
ÇKA NUK THA VJOSA OSMANI
Analizë politike nga një perspektivë kritike mbi diskursin publik të Presidentes së Kosovës
Nga Jeton Kelmendi
Në politikë, shpeshherë më shumë kuptim kanë ato që nuk thuhen sesa ato që shfaqen para kamerave, me buzëqeshje diplomatike apo fjalime të përgatitura me kujdes. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dëshmoi këtë përsëri gjatë vizitës së saj të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në konferencën pasuese në Prishtinë. Nga njëra anë, në SHBA ajo bëri përpjekje për të ngjallur simpati e mbështetje politike për veten e saj, madje duke mos kursyer as lavdërimet për Presidentin Trump, e nga ana tjetër në konferencën në Prishtinë mbajti një qëndrim të tensionuar dhe pa asnjë reflektim mbi realitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit që ajo udhëheq. Por në gjithë këtë shfaqje politike, ajo çfarë spikat më shumë janë pikërisht ato që Vjosa Osmani nuk tha.
‘Lariçka’ për Trumpin dhe hajgare me realitetin
Në vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara, Osmani befasoi opinionin me tonin e lartë lavdërues ndaj Donald Trumpit dhe administratës së tij. “Presidenti Trump ishte ndër të parët që mbështeti marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë,” deklaroi ajo, duke lënë të nënkuptohet se ai ka qenë një faktor i rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës. Një qëndrim i tillë është thellësisht hipokrit nëse e krahasojmë me pozicionimin e saj dhe sektit partiak Guxo në vitin 2020, kur marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar nga kryeministri Abdullah Hoti u denoncua si e dëmshme, jokushtetuese dhe pro-serbe. Vjosa atëherë nuk kurseu deklaratat për të quajtur atë marrëveshje si “kërcënim për sovranitetin” dhe “dorëzim të veriut”, ndërkohë që sot, për interesa personale dhe për ndërtimin e imazhit në arenën ndërkombëtare, ajo e lavdëron me entuziazëm pikërisht atë platformë që dikur e konsideronte si kapitulluese. Kjo është një ndër kontradiktat më të mëdha politike të saj, e cila tregon jo vetëm mungesë konsekuence, por edhe një përpjekje të qëllimshme për të manipuluar opinionin ndërkombëtar e besa edhe opinion e brendëshëm. Por ajo që nuk tha Vjosa Osmani në atë fjalim, ishte se ajo vetë, për katër vjet, ka qenë një pjesë aktive në pengimin e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke ndjekur politikën e Albin Kurtit për të bllokuar çdo marrëveshje që nuk vinte nga qeveria e tyre. Ajo nuk tha se nuk ka bërë asgjë për të avancuar dialogun me partnerët evropianë dhe përkundrazi, ka kontribuar në ftohjen e raporteve me ta.
Heshtja për rrezikun real – dhe manipulimi me opiniomnin
Në Prishtinë, pas kthimit nga ShBA, Osmani doli para mediave për të përsëritur të njëjtin diskurs për rrezikun nga Serbia dhe “qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës”. Por ajo që nuk tha, dhe që është shumë më e rëndësishme, është se vetë Presidenca nuk ka pasur asnjë informacion të besueshëm dhe të hershëm për rrezikun konkret nga Serbia gjatë krizave në veri, përfshirë edhe sulmin terrorist në Banjskë në shtator 2023. Shih këtu deklaratat e ambasadës Gjermane në Prishtinë. Dhe nëse paska qenë ta supozojmë e vërtet, pra nuk e tha me kohë dhe në Prishtinë, por ca muaj me vonesë dhe e tha në ShBA. Ajo nuk e pranoi se shërbimet inteligjente kishin dështuar, e as që ofroi ndonjë shpjegim pse Presidenca nuk ka një mekanizëm funksional të sigurisë. Ajo nuk tha se kishte mashtruar opinionin publik se “institucionet janë të informuara për çdo kërcënim”, ndërkohë që reagimet e tyre vinin gjithmonë me vonesë dhe shpesh të koordinuara për propagandë më shumë se për veprim efektiv.
Në fakt, zonja Osmani nuk tha as se ka gënjyer në mënyrë të përsëritur për raportimet që i ka bërë komunitetit ndërkombëtar, sidomos kur përfaqësues të BE-së apo SHBA-së e akuzonin Kosovën për mungesë koordinimi dhe për retorikë të dëmshme politike.
Katër vite të humbura pë Kosovës
Presidentja nuk tha se për këto katër vite të mandatit të saj, Kosova nuk ka pasur asnjë progres domethënës në politikën e jashtme. Nuk pati njohje të reja, nuk pati asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, madje as UNESCO apo Interpol – objektiva që ishin shpallur si prioritete të politikës së jashtme. Nuk tha se dështimet diplomatike janë pasojë e qasjes konfliktuoze të saj dhe të qeverisë, duke përjashtuar opozitën nga të gjitha proceset, duke denigruar çdo marrëveshje që nuk është nënshkruar nga Qeveria Kurti, dhe duke mos ndërtuar konsensus kombëtar për çështjet madhore. Zonja Osmani nuk e tha të vërtetën se e ka kthyer Presidencën në një zgjatim të partisë së Albin Kurtit dhe sektit Brenda saj Guxo dhe në një zyrë shërbimi për militantet e tyre. Ajo nuk pranoi kurrë publikisht se në vend që të jetë mbi palët, siç e kërkon Kushtetuta, ajo ka funksionuar si zëdhënëse politike e Vetëvendosjes.
