Çka tash e mbrapa në Shqipëri?

22 mars 10:33

Agron Hoti

Asnjë vend ish-komunist s’e ka kaluar më me vështirësi tranzicionin nga komunizmi në demokraci sesa Shqipëria. Bile Shqipëria, ashtu siç është duke vazhduar, ende nuk mund të thuhet ta ketë kaluar plotësisht atë tranzicion. Zhvillimet politike brenda taborrit opozitar tregojnë më së miri se tranzicioni ende s’është përfunduar, kjo për faktin se kulti ndaj individit dhe mbrojtja me çdo kusht e interesit dhe klaneve të tij, vazhdon të mbizotërojë diskursin partiak kundrejt interesit kolektiv për të ecur drejt demokracisë dhe prosperitetit.

Pas dorëheqjes së Bashës, Shqipëria ka vetëm 3 opsione orientimesh politike:

1) Opsioni i parë – Pas dorëheqjes së Bashës do të duhej tërhequr dhe Berisha për t’i hapur rrugë demokracisë së brendshme në PD, pra për të bërë opozitarizëm për Shqipërinë e jo për individin dhe për ta bërë këtë parti vërtetë demokratike e të integruar në parti simotra evropiane. Ky variant, përpos që do të ishte më i miri për Shqipërinë, do të merrte edhe mbështetjen e SHBA-së, BE-së dhe tërë botës demokratike.
Një lidership i ri i PD-së, pa hipoteka të rënda të së kaluarës, properëndimor dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike padyshim që do ta forconte opozitën në Shqipëri, ashtu sikundër që do të mund të vinte në pushtet në mënyrë demokratike. Kjo është rruga evropiane që i duhet Shqipërisë, kur rotacionet e tranzicionet politike përpos që do të bëheshin në mënyrë demokratike, ato për më tepër do të bëheshin normë e sistemit politik në Shqipëri për gjeneratat që vijnë. Sipas këtij opsioni do të kishim situatë “win-win-win”, ngase do të fitonte PD, demokracia dhe Shqipëria;

2) Opsioni i dytë – Rizgjedhje eventuale në krye të PD-së nga Berisha, apo ndonjë eksponenti të kontrolluar prej tij siç saktësisht ishte deri dje Basha dhe vazhdimi i një opozitarizmi të qetë por të kontrolluar nga Berisha. Me Berishën apo ndonjë eksponenti të tij në krye të PD-së, pavarësisht sa i qetë do të ishte opozitarizmi i tyre, do të mungonte mbështetja e SHBA-së dhe BE-së dhe prapë nuk do të fitonte demokracia në Shqipëri.
Futja në listë të zezë nga SHBA e korrupsionistëve dhe minuesve të demokracisë nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, përbën orientimin e SHBA-së për t’i dhënë shansin demokracisë në Ballkan Perëndimor, një demokracie të sfiduar gjithnjë e më shumë nga Rusia, Kina, Irani dhe Turqia. Në këtë opsion të dytë do të kishim një situatë “win-loss-loss”, ku Berisha do të rifitonte PD-në, por do të humbte demokracia dhe Shqipëria;

3) Opsioni i tretë – Rizgjedhje eventuale në krye të PD-së po ashtu nga Berisha apo ndonjë eksponenti të kontrolluar prej tij siç saktësisht ishte deri dje Basha, i cili, i vetëdijshëm se me mjete demokratike nuk do të mund ta marrë shpejtë pushtetin dhe i vetëdijshëm për goditjen nga amerikanët, do të mundohet të imponohet si faktor përcaktues në politikën shqiptare me atë që ai di më së miri, demonstrata në rrugë, të cilat në rastin më të mirë do të mund ta mbanin Shqipërinë nën tension duke penguar edhe më tej reformat dhe demokracinë, ndërsa në rastin më të keq do të mund ta përshkallëzonin dhunën atje, me përmasa të 97-tës, duke rrënuar çdo gjë.

Ky opsion nuk do ta kishte mbështetjen e SHBA-së e BE-së, ndërkohë që do të çonte ujë vetëm në Rusi e Serbi, të cilat duan shpërqendrim vëmendjeje nga lufta në Ukrainë dhe sigurisht një Shqipëri të kontrontuar me SHBA. Në këtë opsion do të kishim një situatë “loss-loss-loss”, ku do të humbte PD, demokracia dhe Shqipëria.

Shqipëria, për fat të keq, e ka provuar se ç’do të thoshte përshkallëzim i dhunës në të kaluarën:
– Rasti i parë ishte në vitin 1997 që solli edhe dështimin fatal të shtetit shqiptar, ku e desh të ndërhynte Perëndimi për ta rikthyer Shqipërinë në rrugë evropiane;
– Rasti i dytë kur Shqipëria po shkonte drejt shpërthimit e përshkallëzimit të dhunës ishte në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, kur qe dashur të zbarkonte SHBA dhe NATO për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi situate paszgjedhore. Aleanca e segmenteve të ndryshme në Kosovë me opozitën atje e rëndonte edhe më shumë situatën;
– Rasti i tretë mund të jetë tash e tutje, nëse PD nuk i hyn procesit të mirëfilltë zgjedhor, por zgjedh rrugën dhe eventualisht dhunën.
Uroj që Kosova zyrtarisht e jozyrtarisht të mos marrë kurrfarë anë në zhvillimet potenciale që do të mund të marrin kthesën në Shqipëri. Nëse Kosova ka qenë model i rajonit për zgjedhje, për rotacione e tranzicione politike demokratike, atëherë duhet mbajtur atë kurs të mbështetur fuqishëm dhe nga SHBA dhe BE.
Çdo anim kosovar kundër kursit amerikan në Shqipëri, automatikisht do të përkthehej në orientim kundër kursit amerikan në Kosovë.
E animi eventual kosovar kundër kursit amerikan çon ujë në Rusi e Serbi, të cilat mezi presin destabilizimin dhe fundosjen e shtetit të Kosovës. Kosova dhe Shqipëria kurrë më shumë se sot nuk kanë pasur nevojë për qetësi, vetëpërmbajtje, konsultim e bashkëpunim të ngushtë me SHBA. Kjo për faktin se siguria dhe ekzistenca e kombit shqiptar ka vetëm një emër: SHBA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vladimir Putin është mbështetur për muri dhe sipas Joe Bidenit,…