Çka fshihet prapa kërkesës që Kosova të krijojë identitetin e vet në Prishtinë, në Mitrovicë, në Prizren…?

20 qershor 2025 | 12:44

Disa miq kanë kërkuar nga unë të dinë arsyet përse nuk kam reaguar lidhur me takimeve publike po të fshehta të Nexhmedin Spahiut në Beograd apo deklaratave të tij se “do t’ua kthejë pushkën atyre që luftojnë për bashkim me Shqipërinë”. Për mua nuk ka asgjë skandaloze në veprimet dhe deklaratat e një personi që është në harmoni të plotë me frymën e dikurshme pro-jugosllave.
Më 12 qershor 1997, saktësisht dy vite përpara çlirimit të Kosovës, në “Zërin e Kosovës” publikova reagimin tim kundër një shkrimi të orkestruar nga qarqet anti-shqiptare kundër akademik Rexhep Qosja. Bëhet fjalë për fletërrufenë “Tre gishtërinjtë e Rexhep Qosjes” që kishte për autor Nexhmedin Spahiun, i cili gjatë kohës së studimeve, si anëtarë i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë, prezantohej si Nexho Spahijeviq.
Ata që do të ndajnë kohë të lexojnë reagimin tim të para 28 vjetësh do të kuptojnë më mirë “koherencën intelektuale” të Nexhos!

***
Çka fshihet prapa kërkesës që Kosova të krijojë identitetin e vet në Prishtinë, në Mitrovicë, në Prizren…?

Reagim kundër polemikës së Dr. Nexhmedin Spahiut, “Tre gishtërinjtë e Rexhep Qosjes” botuar në të përditshmen “Flaka” të datës 20 maj dhe “Bota sot”, të datës 27 maj dhe 28 maj 1997

Mr. Bardhyl Mahmuti

Fushata kundër Rexhep Qoses, që kohët e fundit ka kapluar mediumet tona, nxjerr në shesh relacionin: identiteti kolektiv-hapësira kombëtare. Me qëllim që të zhvishet në tërësi tendenca për parcializimin e identitetit tonë kolektiv, tendencë që plasohet e maskuar nën mbrojtjen e “diversitetit kulturor dhe krahinor” reagimi kundër shkrimit të lartpërmendur, i cili, si i tillë, kalon suazat e një polemike të rëndomtë, më duket më se i nevojshëm.

Ndërrimi i identitetit

Identiteti kolektiv, si konstruksion shoqëror, në asnjë rast nuk mund të ndahet nga hapësira së cilës i referohet. Kjo e arritur shkencore u shërben politologëve, gjatë hulumtimeve empirike, si vigjilencë metodologjike. të gjithë të interesuarit rreth kësaj çështjeje mund të gjejnë një analizë të përkryer në veprën e profesorit të Univerzitetit të Lozanës, Bernard Voutat të titulluar « Espave nationale et identitè collective » (Hapësira kombëtare dhe identiteti kolektiv) botuar nga instituti i Shkencave Politike, Lozanë, 1992, f.464. Vepra e lartpërmendur nxjerr në shesh procesin e gjatë të cilit grupet rivale krijojnë identitetin e vet dhe synojnë të imponojnë vizionin që hapësira e caktuar është e pandashme nda identiteti i tyre. Ky këndvështrim na mundëson që të kuptojmë logjikën e luftës rreth identitetit të Kosovës. Nga njëra anë, kemi një proces të gjatë historik që krijoi vizionin se « Kosova është djep i Serbisë » dhe nga ana tjetër, vizionin mbi Kosovën , si pjesë e identitetit shqiptar. Në këtë luftë të dy vizioneve rivale merita të mëdha kanë hulumtimet dhe rezultatet shkencore nga fusha e historisë, arkeologjisë, gjuhësisë etj, të cilat, përmes shkollimit dhe mediatizimit, do të arrijnë të krijojnë dhe forcojnë identitetin brenda grupit. është me rëndësi të theksohet se identiteti nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë por bëhet objekt i investimeve të pandërprera të grupeve shoqërore. Krahas investimeve për sqarimin e dimensionit historik të çështjes së Kosovës, një investim i madh që lidhet me identitetin tonë kombëtar është bërë për unifikimin e gjuhës shqipe.
