Champions League: Arsenali perfekt mund edhe Interin, Sporting befason PSG
Supersfida e raundit të shtatë të Champions League në “San Siro” konfirmoi Arsenalin si skuadrën për t’u mundur, pasi ekipi londinez mori një sukses 1-3 në transfertën ndaj Interit.
Ekipi i Artetës e nisi ndeshjen me intensitet të lartë dhe gjetën golin e avantazhit që në minutën e 10-të. Një aksion i ndërtuar me kujdes nga krahu i djathtë u finalizua nga Jurrien Timber, me topin që u devijua lehtë nga Gabriel Jesus dhe përfundoi pas shpinës së Yann Sommer. Reagimi i zikaltërve ishte i shpejtë dhe konkret: në minutën e 18-të, Petar Suçiç barazoi shifrat me një goditje të fortë nga jashtë zone, duke rikthyer ekuilibrin.
Arsenali nuk u tërhoq dhe në minutën e 31-të riktheu avantazhin. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Bukayo Saka, Leandro Trossard shërbeu saktë me kokë për Gabriel Jesus, i cili mposhti Sommer për herë të dytë. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të “Topçinjve”.
Në pjesën e dytë Interi u përpoq të shtonte presionin, por ishte Arsenali që dha goditjen përfundimtare. Viktor Gyökeres, i futur nga stoli, vulosi fitoren në minutën e 83-të me një kundërsulm të shpejtë dhe një goditje të fuqishme nga kufijtë e zonës, duke mbyllur llogaritë e sfidës.
Në Londër, Tottenham zhvilloi një paraqitje solide dhe triumfoi 2-0 ndaj Borussia Dortmund. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 15-të me Cristian Romeron, i cili përfitoi nga një situatë brenda zonës dhe dërgoi topin në rrjetë me qetësi. Gjermanët e vështirësuan më tej misionin e tyre pas minutës së 24-t, kur Daniel Svensson u ndëshkua me karton të kuq për një faull të rëndë ndaj Odobert.
Epërsia numerike u shfrytëzua nga Spurs në minutën e 38-të, kur Dominic Solanke realizoi golin e dytë pas një aksioni të bukur individual dhe asistit të Odobert. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Tottenhamin që ngjitet përkohësisht në vendin e pestë, ndërsa Dortmundi zbret në vendin e 11-të.
Surpriza më e madhe e mbrëmjes erdhi nga Lisbona, ku Sporting përmbysi PSG-në dhe fitoi 2-1 ndaj kampionëve në fuqi të Europës. Portugezët gjetën golin e avantazhit në minutën e 74-t me Luis Javier Suarezin, i cili përfitoi nga një moment pasigurie në mbrojtjen pariziene. PSG reagoi menjëherë dhe barazoi katër minuta më vonë me Khvicha Kvaratskhelian, që realizoi një gol spektakolar me një goditje teknike.
Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, ishte sërish Luis Suarez që u shfaq vendimtar në minutat shtesë, duke shënuar golin e fitores dhe duke i dhënë Sportingut një triumf historik përballë gjigantëve francezë.
Edhe Man. City befasohet në Champions
Manchester City pësoi disfatë 3-1 ndaj Bodo/Glimt në Champions. Norevegjezët shënuan dy herë në pjesën e parë me Hogh, duke befasuar “Qytetarët”.
Hauge thelloi shifrat, me golin e tij në minutën e 58-të. Anglezët ngushtuan shifrat me Cherkin në të 60-tën, por pa mundur dot të futen në lojë.
City është në vendin e katërt me 13 pikë. Bodo/Glimt është në vendin e 26-të.



