Çfarë Kosove duam?

24 korrik 2019 | 21:49

Jo nesër, tani është momenti

Fati i Kosovës i ngjante një stofi të padhembshëm në duart  e rrobaqepësit hileqar e shpirtzi, i cili  nuk e kishte problem të përdorte gërshërët vend e pavend. Prandaj, në të gjitha tavolinat diplomatike, Kosova doli e përgjakur nga gërshërët mizore të konferencave ndërkombëtare, duke e sakatosur në palcë trungun e madh iliro-arbnor.

Nga Mehmet Prishtina

Kosova është shumë  e vogël për të vuajtur kaq gjatë pasojat e mosndryshimeve. Nëse dikush mendon se ndryshimi vjen nga jashtë,  e ka shumë gabim. Ndryshimi vjen nga ne. Madje, pikërisht tani është koha që të fillojmë ta ndryshojmë veten dhe duke e ndryshuar veten, ne i ndihmojmë vendit të tejkalojë pengesat që e vështirësojnë zhvillimin dhe përparimin e tij.

Thelbi i të gjitha ndryshimeve është mendësia. Sociologjikisht, mendësia ndjek ligjësitë e evolucionit, pra një ndryshim që vjen ngadalë dhe gjithë ata që parapëlqejnë ndryshime të shpejta, janë revolucionarë. Në fakt, s’ka asgjë të keqe prej revolucioneve, por ato në histori ndodhin rrallë dhe i japin shoqërisë dinamizëm për ndryshime rrënjësore. Pastaj, revolucionarët zëvendësohen nga njerëzit e dijes e punës.

Në Kosovë ka ndodhur një revolucion para njëzetë viteve, mirëpo evolucioni i ndryshimeve po ndodhë ngadalë. Është krijuar një sistem i betonuar politik e shoqëror, i cili nuk lë hapësirë për alternativë. Nuk lë hapësirë për  kthjellim të mendjeve, sepse revolucioni është shndërruar në uzurpim, kurse ndryshimi ka ndodhur vetëm brenda kastave politike, pa ndonjë kreativitet apo risi.

Ekziston një bindje gati e përhapur gjithkund se në Kosovë nuk mund të ndodhin ndryshimet. Nuk është e vërtetë që nuk mund të ndryshosh jo vetëm politikën dhe kahen e zhvillimit të shtetit, por edhe liderët tashmë të stërvjetëruar, jofunkcionalë joprofesional dhe të  përfolur në qindra afera kriminale, korruptive, nepotiste e çka jo tjetër.

Shoqëritë më të zhvilluara kanë kaluar nëpër trajta të ndryshme transformimesh politike e sociale dhe secili vend i ka specifikat e veta të adaptimit të nevojave për zhvillim dhe rrethanave në të cilat ndodhen.

Kosova që historikisht njihej si kërthiza  e Dardanisë, e cila para tri dekadave ishte edhe pjesë e ish Federatës Jugosllave, gjithmonë ka qenë në vijat e zjarrit nëpër hartat gjeopolitike.

Dyndjet sllave nga verilindja, pushtimet e njëpasnjëshme të ardhacakëve të rinj e të vjetër, bënë që konfigurimi i saj etnik e demografik të pësojë transformime, por në thelbi gjithmonë mbeti konstant – elementi shqiptar u ruajt dhe u trashëgua brez pas brezi dhe shqiptarësia e Kosovës asnjëherë nuk pati nevojë të dokumentohet. Vetë prania materiale e shpirtërore e shqiptarësisë ishte e mjaftueshme për të bartur informacionin historik të autoktonisë nga thellësia e shekujve deri në ditët e sotme.

Tani, çka është e rëndësishme të veçojmë kur është në pyetje vazhdimësia etno-psikologjike dhe sfidat që kaloi Kosova për t’i përballuar vështirësitë që i imponoi historia.

Në radhë të parë, Kosova në të kaluarën, duke filluar nga epokat romake e bizantine, e më vonë, turke  e sllave, asnjëherë nuk ishte në gjendje të imponojë zgjidhje që ishin të pranueshme për interesat  e veta jetike.

Zgjidhjet gjithmonë i bënë të huajt, madje edhe nëpër konferenca e forume ndërkombëtare, kurse Kosova u deshtë t’i vuaj pasojat e dëmshme të atyre zgjidhjeve.

Mjafton të bëjmë një retrospektivë të shkurtër dhe do të shohim se fati i Kosovës i ngjante një stofi të padhembshëm në duart  e rrobaqepësit hileqar e shpirtzi, i cili  nuk e kishte problem të përdorte gërshërët vend e pavend. Prandaj, në të gjitha tavolinat diplomatike, Kosova doli e përgjakur nga gërshërët mizore të konferencave ndërkombëtare, duke e sakatosur në palcë trungun e madh iliro-arbnor. Harta e Kosovës i ngjante një lëkure të leckosur që kullonte gjak nga therja nëpër sallonet diplomatike europane.