Unifikimi i gjuhës shqipe, si indikator i variablës kulturore, paraqet një nga momentet më të rëndësishme dhe një nga fitoret më të mëdha kundër të gjithë atyre që synonin të paraqisnin identitetin shqiptar nën Jugosllavi si të ndryshëm nga ai i Shqipërisë. Ky është një nga shkaqet që shpjegon sulmet e politikës anti-shqiptare kundër unifikimit të gjuhës shqipe, sulme që morën formën e fushatës sidomos pas vitit 1981. Në shënjestër të këtyre sulmeve viheshin të gjithë intelektualët shqiptarë që kishin përgatitur këtë “komplot antiserb” e në veçanti sulmet dhe kërcënimet drejtoheshin kundër Rexhep Qosjes.
Është për t’u habitur se pikërisht në kohën kur fushata anti-shqiptare dështoi plotësisht, në emër të “diversitetit kulturor” sulmohet në mënyrë më të vrazhdë një nga rezultatet e procesit të krijimit të identitetit shqiptar të Kosovës.
Që të mund të maskojë identitetin e vet të mëparshëm, kur përpara emrit vinte titullin sekretar i zellshëm i partisë së komunistëve të sortës së Millosheviq e Morina, kur në komunikim me komunistët e Beogradit prezantohej si Nexho Spahijeviq: kur identitetin shqiptar të Kosovës e quante “primitivizëm” për hir të integrimeve në kategorinë “moderne” me “identitetin jugosllav”: me një fjalë, që të mund të plasojë tezat e moçme si diçka e re, ai paraqitet me « identitet të ri », paraqitet si Dr. Nexhmedin Spahiu.
Me përjashtim të zëvendësimit të nocioneve “nacionalist” në polemikën e tij kundër Rexhep Qoses nuk mungon arsenali i vjetër i ligjëratave të përgatitura në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ligjërata që synonin ndarjen e shqiptarëve në gegë e toskë.
« Çdo komb » shkruan Nexho Spahijeviqi, “e ka një gjuhë të standardizuar (që Qosja e quan letrare, e duhet thënë gjuhë standarde ose e normuar) por ka edhe dialektet e saj, dhe këto janë pasuri e saj, janë burim i saj. Vetëm për trurin e leninistëve që kanë aftësi njëdimensionale të të kuptuarit (bardh e zi), kjo gjë i komplikon punët. Leninistëve tanë si dhe leninistëve në përgjithësi, të cilët i thjeshtëzojnë gjërat deri në bastardim, për të arritur deri te shqipja standarde u ka ardhur më lehtë t’i zhdukin fare dialektet. Ndër pjesëmarrësit e këtij masakri ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare është edhe intelektuali popullor Rexhep Qosja”.
Duke synuar të paraqitet si “kompetent” në disa lëmi shkencore, Nexho Spahijeviqi preferon të korrigjohet “masakrimi” i gjuhës dhe kulturës shqiptare duke shkatërruar unifikimin e gjuhës letrare dhe krijimin e “një gjuhe të standardizuar si çdo komb”. Çka nënkuptohet dhe çka fshihet prapa kërkesës për standardizim? Sipas të gjitha gjasave, është fjala për një moskuptim, përkatësisht, për një injorancë të mbështjellë me llustrën e mençurisë. Natyrisht që në kuptimin që u jepet këtyre termave në përdorimin e përditshëm, nuk ekziston një dallim qenësor. Mirëpo termi ,,standarde” që ka kuptim elitist e më aristokratik, i trashëguar që prej librave të parë në Evropë kur gjuha e shkruar dallonte esencialisht nga gjuha e popullit. Kështu që “anti-leninisti” Spahijeviq bie vetë në grackën e “leninizmit” për të cilin e akuzon Akademik Qosjen. Sepse, sidoqoftë, ekzistimi i një gjuhe letrare në asnjë vend dhe në asnjë mënyrë nuk e nënkupton eliminimin e dialekteve.
T’i kthehemi edhe një herë identitetit të Kosovës.
