Cilat ishin gjërat e shenjta të Adem Jasharit…

24 qershor 2020 | 11:26

Bedri Islami

 Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (14)

Adem Jashari, miti, legjenda dhe e vërteta

Flamuri ishte gjëja tjetër e shenjtë e Adem Jasharit. E kishte në ballin e kullave, e kishte në makinën e tij, e kishte nëpër këngët që i dinte, e kishte në mal me vete, në fund të fundit e kishte aq pranë sa u bënë pjesë e njëri-tjetrit. (…) Për besë, edhe sikur dhjetë herë shtet të ishte Kosova dhe të kishte dhjetë flamurë shtetërorë, Adem Jashari nuk do të ndahej nga flamuri dyshkabash, i cili ishte pjesë e jetës së tij.

Në dhjetorin e vitit 1997 Adem Jashari dhe grupi i Drenicës dërgojnë një letër, letra e fundit e tyre kjo, në strukturat që i takonin. Janë disa faqe, të shkruara nga Hamza dhe e firmosur nga të gjithë të tjerët. Në të gjitha rreshtat nuk është shkruar asnjë fjalë për vete, asnjë fjalë për familjen e tij dhe nuk e kishte pasur kurrë, gjithë jetës së tij, në mend një gjë të tillë. Me një respekt të jashtëzakonshëm shkruan për Abedin Rexhën dhe luftën e tij, tregon se si luftuan shokët, si vepruan për të pasur një qëndresë sa më të fuqishme dhe vetëm në fund, si duket duke e ndjerë se lufta do të ishte shumë më tepër se deri atëherë, bën një kërkesë, tepër të zakonshme, “kemi nevojë për më shumë armatim”.

Adem Jashari është njeriu që hyn dhe del nëpër legjendë, ashtu si njerëzit e zakonshëm hyjnë e dalin nëpër oborrin e shtëpisë së tyre. Mbi të gjitha miti i tij, legjenda dhe e vërteta për të ka një akt kulmor, në tri kohë të ndryshme, që lidhet me tri rrethimet që i janë bërë kullës së tij.

Në jetën e kujtdo, pra edhe në jetën e Jasharëve, zënë vend natyrshëm gjërat që i kanë më për zemër, që i kanë bërë të shenjta dhe i mbajnë ashtu derisa ta kenë frymën e fundit. Adem Jashari, njeri i fjalës së paktë, kishte bërë shenjtërimin e gjërave për të cilat jo vetëm ia vleje të luftoje, por edhe të flijoheshe. Kur e kishte menduar një gjë të tillë, ai e kishte quajtur çdo gjë të zakonshme e normale, njëlloj si ditët e jetës së përditshme, si frymëmarrja e zakonshme apo përtëritja e stinëve.

Por le t’i sjellim disa shembuj për të shkuar te gjërat e shenjta të Adem Jasharit dhe të gjithë fisit të tij.

Shembulli i parë ose shenjtërimi i parë:

Në thyerjen e natës së 30 janarit 1991 ndodh rrethimi i parë i Jasharëve. Tre djemtë e shtëpisë, Rifati, Hamza dhe Ademi, pasi nisin luftën, çajnë rrethimin dhe zënë vend bri malit, pikërisht aty ku sot ndodhen varrezat. Prej atje vazhdojnë të luftojnë, pasi u kanë ardhur në ndihmë edhe bashkëluftëtarët e tyre.

Baca Shaban ka qëndruar gjatë tërë kohës në kullë, stoik si ai, i qetë, duke e ditur se tashmë lufta ka nisur dhe, si çdo luftë, edhe ajo do të ketë të rënët e saj. Policia serbe, pasi kishte lënë të vrarët e parë, përforcohet me mjete luftarake: vijnë helikopterët, tanku fillon të lëvizë drejt kullave dhe më në fund futen në oborrin e shtëpisë.

Kur futen brenda, njëri prej drejtuesve të policisë serbe e pyet bacën Shaban: “Të kujt janë gjithë këto shtëpi dhe pasuri?”.

Të miat, të djemve dhe të nipave të mi – i a kthen baca Shaban, ndërsa oficeri, duke parë rreth e rrotull, gjithë atë mall e gjë, i drejtohet edhe një herë plakut të urtë: “A kanë mend këto djemtë e tu që po luftojnë, kur i kanë gjithë këto të mira?”.

Po, i kanë, veç liri nuk kanë – i kthen baca Shaban dhe ata fillojnë ta godasin, të tërbuar nga përgjigja e qetë dhe e urtë e plakut të shtëpisë. Pastaj fillojnë e godasin edhe Lulëzimin që bën ti dalë për zot gjyshit të tij.

