ChatGPT-ja tani po synon miqësitë e brezit Z!

03 shtator 2025 | 08:26

Nga: Esme Gordon-Craig / The Independent (titulli: ChatGPT has already killed off the graduate job – now it’s coming for Gen Z friendships)

Askush nuk e shijonte një bisedë të mirë si shoqja ime e ngushtë e dikurshme. Darka për ne dikur nënkuptonte kohën më të preferuar të ditës që rezervohej për të analizuar tej mase çdo fiasko sociale që kishte pushtuar mendjen e saj. Zhbënim miqësi që kishin marrë tatëpjetën dhe qeshnim me situatat më absurde të takimeve tona. Por, në një moment, këto seanca thashethemesh ndaluan dhe në vend të tyre u fut një laptop ku ChatGPT-ja u pozicionua si anëtari më i ri dhe si opinionisti kryesor i rrethit tonë shoqëror.

Isha dhe ende jam thellësisht e ofenduar nga fakti që shoqja ime ashiqare më ka zëvendësuar me një inteligjencë artificiale [IA]. Si mundi ta zëvendësojë gjithë urtësinë dhe kujdesin që unë kam bërë gjatë viteve tona së bashku, me një çetbot që kërkon një pagesë mujore për mirëmbajtje? Si shumë njerëz të tjerë në fillim të të njëzetave, jam mësuar të dëgjoj se IA-ja po vjedh vendet e punës të së ardhmes. Nuk isha e përgatitur të zbuloja se do t’i vidhte edhe shoqet e mia.

Për shoqen time, përdorimi i çetbotit nisi si ndihmë akademike dhe më pas u shndërrua në diçka më personale. Problemet shoqërore nisën të zgjidheshin duke i dhënë një komandë IA-së – në vend që t’i mendonte vetë – dhe përgjigjet vinin me një ton dhe stil që çuditërisht imitonin të sajin. Dhe, nuk ishte thjesht informacioni ajo që kërkonte; ishte ngushëllimi, mbështetja, madje edhe empatia – një ndjenjë që e mendoja të jetë ekskluzivisht njerëzore. Bisedat tona u zëvendësuan gradualisht nga një monolog i njëanshëm, i ricikluar nga ndërveprimet e saj me këtë mik të ri artificial – dhe mos e dhëntë Zoti të sugjeroja se kjo gjë ishte e gabuar.

Ranë poshtë seancat tona të zakonshme të thashethemeve në darkë, teksa u bë e qartë se cili nga të tre ne ishte në të vërtetë person i padëshiruar. Në njëfarë mënyre, ndjehem disi e lehtësuar kur zbuloj se nuk jam e vetme në këtë ndjesi zëvendësimi; edhe të tjerët po e gjejnë veten në të njëjtin hall. Ashtu si kalimi natyral nga një njohje në miqësi, gjithnjë e më shumë njerëz po kalojnë te përdorimi i ChatGPT-së nga një mjet në perceptimin e tij si shok. Meqenëse IA-ja po përmbush detyrat që më parë ishin baza e marrëdhënieve tona shoqërore, është e pashmangshme që këto miqësi do të dobësohen, ndërkohë që varësia jonë ndaj IA-së do të forcohet. “Ndihem e pavlefshme”, më tha njëra nga shoqet, “nuk këshillohemi më për takimet – thjesht shkruajmë situatën në ChatGPT dhe presim na tregojë lëvizjen e radhës”.

Dhe, kjo nuk po ndikon vetëm marrëdhënia me shoqet. Një shoqe tjetër i jep aq shumë peshë opinionit të ChatGPT-së saqë e la një djalë menjëherë pasi IA-ja vendosi se ai nuk e meritonte atë. Nuk po e mbroj djalin – as nuk arrita ta njihja – por, shpresoj që në marrëdhëniet e ardhshme të paktën të mos i nënshtrohem gjykimit të një diktatori misterioz artificial.

Problemi i madh këtu është se këshillat që marrim nga ChatGPT-ja në të vërtetë nuk janë këshilla – janë vetëvlerësim. Fakti që kërkon vetëm aprovimin tënd e bën atë jashtëzakonisht tërheqës për t’u përdorur – sa e këndshme është të të thonë se ke gjithmonë të drejtë. Dhe, ndryshe nga orari im i darkës për thashetheme, ChatGPT-ja është në dispozicionin tënd kurdoherë dhe kudo që të duash. Nuk shkon në punë, nuk harron të ta kthejë telefonatën. Nuk të gjykon dhe nuk kërkon që biseda të fokusohet te vetja e tij. Atëherë, cili është kuptimi i kërkimit të mendimit njerëzor kur ai është i rrëmujshëm, i pasigurt dhe i mbushur me interesa vetjake?

Një version i ri i ChatGPT-së u publikua këtë muaj, ndaj vendosa t’i shkruaj shoqes sime për ta pyetur se si po i duket. Më informoi se ky version është shumë më inteligjent, por më pak lavdërues. Për një çast, ndjeva një shpresë. Mos vallë mungesa e lajkave nga ChatGPT-5 do të thotë se do ta kem prapë shoqen time? Por, pastaj më ra ndër mend se, si shumë prej nesh, ajo është bërë e varur dhe, fakti që miku i saj robotik ka gjetur një zë më të sigurt për veten, kjo rrezikon ta bëjë zërin tim – njerëzor, të paparashikueshëm – edhe më të panevojshëm. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës gjatë të martës ka zhvilluar dy aksione…