Lufta rreth vizioneve për Kosovën nuk u kufizua vetëm në hapësirat ballkanike. Me qëllim të legjitimimit të praktikave të caktuar, secila palë synoi të imponojë vizionin e vet në përmasa ndërkombëtare. Si rezultat i një pune të pareshtur kemi përhapjen e vizionit serb për Kosovën si « çështje e identitetit shpirtëror, kulturor dhe historik të popullit serb » (citat i nxjerrë nga Anne Yèlen, Kossovo 1389-1989, Bataille pour les droits de l’ame, Lozanë, 1989, f.133). Nga ana tjetër, veprat e shkencëtarëve shqiptarë patën efektet e veta pozitive për të plasur të vërtetën tonë për Kosovën. Në këtë reagim po citoj disa shkencëtarë të huaj, te të cilët vizioni serb për Kosovën hidhet poshtë: Michel R Les Albanais en Yougoslavie… Paris, 1992, f 535; Melchior J – PH, Rèflexions sur la crise yougoslave…, Les Temps Modernes, dhjetor 1991-janr 1992; Torche D, Les lins entre l’identitè nationale et le fait migratoire, rev.suisse socio, 1989.
Për të mos mbetur vetëm në emra autorësh dhe me qëllim të njoftimit të lexuesit shqiptar rreth zhveshjes së vizionit serb për Kosovën, po citoj konkluzionet që Profesori i Univerzitetit të Toulouse-it, Allain Ducellier, nxjerr në vepren e tij “Les Albanais ont-ils envahi le Kosovo?” botuar në Londër më 1987 në kuadër të veprës “ L’Albanie entre Byzance et Venise”, ribotuar dhe shpërndarë nga Qendra për informimin e Republikës së Kosovës më 1993 në bibliotekat zvicerane dhe franceze.
Ky shkencëtar konkludon: “Kur shohim këmbënguljen me të cilin përdoret argumenti historik për të provuar se serbët kanë të drejtë mbi Kosovën, si banorë më të vjetër të saj, që më vonë janë shpronësuar nga shqiptarët, nuk do të kishte qenë keq që të tregojmë se, edhe kësaj here, historia përputhet me situatën aktuale. Supozojmë megjithatë se serbët do të kishin përbërë shumicën e Kosovës në shekullin XIII; kjo nuk na pengon të shtrojmë pyetjen se kush banonte në këtë regjion më parë. Secili e din se serbët janë populli indo-evropian që më së voni erdhi në Evropë, meqë valët e dyndjeve të tyre shtriheshin në shekullin VI dhe të VII. Dihet gjithashtu se, në këtë epokë, disa shekuj të romanizimit nuk arritën të zhdukin popullsitë e vjetra autoktone: Dakasit në Rumani, Thrakasit në Bullgari, Ilirët në Dalmaci, Shqipëri dhe Maqedoni. Ndërkaq, punimet më të reja shkencore si ato gjuhësore ashtu edhe arkeologjike, dëshmojnë sot se ilirët janë pa asnjë dyshim paraardhësit e drejtëpërdrejtë të shqiptarëve… Të gjitha argumentet e tipit ‘historik’ kthehen kundër tezës serbe pasi që historia na mëson që serbët, sa i përket Kosovës, janë pushtues që kanë ardhur shumë vonë” (Vepra e cituar, f. 9-11).
E citova këtë vepër me qëllim që të tërheq vëmendjen se çdo vepër shkencore e përkthyer në gjuhë të huaja ka rëndësinë e veçantë për mbrojtjen e vizionit shqiptar për identitetin e Kosovës. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe botimi në gjuhën frënge i veprës së Rexhep Qosjes “La Question albanaise”.
Duke zhveshur procesin gjatë të cilit zhvillohet konflikti serbo-shqiptar rreth Kosovës, duke nxjerr në pah logjikën e këtij procesi, duke integruar në analizë aktorët e ndryshëm ballkanikë dhe jashtë ballkanikë që pozicionohen rreth këtij konflikti, Rexhep Qosja, që njihej për hapësirën frankofone si shkrimtar, historian i letërsisë dhe kritik letrar, me këtë vepër në « syrin e një vështruesi perëndimor » paraqitet si politolog.
Veprat e tij radhiten në numrin gjithnjë e më të madh të veprave shkencore që bëhen, për qarqet anti-shqiptare, pengesë e prezantimit të identitetit të Kosovës si “identitet serb”. Kjo shpjegon shkaqet e revoltës së këtyre qarqeve në Beograd e Prishtinë, në Shkup e Podgoricë e deri te klanet serbe në Francë e në Zvicër (të grumbulluar rreth shtëpisë botuese “L’age d’homme “). Revolta e tyre kundër Rexhep Qosjes shprehet në dy mënyra: së parim synohet minimizohet karakteri shkencor i kësaj vepre dhe së dyti, përdoren kërcënime të drejtpërdrejta kundër tij.