Sulmi ndaj marrëveshjes së Hotit – dhe mungesa e kërkim-faljes
Një prej mëkateve politike më të rënda të Vjosa Osmanit është mënyra si e ka trajtuar marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri Abdullah Hoti në vitin 2020. Për katër vite rresht, ajo e ka demonizuar këtë marrëveshje, e ka paraqitur si “tradhti kombëtare” dhe si “përkulje para Serbisë”. Megjithatë, në mënyrë ironike dhe hipokrite, shumë nga pikat e asaj marrëveshjeje janë përdorur si bazë edhe nga Qeveria Kurti për të negociuar më tej. Madje, edhe pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për të vënë rend në procesin e dialogut, shumë nga sugjerimet e marrëveshjes Hoti janë rikthyer në tavolinë. Por Vjosa Osmani nuk kërkoi falje. Ajo nuk tha “më falni” që kam mashtruar qytetarët e Kosovës me retorikë të pabazë dhe ideologjike, që kam ndihmuar në përçarjen e skenës politike për interesa të ngushta personale. Ajo nuk tha që i ka detyruar strukturat shtetërore të funksionojnë në funksion të partisë dhe jo të interesit publik.
E vërteta që nuk u tha
Ajo që Vjosa Osmani nuk tha, është sigurisht më e rëndësishme sesa ajo që tha. Nuk tha që nuk është më përfaqësuese e unitetit qytetar. Nuk tha që ajo dhe Donika Gërvalla kanë mbushur ambassadat me delitante politik dhe analfabet.
Në asnjë moment, Presidentja Osmani nuk e pranoi që gjatë katër viteve të mandatit të saj – një periudhë tejet kritike për shtetin e Kosovës – politika e jashtme e vendit ka pësuar regres të dukshëm. Ajo nuk tha se përkundër pozicionit të saj, që në çdo shtet funksional shfrytëzohet për të ndërtuar ura diplomatike dhe për të rritur prestigjin ndërkombëtar të vendit, ajo në fakt ka shërbyer si zëdhënëse dhe mbrojtëse e një linje të vetme politike – asaj të kryeministrit Albin Kurti. Për më keq, ajo nuk e tha se është mashtruar ose e ka fshehur të vërtetën, kur u raportua që Serbia gati e kishte sulmuar Kosovën – një situatë që kërkon transparencë të menjëhershme për popullin. Për një Presidente, e vërteta nuk është zgjedhje taktike, është detyrim moral. Ajo nuk tha se ajo marrëveshje solli njohje të rëndësishme për Kosovën në arenën ndërkombëtare, si ajo nga Izraeli. Nuk tha që marrëveshja përfshinte projekte të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin rajonal. Dhe nuk tha që, me gjithë propagandën e saj të ashpër kundër kësaj marrëveshjeje, në fund asnjë hap konkret nuk është bërë për ta zëvendësuar atë me një marrëveshje më të mirë. As falje nuk kërkoi për këtë linçim publik të një përpjekjeje serioze për avancimin e interesave shtetërore. Ajo nuk e tha se për katër vite, nuk ka ndërtuar një model të ri qeverisës presidencial, por vetëm ka ndjekur linjën e partisë në pushtet, pa asnjë kritikë, pa asnjë distancë. Në thelb, Vjosa Osmani nuk është sjellë si presidente, por si zëdhënëse e Albin Kurtit.
Ajo që populli priste, por nuk e dëgjoi kurrë
Ajo që populli i Kosovës do të dëshironte të dëgjonte prej saj, ndoshta nuk është asgjë më shumë sesa një fjalë e thjeshtë: Falje.
Falje për mashtrimet.
Falje për dështimet.
Falje për arrogancën.
Falje për heshtjen.
Falje që i trajtoi qytetarët si spektatorë të një teatri politik, ku fjala “shtet” përkthehej në interes partiak, e fjala “presidente” në heshtje të qëllimshme.
Në fund, kjo analizë nuk është thjesht një kritikë ndaj një figure të vetme politike, por një reflektim mbi mënyrën se si udhëheqësit tanë përdorin fjalët për të fshehur të vërtetat më thelbësore. Vjosa Osmani është simbol i një politike që jeton në dritën e kamerave, por hesht përballë pasqyrës së përgjegjësisë. Ajo që nuk tha, flet më shumë se çdo konferencë shtypi. Dhe pikërisht kjo është tragjedia politike e Kosovës sot – një Republikë që endet në mjegullën e premtimeve të pambajtura dhe heshtjeve të qëllimshme.