. 50-79

[23] Aty f. 90-110

[24] Antonio Da Porta, Byronismo Italiano, Milano, 1924, f. 15

[25] Aty f. 200-302

[26] Aty f. 316.

[27] Ilija M. Petrovic, Lord Bajron kod Jugolovena, Požarevac, 1931, f. 162

[28] William E. Leonard, Byron and Byronism in America, New York, 1964, f. 10

[29] E. Mihajllova, M. I. Ljermontov, në Proza, Beograd, 1948, f. XXI

[30] Aty f. XXI

[31] Aty f. XXI-XXII

[32] Robert Escarpit, Lord Byron. Un Temperament Litteraire, Paris, 1955, f. 17

[33] Ivo Hergesic, Byron, Bajronisti i Bajronizam,Byron, Childe Harold, sengleskog preveo Danko Angjelinovic, Zagreb, 1965, f. 248

[34] Aty f. 248

[35] Aty f. 249

[36] Paul Van Tieghem, Le Romantisme dans la Litterature europeenne, Paris, 1969, f. 245

[37] Aty f. 245

[38] Aty f. 245-248

[39] Aty f. 246

[40] Aty f. 246

[41] Aty f. 247

[42] Ivo Hergesić, Byron, Bajronisti i Bajronizam,Byron, Childe Harold, Zagreb, 1965, f. 255

[43] Paul Van Tieghem, vep. e cit., f. 247

[44] Aty f. 247-24

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
George Orwell Kur mendon për Krishtlindjet vetvetiu mendon për Çarls…