Në të vërtetë Jasharët i kishin të gjitha, mall e gjë, shtëpi të ngritura dhe që mund të ngrinin edhe në të ardhmen, toka dhe livadhe, vaden e ujit dhe maqina, një jetë të sigurt ekonomike dhe mund ta shkonin ashtu gjithë jetën e tyre, duke pritur që dikush tjetër t’i lëvizte gjërat nga vendi. Mund ta bënin këtë. Jo pak e kishin bërë, ishin mbyllur rreth avllisë së oborrit të tyre sa pa rënë nata dhe kishin fjetur, në gjumin e madh të harresës.

Adem Jashari nuk mund ta bënte këtë, sepse e kishte të shenjtë lirinë. Dhe nuk e kishte në përmasa të zakonshme, ashtu si mund ta kenë edhe shumë të tjerë. Ai i falej asaj, e adhuronte atë, e kishte vënë mbi veten dhe mbi gjithë fisin e tij.

Kjo do të thoshte se ai kishte pasur një fillesë të mbarë drejt pavdekshmërisë. Nuk e kishte bërë me mendje një gjë të tillë. Zakonisht gjërat e shenjta njerëzit i mbajnë thellë vetes së tyre. Adem Jashari e kishte mbajtur kështu, thellë vetes, dëshirën për të qenë i lirë, qoftë edhe me kulla të djegura, qoftë edhe pas rënies së tij.

Shembulli i dytë ose shenjtërimi i dytë:

Ishte viti 1989. Kohë e turbullt, por jeta duhej vazhduar gjithsesi. Duheshin përshpejtuar brezat, duheshin bërë dasmat, duheshin marrë nuset. Mirëpo në këtë vit fatkob policia serbe dilte nëpër rrugë, ndalonte krushqit e dasmorët, i zbriste nga makinat apo ua priste udhët, i hiqte flamurin dyshkabash dhe ua shkelte me këmbë, ua griste dhe pastaj fillonte të qëllonte. Kështu kishte ndodhur jo vetëm në këtë vit fatkob, kështu kishte ndodhur që kur mbahej mend se kishim filluar të jetonin nën shkja. Kishte pasur këngë për njerëzit që nuk e kishin hequr flamurin dhe ishin vrarë për të. Por në fundin e një shekulli kjo ishte edhe më e rëndë.

Në këtë vit martohej një mik dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit. Më pas ai do të ishte edhe përfaqësuesi i tij në perëndim, Ramiz Lladrovci “Veshi”. Njerëzit në shtëpinë e vjetër të Lladrovcëve ishin bërë gati të niseshin për të marrë nusen. Në dhomën e dasmorëve hyri Fehmi Lladrovci.

“O njerëz, u tha, po nisemi me marrë nusen”. Të tjerët miratuan me kokë dhe dikush bëri të ngrihej. Fehmiu vazhdoi. “Nusen do e marrim me flamur”. Të tjerët përsëri tundën kokat. “Mirëpo flamurin nuk e japim. Në se dalin përpara milicët serbë, luftën e bëjmë dhe flamurin nuk e japim. Mendohuni mirë, kush e ndjen veten të aftë për të mbrojtur flamurin, le të bëhet gati, të tjerët, nuk ua marrim për të keq, le të rrinë në shtëpi”.

Kur doli nga dhoma, Fehmiu u tha miqve të afërt: “Çojini fjalë Adem Jasharit, tregoni se po shkojmë të marrim nusen me flamur dhe flamurin nuk e japim”.

Asaj dite Ademi kishte një rast gëzimi në shtëpinë e tij. Mirëpo i lë të gjitha, merr makinën, e ngarkon me pushkë automatike dhe mitraloz, fut në sediljen prapa bombat e borës dhe fishekë të tjerë, mbështjell rreth saj flamurin e madh, mbi kokë vë kësulën e bardhë dhe niset.

E kishin thirrur miqtë e tij. Por nuk ishte vetëm kjo, atë e kishin thirrur se donin të mbronin flamurin, se ishin të gatshëm të luftonin për flamurin dhe e dinin mirëfilli se asaj dite duhej një burrë si Adem Jashari. Flamurit i duhej një njeri i tillë. Ishte viti 1989, dy vite para se të ndodhte rrethimi i parë i kullës së tyre dhe të niste kështu të shkruhej historia e legjendshme e Jasharëve.

Kam pyetur më vonë tek Lladrovcët, se si kishte ndodhur më pas. Makinat ishin nisur. Në mesin e tyre qëndronte Adem Jashari, i heshtur, i bindur se po bënte detyrën e tij, i gatshëm të sakrifikohej. Si duket policët kishin marrë vesh se do të kishte qëndresë, askush nuk i ndali. Në shtëpinë e nuses u shkrepën armë sa të dëgjoheshin dhjetëra kilometra tej, por as në kthim askush nuk i ndali.