Vetëm për ata që nuk e njohin Nexho Spahijeviqin mund të duket e rastësishme përputhja e qëndrimeve të tij me atë të qarqeve serbo-maqedone-malazeze.
Për të krijuar në sytë e lexuesve përshtypjen e “neutralit” ai e fillon polemikën e vet me këtë formë manipulimit, tanimë të demoduar në sytë e politologëve perëndimor.
“Një mik, profesor i shkencave politike në Univerzitetin e Cornuellit në Amerikë” e kishte porositur “që t’ia sugjeronte të gjithë librat e autorëve shqiptar me karakter politik, sociologjik, filozofik apo historik që do të botoheshin në ndonjërën prej gjuhëve që ai njeh (anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht). Kur u botua libri i Rexhep Qosjes në frëngjisht ia sugjerova këtë. Pas dy javësh, përmes internetit, mora mesazhin ku më pyeste se kush është ky Arben Puto dhe sa gjuhë të huaja i di Rexhep Qosja. Më tej po më shpjegonte se Rexhep Qosja i referohej Arben Putos, ndërkohë ky i fundit kishte informacione tejet të mangëta e madje edhe të pasakta, për Konferencën e Londrës, Konferencën e Parisit etj. Përse Rexhep Qosja nuk është bazuar në dokumente origjinale në anglisht e frëngjisht por në të dhënat e dyshimit të Arben Putos…”
Nexho Spahijeviqit iu desh një vit e gjysmë kohë që të kuptonte pasi lexoi artikullin e botuar në gazetën “Zëri i popullit”, “se Rexhep Qosja nuk njeh më shumë gjuhë se shqipja dhe serbishtja”. Dhe këtë konstatim e nxjerr nga fakti se “pothuaj në çdo resht përdoret fjala popull “. Dhe me qëllim të minimizimit të karakterit shkencor të veprës së lartpërmendur ai vazhdon: “Vetëm një njeri që është brumosur me veprat e klasikëve të marksizmit: Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, si dhe dishepullit të tyre të (pa)denjë Enver Hoxhës, nuk e kupton se fjala popull është fjalë manipulative që asnjë analist politik, që nuk i takon sortës marksiste, nuk denjon ta përdorë, Rexhep Qosja mbetet një intelektual tipik leninist i pandreqshëm”.

May be an image of 1 person and text that says 'ZERITKOSOVES FR KOSOVES 15 tẽ krijojë BOLEMIKE Ç'ka fshihet prapa kërkesës Ae Kosova Prizren...? ? សារ Prishtinë, në Mitrovicë, në Nexhmedin kunder -Treg -BOKA 997 Bardhyl MAHMUTI'
Një nga format e manipulimit të përdorura në këtë pjesë të polemikës.
Së pari, vepra e Rexhep Qoses, para se të botohej në frëngjisht u botua në gjuhën shqipe. Në këtë vepër shpesh përdoret fjala popull. Nëse kjo fjalë qenka manipulative “që nuk dënjon ta përdorë asnjë analitik perëndimor” atëherë shtrohet pyetja se pse ia “sugjerove profesorit amerikan të shkencave politike” këtë vepër të një “leninisti të pandreqshëm”. Përgjigja në këtë pyetje ndodhet në mes alternativës; ose profesori amerikan i shkencave politike është trillimi i yt, ose veprën në fjalë nuk e ke lexuar as shqip, gjë që është e mundshme, sepse Nexho Spahijeviqi di vetëm “serbisht”.
Së dyti, në shumicën dërrmuese të kushtetutave të demokracive perëndimore është sankcionuar se “sovraniteti i takon popullit” për dallim nga shtetet marksiste-leniniste ku sovraniteti i takon klasës punëtore. (Për këtë problematik shih veprën e shefit të katedrës së shkencave politike në Universitetin e Lozanës gjatë viteve 1989-1993 tani ligjërues në Paris dhe Bruksel: Daniel-Louise Seiler, La politiques comparèe. Paris, 1982, f.191). Nëse fjala “popull” është manipulative atëherë e ke gabuar adresën e manipulatorëve, duke rënë sërish me të dy këmbët në grackën e “leninizmit”.
Meqë paske zbuluar se kjo fjalë i takon manipulatorëve të “sortës marksiste” do të kishte qenë mirë t’u drejtsohesh me internet -in tënd demokracive perëndimore që ta heqin nga kushtetuta e tyre fjalën popull. Megjithatë do ta kesh të vështirë sepse përsëri populli i këtyre shteteve do të duhej që me referendum t’ia hiqte vetes të drejtën për të qenë sovran gjë që s’do të ishte fort e besueshme.