Por, fati i Kosovës pati edhe yllin e vet shndërritës. Kjo ndodhi në vitin 1999, atëherë kur Aleanca e fuqishme Veriatlantike (NATO) e udhëhequr nga koalicioni i madh Perëndimor, në krye me SHBA, ndryshoi përgjithmonë kursin dhe qasjen ndaj Kosovës, duke ia kthyer asaj pengun e madh të padrejtësisë historike dhe duke e shndërruar këtë ndërhyrje, me mbështetjen edhe tokësore të UÇK-së së lavdishme,  në kauzë jo vetëm humanitare, por edhe liridashëse për një popull të tërë.

Prandaj, ne saherë që i kthehemi historisë, e kemi patjetër të kujtojmë ata që na ndihmuan kur e kishim më së vështiri, por edhe korifenjtë e mendimit dhe veprimit politik shqiptar, që amzën e frymëzimit e kishin në platformën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Njëri nga ta, dhe mbase më i rëndësishmi, ishte edhe Hasan Prishtina, i cili  u rrit dhe u zhvillua me idenë e krijimit të një hapësire kompakte kombëtare, përmes një sovranitetit dhe integriteti  të plotë që do të buronte nga interesat e shqiptarëve dhe gjithë atyre që do të bashkëjetonin me ta.

Për gjeneratat e tanishme është shumë e rëndësishme të krijohet një kulturë e absorbimit të vlerave më sublime nga kjo plejadë ideologësh kombëtarë, duke e marrë Hasan Prishtinën si model të ndryshimit dhe zhvillimit social, politik  e kulturor.

Pa një model të mirë nga e kaluara, nuk mund të kemi një vizion të pastër për të ardhmen.  Është momenti të ndryshojmë faqen e fatit të vendit tonë dhe me tërë fuqitë që kemi ti drejtojmë drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euro atlantike.

Është koha të tejkalojmë naivitetin e lidhjes emocionale me çfarëdo politikani që deri sot ka bërë vetëm premtime boshe dhe vendi jo që nuk është zhvilluar por ka ecur mbrapa.

Koha e ciklonit të ndryshimeve të mëdha ka ardhur, nuk është e vërtetë që nuk mund të ndryshojmë gjërat e edhe fatin e vendit tonë, por duhet te fillojmë me ndryshimin e vetes to. Sidomos rinia jonë e mrekullueshme, duhet të prijë me ide më radikale për kapërcime nga letargjia në veprime konkrete. Të rinjve duhet t’iu lejojmë që t’i ndezin “motorët” e fuqisë së ndryshimeve.

Motoja e këtyre ideve duhet të rrumbullaksojë idealin e gjithë heronjve e kolosëve tanë kombëtarë, duke formuluar gjithë këtë angazhim në një moto: ‘Nuk duam më të jemi robër të politikave të stërvjetëruara ballkanike, figura shahu dhe lojërash sa herë afrohen zgjedhjet, duam që fëmijëve tanë tu lëmë buzëqeshje të vërtetë, entuziazmin e punës dhe krenari në vendin e tyre jo mendimin e braktisjes së vendlindjes’.

Kjo do të mund të arrihej nëse krijohen mundësitë e zhvillimit intelektual e njerëzor,  duke flakur dhunën psikologjike dhe mentalitetin e robit, që e kanë instaluar partitë politike, të cilat punësimet edhe më të thjeshta i kanë kushtëzuar me anëtarësime partiake.

Kjo tifozeri që buron nga mentaliteti despotik i partive, duhet njëherë e përgjithmonë të largohet nga sjellja jonë politike e qytetare.

Kosova nuk është aq e madhe dhe e fuqishme sa të durojë mbi supe gjithë këtë despotizëm partiak, prandaj është koha që të fillojmë nga vetvetja dhe të bëhemi shembuj të ndryshimeve.

Në botë ka shumë shembuj të ndryshimeve të mëdha në të gjitha aspektet e zhvillimeve shoqërore, ku popuj e shoqëri kanë mundur ta ndryshojnë vet fatin e tyre. Të ecin me hapa të mëdhenj dhe të sigurt duke ndërtuar të ardhmen për gjeneratat që pasojnë.

Mjaftojnë shembujt e ish republikave sovjetike? Letonisë, Lituanisë e Estonisë, sa larg kanë ikur nga ish shtetet tjera socialiste.

Edhe më afër, pavarësisht aferave të shumta korruptive, sa larg nesh kanë shkuar Maqedonia e Veriut, sidomos Mali i Zi e mos të flasim për Kroacinë e Slloveninë.