Më shumë se dhjetë vetë ma kanë treguar këtë histori. Të gjithë njëlloj dhe të gjithë, po ashtu, njëlloj të gëzuar se u kishte rënë në fat të udhëtonin një herë me Adem Jasharin për të mbrojtur flamurin.

Flamuri ishte gjëja tjetër e shenjtë e Adem Jasharit. E kishte në ballin e kullave, e kishte në maqinën e tij, e kishte nëpër këngët që i dinte, e kishte në mal me vete, në fund të fundit e kishte aq pranë sa u bënë pjesë e njëri tjetrit.

Për besë nuk e di se çfarë do të kishte thënë Adem Jashari për flamurin e sotëm të Kosovës. Nuk e di, por mendja ma merr se do të kishte rrudhur supet, do të ishte munduar të gjente diçka nga ajo që kishte pasur dhe në se nuk do e kishte gjetur, do të kishte thënë “le të jetë hë për hë edhe ky, deri sa të bëhemi një shtet dhe vjen prapë flamuri ynë, që edhe kështu nuk po e heqim”.

Për besë, edhe sikur dhjetë herë shtet të ishte Kosova dhe të kishte dhjetë flamurë shtetërorë, Adem Jashari nuk do të ndahej nga flamuri dyshkabash, i cili ishte pjesë e jetës së tij.

Shembulli i tretë:

Isha mik një natë tek familja e Jasharëve dhe, pas bukës, ndërsa po pinim çajin tradicional, të cilin unë e pëlqej vetëm kur jam me drenicas, filluam të shohim disa filmime nga jeta e familjes së tyre, para ngjarjeve të marsit të vitit 1998. Ishte një ditë e zakonshme, krejt e zakonshme, gjithë diell, ftohtë, pasi kishin ngrirë rrekëzat e ujërave dhe Adem Jashari ishte me fëmijë dhe nipër në oborrin përbri. Fëmijët po luanin me njeri tjetrin, ai krasiste diçka, pastaj fliste e luante me fëmijët, diçka i ngacmonte dhe ata i përgjigjeshin, pushka ishte lënë pak mënjanë, kishte një sopat në dorë dhe herë pas here çante dru. Sytë i shkëlqenin më shumë se zakonisht, ndjehej se ishte i lumtur në këtë çast pushimi, kur kishte lënë pas, qoftë edhe përkohësisht punët e luftës. Herë pas here shikonte andej nga ku duhej të ishte mali.

Pastaj e kam parë tek rrinte me nënën e tij, mbesën e Shaban Polluzhës së njohur, e kam parë tek ia merrte duart e buta , me rrudhat e moshës, në duart e tij të forta, por që jo rastësisht i përdhelnin aq butë. I shërbente asaj, i a rregullonin dy djemtë, ai dhe Hamza, jastëkun pas supeve, qeshnin me të, pastaj diçka i thoshin për vitet e saj që nuk po plaknin dhe, pas një copë here, ndërsa po nisej për në aksion, i thoshte, krejt zakonshëm, si të shkonte për një punë të çfarëdoshme “hajt, natën e mirë e bafshi”.

Gjithçka ishte më shumë se e zakonshme, ishte, si të thuash, një fragment nga jeta e secilit bujk. Kushdo mund të ishte ai, por në se e vështroje me vëmendje, mund të dalloje shumë lehtësisht mallin e tij, ndjenjën e afërsisë, të respektit dhe të mirënjohjes për familjen e tij.

Adem Jashari e kishte të shenjtë familjen e tij. Ky ishte një tjetër shenjtërim i tij. Ai përgjërohej për nënën dhe fëmijët, për dajallarët dhe nipërit e mbesat, kishte një marrëdhënie shumë të afërt me të atin e tij, si prind, si mësues dhe si prijës, bënte hoka me të vëllanë e tij më të madh, të cilin e vinte mbi gjithçka.

Rifat Jashari kujton,  kur u kthye në vitin 1996, ilegal në shtëpinë e tij:

“Kur shkova të fle, Ademi m’i solli armët dhe disa bomba, ndërsa unë i thashë: “Largomi këto ‘hekura’ se unë nuk rehatohem natën”. Ademi më tha “Ja ku i ke dhe bën çfarë të duash me to”. Para se ta mbyllte derën e dhomës, më dha një porosi: “Nëse vijnë më tepër se dhjetë policë, lajmëromë, për më pak, bëj çka të duash se nuk e prishi gjumin”.

Ai kishte të drejtë ta shenjtëronte familjen e tij, e cila asnjëherë, edhe në momentet më të vështira, nuk i tha se ku po shkon në rrugën e tij dhe se mund të kishte pasoja e gjithë familja. Asnjëherë nuk i thanë të mos bënte tutje, por i ndenjën aq afër, sa në fund dhanë edhe jetën me të. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shell Kosova njofton të gjithë klientët se nga tani mund…