Do të kishte mirë që me zbulimin tënd t’i njoftosh partitë popullore të Evropës perëndimore, parti që definohen se i përkasin spektrit qendër e djathtë, që të heqin fjalën popull nga emërtimi i partive të tyre, të kundërtën do t’i stigmatizojmë si të “sortës marksistë” dhe do t’i denoncojmë dhe në Parlamentin evropian, ku nga 567 deputetë për vitin 1994-1999 partitë evropiane përfaqësohen me 157 deputet. (Për këtë çështje shih veprën e Marcel Scoto: Les institutions europèennes, Paris 1994, f.89-10). Pastaj a nuk quheshin popullore dhe partia e Zogut në Shqipëri, si dhe partia e të zotit të tij në Serbi, Nikolla Pashiqit. A mos ishin edhe këta ,”marksistë e leninistë”?
Zbulimin tënd duhet t’ua dërgosh me internet edhe bankave popullore të këtyre shteteve, madje t’u kërcënohesh se kurbetçarët nuk do t’i lënë paratë nëpër këto banka, nga frika mos të vidhen “nga kjo sortë marksistëve”, si në Shqipëri përmes piramidave të sortës “Populli”, etj.

May be an image of text
Edhe universitetet popullore të këtyre shteteve duhet të heqin “stigmën popull”, sepse mund të dyshojmë se edukimi do të bëhet frymë e “sortës së marksistëve” dhe nuk do t’i dërgojmë fëmijët tanë të shkollohen aty.
Për të qenë më bindës në zbulimin tënd, ndërroje edhe një herë emrin dhe prezantohu kësaj radhe me ndonjë emër që “për syrin e vështruesve perëndimor” do të jetë joshës.
Së treti, a ka nevojë që një profesor i shkencave politike në Universitetin e Cornellit në Amerikë t’i kërkojë mendimet një njeriu që është anonim për shkencën. Që të mund të kapërcejë më lehtë një trillim i tillë, ai manipulon me fjalën “mik”. Për këndvështrimin e politologut, miqësitë janë koncepte tradicionale që nuk mund të influencojnë qëndrimet shkencore. Vetë fakti se vepra e Rexhep Qoses botohet nga shtëpia botuese Fayard, shtëpi botuese që gëzon autoritet të pakontestueshëm për seriozitetin e veprave që boton, është domethënëse për çdo politolog. Nga ana tjetër, a thua se drejtoria e kësaj ndërmarrje botuese boton vepra pa plotësuar kriteriumet e mirëfillta shkencore. Mos dëshiron të thuash se ata nuk kanë pasur mundësi të verifikojnë “të dhënat e dyshimta të Arben Putos” së paku të atyre që ndodhen në Paris. Ndoshta edhe ata nuk dinë gjuhë të huaja dhe Parisin e kanë pasur larg?
Së katërti, për popullin shqiptar është e njohur së tërë vepra e Rexhep Qoses është në konflikt të hapur me armiqtë e bashkimit kombëtar. Fushata e sotme kundër Qosjes shpjegohet nga fakti se ai jo vetëm që nuk ra në grackë të konstrukcionit mediatik rreth krizës në Shqipëri; nuk ra në grackë të atyre që, për të mbajtur pushtetin, synuan me me çdo kusht, të impononin vizionin se fjala është për një komplot antidemokratik; nuk ra në grackë të atyre që, duke përqendruar vëmendjen në një pjesë të ngjarjeve në Shqipëri, të imponojnë vizionin se kemi një konflikt të Jugut kundër Veriut; ai nuk ra në këto gracka “të politikanëve dhe intelektualëve me profil perëndimor”, siç ra pjesa më e madhe e mediumeve kosovare; dhe në fund ajo që i tërboi më së shumti ata, është fakti se Rexhep Qosja nuk heshti, por, përkundrazi, i denoncoi dhe e zhveshi përmbajtjen e këtyre konstrukcioneve.