Një shembull tjetër është edhe Rumania. Kur para pak kohësh qindra-mijëra njerëz vërshuan rrugëve e Bukureshtit dhe qyteteve tjera që të shprehin indinjatën dhe refuzimin e tyre për nivelin e lartë të korrupsionit në të gjitha nivelet e shtetit rumun.  Si pasojë e revoltës qytetare në këtë shtet, filloi një luftë e ashpër kundër korrupsionit.

Nëse të gjitha këto vende gëzojnë frytet e ndryshimeve që i iniciuan njerëzit e ndershëm e të guximshëm, pse kjo të mos ndodhë edhe në Kosovën tonë.

Pse të mos bëhemi madje shembull i rajonit me sjelljen e risive në menaxhimin e resurseve ekonomike e zhvillimore.

Me instalimin e një sistemi të pavarur e profesional të drejtësisë.

Me nxitjen e sipërmarrësisë së lirë tek njerëzit e diplomuar brenda e jashtë, pa pasur ata nevojë të japin ryshfet për të hapur biznese.

Me standardizimin e kritereve e kushteve europiane në shëndetësi, me çka do të ndërpritej shkuarja e pacientëve tanë nëpër klinikat e shteteve fqinje.

Me stabilizimin e sistemit arsimor, duke flakur nga procesi instalacionet klienteliste që në vend se të prodhojnë votues dhe të papunë fiktivë, duhet të sjellin vlera që i nevojiten tregut dhe nevojave të përgjithshme zhvillimore.

Me të gjitha pasuritë natyrore që ka Kosova, mund të ishte vërtetë një oazë e zhvillimit, një vend që do t’ia kishin lakmi jo vetëm fqinjët.

Ikja e investitorëve të huaj, zhvatja a atyre pak bizneseve të huaja, që realisht më shumë janë bashkëqytetarë tanë nga vende të ndryshme të botës, e ka bërë qytetarin të humbas besimin jo vetëm në shtet por edhe në vet veten.

Nëpër botë sot ka shumë emra të shquar shqiptarësh nga Kosova që gëzojnë respekt në vendet e tyre të punës si mjekë, avokatë, inxhinierë, arkitektë etj. Ndërkohë që kapaciteti i tyre intelektual e profesional fare nuk shfrytëzohet aktualisht për nevojat e vendit tone, ndonëse çdo njëri prej tyre denjësisht do të mund të ishte edhe ambasador i Kosovës në vendin ku jeton e banon. Në vend se të ndodhë kjo, ne sot kemi (me pak përjashtime) plot raste që përfaqësuesit tanë diplomatik janë më tepër militant partiak, se sa profesionist, më tepër përfaqësojnë interesat klanore e partiake, se ato të shtetit të Kosovës.

Ne ekzaltohemi kur dikush i yni arrin ndonjë sukses në emër të shteteve tjera siç është rasti i para pak ditëve me Alba Kokollarit, e cila u zgjodh deputete e Parlamentit Europian, por si Suedeze. Është e dhimbshme që Alba, mbesa e Musine Kokollarit dhe shumë Alba të tjera, sot injorohen nga politikat e vendeve tona, por ato nderohen dhe çmohen shumë nga vendet mikpritëse.

Politika jonë ka mendjen te daja, miku, nipi, mbesa apo ai militanti që mbledh një grusht vota  e që shumica as që e kanë idenë e ndërtimit të shtetit dhe duhet ti emërojmë ambasador, ministra, zv/ministra, shefa e zëvendës shefa dhe pastaj bëhemi sikur i gëzohemi të arriturave të bashkëkombësve tanë në botë.

Çka është mjaft, është mjaft. Është tepruar madje! Kupa është mbushur dhe derdhur madje!

Ka ardhur koha të zgjedhim me gjithë forcën e personalitetit tonë të pavarur për vendin dhe të ardhmen tonë.

Ka ardhur koha ta nxjerrim Kosovën tonë nga kjo letargji dydekatëshe dhe secilit t’ia ofrojmë shansin që të bëjë punët që di dhe mundet më së miri.

Logjika e bajraktarizmit dhe komandantizimit duhet të marrë fund dhe duhet të fillojë epoka e njerëzve të ditur, që nuk e kanë vetveten në fokus, por interesin e atdheut.  

Këtë përsiatje timen do ta përmbyllja me një thënie brilante të politikanit të madh anglez Winston Churchill, sipas të cilit ‘politika është aftësia për të parashikuar se çfarë do të ndodhë nesër, javën e ardhshme, muajin e ardhshëm dhe vitin e ardhshëm. Dhe më pas, të kesh aftësinë për të shpjeguar pse nuk ndodhi’.

Te ne të gjithë premtojnë, por askush nuk jep llogari se pse nuk ndodhi ajo që u premtua. Prandaj është koha e fundit që këtë rasë politikanësh ta zhdukim përgjithmonë nga listingu i preferencave elektorale.

Jo nesër. Tani është momenti!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka rikujtuar kohën…