Çfarë zbulon IKD për korrupsionin që nuk po gjykohet?
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi dje raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, duke prezantuar gjetjet kryesore për trajtimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të 2025-s.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se vijon të mbetet problem fakti që zyrtarët e profilit të lartë rrallë akuzohen gjatë kohës sa mbajnë pozitat zyrtare. Nga 11 të akuzuarit gjatë periudhës së analizuar, vetëm 27.2% janë akuzuar gjatë ushtrimit të funksionit, ndërsa shumica pas largimit nga detyra. Në nëntëmujorin e parë të 2025-s, 3 nga 4 zyrtarë janë akuzuar për detyrat aktuale, për dallim nga viti 2024, kur të gjithë 7 të akuzuarit ishin ish-zyrtarë.
Sipas Shalës, Prokuroria e Shtetit ka shënuar regres në menaxhimin e lëndëve, duke pranuar më shumë raste sesa ka arritur të përfundojë. Ai theksoi gjithashtu mungesën e përkushtimit në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar: vetëm 19% e aktakuzave të analizuara përfshinin kërkesë për sekuestrim, ndërsa në 81% të rasteve një kërkesë e tillë ka munguar.
Prokuroria gjithashtu po përballet me rritje të ngarkesës: nga 583 raste në fillim të 2024-s në 880 raste në shtator 2025, me numër të përgjithshëm të personave të përfshirë që ka arritur në 2232.
Nga ana tjetër, përfaqësues të gjyqësorit paraqitën një tablo më pozitive. Gjykatësi i Supremes, Afrim Shala, tha se gjykatat kanë arritur efikasitet mbi 100% në trajtimin e rasteve të korrupsionit, falë prioritizimit të këtyre lëndëve. Po ashtu, gjykatësja e Apelit, Afërdita Bytyqi, deklaroi se shumica e lëndëve zgjidhen brenda tre muajve, ndërsa vetëm rastet e ndërlikuara zgjasin deri një vit.
Prokurori Zef Prendrecaj vlerësoi raportin si mjet të rëndësishëm transparence, ndërsa prokurori dhe anëtari i KPK-së, Arian Gashi, ngriti shqetësimin se vetëm 48% e aktakuzave për korrupsion kishin kaluar në gjykata në vitin 2024 – një përqindje që është rritur në 60% deri në shtator 2025, por mbetet dukshëm më e ulët se në lëndët e tjera penale.
Avokatja Albulena Ukimeri kritizoi mungesën e fokusit në rastet e profilit të lartë, duke thënë se “vonesat janë humbje e besimit publik”. Ndërsa Alfons Lentz, nga Zyra e BE-së, theksoi se trajtimi i rasteve të nivelit të lartë ende nuk merr vëmendjen e duhur dhe se mungesa e Strategjisë Antikorrupsion po e dëmton koordinimin institucional.
Tryeza u fokusua edhe në sfidat rreth provave dhe pranueshmërisë së tyre nga gjykatat.