Të shpifësh se gjoja “Qosja pohon se Shqipëria nuk ka probleme me Greqi e Serbi të Madhe”, d.m.th. të prekësh në pikën më të ndjeshme të vetëdijes kombëtare, del qartë synimi për të luhatur autoritetin e tij në popull. Ajo që mund të thuhet me siguri për të gjithë rastet e sipërmendur është se shpifjet dhe manipulimet që përdor Nexho Spahijeviqi janë tipike për “sortën e komunistëve” të Millosheviqit, Morinës, Vllasit dhe spiujve të tyre të pandreqshëm.
Për të zhveshur përmbajtjen reale të mesazhit të Nexho Spahijeviqit na duhet t’u kthehemi disa fakteve që lidhen me te,
Si sekretar partie i sortës Millosheviq, Morina, etj, ai ishte mjaft aktiv në mesin e studentëve që të zbatohej pikë për pikë Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, Levizjen popullore për pavarësim nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i zi ai e denonconte si vazhdimësi e një “linje politike anti-historike” që i ka rrënjët në Lidhjen Shqiptare të Prizerenit, në Rezolutën e Bujanit si dhe në organizatat anti-komuniste të periudhës para e pas LDB-së. Edhe më i zëshëm u bë gjatë viteve 1988-1989 për bindjen e studentëve se federalizimi i Jugosllavisë ishte pengesë drejtë modernizimit, duke predikuar në të njëjtën kohë heqjen e autonomisë së Kosovës, se gjoja nuk rrezikon identitetin e banorëve të Prishtinës, Mitrovicës, Prizerenit, si prishtinas, titovo-mitrovicas, prizrenas etj.
Ata që dje predikonin unitarizmin serb, ata që dje villnin vrer kundër federalizmit jugosllav, sot marrin guximin që të kërkojnë federalizimin e Shqipërisë. Dhe, duke fshehur krijuesit e vërtetë të parcializimit të hapësirës sonë, Nexho Spahijeviq shpif se këtë kërkesë e bëjnë “forca të caktuara politike e intelektuale në Jug të Shqipërisë… dhe se këtu nuk ka asgjë të keqe”. Madje, tendencën e krijuara dhe të përhapur mediumet anti-shqiptare e quan normale që vetëm truri i “malokut” Rexhep Qosja nuk e kupton.
Pas ricoptimit të trojeve tona, pas planeve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve që të shkatërrohet uniteti i hapësirës politike dhe gjeografike të Kosovës me një rindarje të re në katër pjesë. Nexho Spahijeviqi plason tezën serbe që “Kosova duhet të ketë identitetin e vet në Prishtinë, në Mitrovicë, në Prizeren etj, (mungon qendra e katërt e ndarjes serbe!)”.
Vetëm në kontekst të kërkesës për shpartallimin e hapësirës politike dhe kulturore, kërkesë që arsyetohet gjoja në emër të diversitetit, del sheshit dhe kërkesa e Nexho Spahijeviqit për standardizimin e gjuhës shqipe.
Sipas tij, çdo komb, pos shqiptarëve, e ka një gjuhë të standardizuar. Nuk e di se a është në dijeni Nexho Spahijeviqi se gjuha standarde frënge është që flet Parisi me rrethinë. Definimi i këtillë i gjuhës frënge kushtëzohet nga zhvillimi historik i Francës me një qendër të vetme politike, kulturore dhe ekonomike: Parisin. (Për krijimin e shteteve, monocefale dhe formave të tjera mund t’i drejtohesh mikut tënd anonim, profesorit të shkencave politike në Univerzitetin e Cornellit në Amerikë, që me internet të dërgojë veprën e Rokkan S, “Cities, States and Nations…”).
Pse Nexho Spahijeviqi manipulon me fjalën standardizim, kur kjo fjalë do të thotë unifikim (shih fjalorin e gjuhës frënge: Petit Larousse, f.969 Standardiser: unifer). Kreatorët e kësaj teze mbase, duke barazuar standardizimin me parcializim, synojnë të krijojnë gjuhën standarde të Mitrovicës, gjuhën standarde të Prishtinës, gjuhën standarde të Prizerenit etj, për të kurorëzuar shkatërrimin e plotë të identitetit tonë.
Tërheqja e paraleleve nga Nexho Spahijeviqi në mes Isa Boletinit dhe Rexhep Qosjes është kuptimplotë. Sipas tij “nëse Qosja dëshiron të ketë identitetin e vet si intelektual dhe si personalitet politik, ai nuk duhet të bëhet Isa Boletin i ditëve tonë”.
