Çfarë pritet të dëshmojë Clarku?
Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Misetiq, e bëri një përmbledhje të asaj çfarë pritet të dëshmojë gjenerali në pension amerikan, Wesley Clark.
Ai pritet të thotë se asnjë person në zinxhirin komandues të NATO-s nuk kishte marrë ndonjë informacion se konflikti i armatosur kishte vazhduar pas qershorit 1999.
Ai gjithashtu do të përshkruaj se ishte i vetëdijshëm për valën e dhunës në verën e vitit 1999, pas kthimit të refugjatëve të Kosovës, dhe ia atribuon dhunën faktorëve të ndryshëm, përfshirë urrejtjen, hakmarrjen, gjakmarrjet dhe bandat kriminale.
Gjenerali Clark nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ishte e angazhuar në një përpjekje të koordinuar për të shënjestruar dhe sulmuar serbët apo pakicat, dhe as se Thaçi kishte ndonjë motiv të posaçëm për t’u angazhuar në një sjellje të tillë.
Clark do të përshkruajë ndërveprime të ndryshme që ai kishte pasur me UÇK-në, me delegacionin kosovar në Rambuje dhe me Thaçi konkretisht.
Ai do të dëshmojë se nuk e shihte UÇK-në si një organizatë të integruar mirë, nga lart-poshtë, me ndonjë strukturë funksionale komanduese apo kontrolli.
Clark do të tregojë se kishte vërejtur mungesën e kontrollit që Thaçi kishte mbi UÇK-në dhe se ai ishte vetëm një figurë politike pa përvojë ushtarake, me ndikim të kufizuar mbi luftëtarët e UÇK-së.



