
Çfarë dihet për vrasjen e boksierit shqiptar në Gjermani?
Të shtunën në mbrëmje Besar Nimani u vra me armë zjarri në Bielefeld të Gjermanisë. Sipas dëshmitarëve okularë, një grup burrash i janë afruar viktimës përpara ta qëllonin. Ai ka vdekur nga plagët e marra në vendngjarje.
Grupi i personave që qëlluan janë në arrati. Dëshmitarët i thanë Radio Bielefeld se ishin në një kafene në Obernstrasse përpara se të kryenin krimin, ndërkohë që viktima kishte dalë nga një parkueri kur u qëllua.
Besar Nimani, 38-vjeçar, edhe në vitin 2013 ishte viktimë e një sulmi të tillë, në atë kohë ai u qëllua në një qebaptore në kryqëzimin e Feilenstrasse dhe Bahnhofstrasse. Ai kishte marrë plagë në kofshë dhe gju.
Nimani ishte me origjinë kosovare-shqiptare, në vitin 1997 ai u zhvendos në Bielefeld. Ai fitoi titullin evropian në peshën e mesme të lehtë dhe humbi vetëm një herë në karrierën e tij profesionale.