
Çfarë thoshte para disa vitesh Bujar Bukoshi për Albin Kurtin…
Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në mërgim dhe politikan i rëndësishëm i vendit, ka vdekur të martën në moshën 78-vjeçare. Për ndarjen e tij nga jeta kanë reaguar figura të larta publike vendore e të rajonit, duke e kujtuar si njeri punëtor e politikan i rafinuar.
Për Bukoshin, telegram ngushëllimi ka lëshuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, por jo edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një intervistë të zhvilluar në tetor të vitit 2022, Bukoshi kishte folur për Kurtin.
”Armiku më i madh i Albin Kurtit është Albin Kurti para fitores, ai që nuk e njihte Republikën dhe pavarësinë”, kishte thënë ai.
Intervista në vijim:
Zoti Bukoshi, qeveria e Kosovës po përballet me presionin në rritje të bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Hezitimet janë të qarta, po ashtu dhe paralajmërimet e bashkësisë ndërkombëtare. A do të dëshironit të ishit në pozitat e Albin Kurtit në këto momente?
Nuk di të them, nëse do të dëshiroja të isha në pozitat e tij, pasi kam kohë që nuk kam më asnjë emocion nga postet politike, por di të them që kur e kemi nisur këtë punë, kemi qenë në anën tjetër të barrikadës. Ishim ne që i luteshim bashkësisë ndërkombëtare të na hapte dyert, të na priste, të na dëgjonte që t’i shpjegonim se çka ishte puna e Kosovës dhe çfarë ishte projekti dhe vizioni ynë.
Në fund të viteve 80, Kosova ishte një bezdi për diplomacinë ndërkombëtare. Ajo bile përtonte edhe të na dëgjonte. Në vitet e 90 kur ne u përpoqëm t’i imponohemi me vetorganizimin tonë politik, kishim përballë një mur indiference, që të trishtonte dhe që u thye fal rezistencës sonë dhe natyrisht për shkak të krimeve të përgjakshme të Serbisë në Ballkan. Edhe sot më ndrydhë ai trishtim për pafuqinë tonë në atë kohë por më bën edhe krenar që i përballuam ato sfida.
Tani është lehtë të sillesh sikur e kemi ne në dorë fatin e SHBA apo Bashkimit Evropian në Ballkan. Por është e rëndë dhe gabim që nuk falet t’ia bësh këtë një vendi, i cili është gjallë fal Perëndimit. Në këtë aspekt, duke thënë këtë, mendoj se Kryeministri i Kosovës, duhet të respektojë të shkuarën e Kosovës historinë e shtetformimit të saj dhe jo të sillet sikur Kosova është shtet i themeluar as dy vjet të plota më parë kur ka ardhur ai në pushtet. Historia nuk fillon nga e para sa herë dikush bëhet kryeministër në këtë vend. E di se fenomene të ngjashme ka pasur edhe përpara, por të pretendosh sot se kjo ne qenka qeveria më e mirë në Ballkan, është të shohësh ëndrra në diell, ose të bësh Mynhauzenin…
-A jeni në dijeni të ofertës së fundit të Marrëveshjes nga pala gjermane që mbështetet dhe nga SHBA?
-Jo nuk jam në dijeni, por arrij ta marr me mend se është një nga ato përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar klimë besimi tek firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare. Ajo që duhet të bëjë qeveria e Kosovës, është të zhvishet nga demagogjia populiste dhe të jetë transparente me publikun duke thënë se çfarë ka në favor dhe çfarë nuk ka në favor Kosova në këtë moment, pra siç thuhet “ku është qari dhe ku zarari”… Ata që tani për tani janë në krye të punëve nuk duhet të sillen si njerëz që kanë lindur vetëm të fitojnë. Duhet të sillen si njerëz që po luftojnë dhe kur lufton edhe mund të pësosh diçka. Mund ta humbësh ndonjë betejë, por s’bën ta humbësh luftën.
Shikoni Serbinë nga ana tjetër. Ka sjellje krejt të kundërt. Ulërin dhe klith sikur ta rrahësh qenin, në stilin “ooo, mbaruam”, se gjoja po e shkatërrojnë me marrëveshjen e ofruar, a në fakt nuk i ka aq keq punët nga ajo marrëveshje. Por në finale e menaxhon reagimin dhe i adaptohet marrëveshjes.
Një fshatar i moshuar i imi, pa asnjë fakultet, as master të kryer, më thoshte: biri im mos i beso shkijeve se shkau edhe kur të fut përfundi dhe të prish dajak, bërtet dhe thërret “më ndihmoni se më mbyti shiptari”. Politikanët tanë dhe pushtetarët sillen sikur kanë lindur të fitojnë jo vetëm mbi Serbinë, por dhe mbi Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se e zgjata pak përgjigjen time…
–Sa ndikon në këtë situatë fakti që Kurti e ka fushën e zbrazët nga kundërshtarët e tij të fortë që janë në Hagë.?
Kurti nuk e ka betejën me shqiptarët. E ka me Serbinë dhe punën herkuliane ta bindë Bashkësinë ndërkombëtare. Shqiptarët ia kanë dhënë atij një mandat ta përmbyllë këtë punë. Ai nuk mund të abuzojë me faktin që nuk ka kundërshtarë të fortë. Armiku më i madh i tij tani është vet ish Albin Kurti i para fitores. Ai që nuk njihte Republikën, pavarësinë, dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës. Tani ky Albin Kurti kryeministër duhet “të vrasë” së pari Albin Kurtin opozitar e pastaj të mendojë si t’i mundë kundërshtarët e tjerë. Dhe nuk është aq e lehtë të vrasësh vetveten. Dhe ajo do një farë burrërie.