Për të sqaruar lexuesin rreth kësaj analogjie duhet përmendim qëndrimet e Isa Boletinit përpara diplomatëve të huaj që kishin nxjerrë në ankand territoret shqiptare. Për të krijuar iluzionin se interesohen për fatin e popullit tonë dhe se respektojnë përfaqësuesit e tij, diplomatët e Fuqive të atëhershme me keqardhje i komunikuan Isa Boletinit se: Sikur Mitrovica të ishte më afër kufirit të paraparë prej tyre, për hir të tij do t’ia bashkëngjitnin Shqipërisë”. Përgjigja e Isës ishte e qartë: “Nuk kam ardhur për Mitrovicën, por, për çdo pëllëmbë të tokave tona”.
Isa Boletini duke mos e kuptuar se “Uniteti i një kombi mund të bëhet në mënyrë të vullnetshme dhe të natyrshme dhe se ky unitet duhet t’i pranojë diversitetet lokale dhe krahinore”, në vend që të mbrojë “specifikat” e Mitrovicës, në vend që të krijonte identitetin e Mitrovicës, ai preferonte t’ia bashkëngjiste, madje edhe me armë, pra në mënyrë të dhunshme, Shqipërisë. Ai nuk e dinte se me një “primitivizëm” të tillë do ta klasifikohet në kohët “moderne”, “prej vështruesve” të sortës së Nexho Spahijeviqit se i takon “linjës politike anti-historike serbe”.
Isa Boletini nuk e ndali luftën deri sa “linja historike anti-shqiptare nuk ia tregoi vendin”. Mesazhi i Nexho Spahijeviqit që Rexhep Qosja “të kërkojë falje dhe të kthehet në binarët e natyrshëm historik” është i qartë. Siç ishte dikur i qartë për Isa Boletinin.
Dhe në fund nga e gjithë “polemika” e tij, e vetmja gjë që është e vërtetë ka të bëjë më pohimin se “njerëzit si Rexhep Qosja janë pengesë e zhvillimit të këtij identiteti”. Për të qenë i plotë ky pohim, duhet të shtohet se pjesa më e madhe e popullit do të bëhet pengesë e pakapërcyeshme për të gjithë ata që synojnë të krijojnë identitetin e Kosovës konform planeve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Duke i luftua me të gjitha forcat e veta ata që synojnë të plasojnë tezat anti-shqiptare në hapësirën tonë politike, pjesa më e vendosur e shqiptarëve do t’ua tregojë vendin, në të njëjtën mënyrë, siç po u tregohet sot vendi në Kosovë komunistëve të sortës së Millosheviq, Morina dhe spiujve të tyre të pandreqshëm.
Vërejtje: Kohë më parë mora në telefon redaksinë “Bota sot” dhe u thashë se kam një shkrim kundër ,”Ballkanisë” së Demaçit, “Ku e ke? – më thanë ata. Nëse ke faks, shpenzimet i bartim ne. Nëse e dërgon me postë, shpenzimet t’i heqim ne. Vetëm nise”.
Javën e shkuar ua dërgova me faks një reagim kundër një shkrimi me kutërbim serb që sulmonte në stilin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, prof. dr. Rexhep Qosen. “Është çështje e ndjeshme. Më duhet të këshillohem me Prishtinën, më tha ‘dezhurni’ i Teki Dervishit në ‘Bota sot’. Të nesërmen, pas këshillimit me “pretpodstavljenin” e tij, “dezhurni” më komunikoi: “Gazeta jonë nuk boton asnjë shkrim që merr në mbrojtje Rexhep Qosjen.”
Natyrisht, nuk pata mundësi të vërtetojë nëse ai kishte shfrytëzuar për këshillim lidhjen telefonike me Beogradin apo me Prishtinën.

P.S ( Vetëm për Nexho Spahiijeviq): Meqë t’i tallesh me numrin e faqeve të doktoraturës së Rexhep Qoses, po të njoftoj se unë, Bardhyl Mahmuti (diplomOva me 14 korrik 1994 në Fakultetin e Shkencave Politike në Univerzitetin e Lozanës – Zvicër); magjistrova me (14 shkurt 1997) dhe tema e magjistraturës sime ka rreth 60 faqe! Mund t’i drejtohesh me internet dhe rektoratit të këtij Universiteti që të ma mohojë titullin. Nëse nuk ke mundësi ta bësh vet, kërkoje ndihmën e “mikut tënd, profesorit amerikan të Shkencave Politike”.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania private KESCO përmes një njoftimi për medie ka bërë…