Ç’kemi në këto “lule”?

24 gusht 2018 | 19:44

Sadri Fetiu

(Rrustem Berisha, “Lulet e pleqërisë”, Artini, Prishtinë, 2018)

Kur i lexova vjershat e përmbledhjes “Guri i Gjeranës” të Rrustem Berishës e vërejta fare mirë se ky autor i është kthyer me shpirt dashurisë së tij të parë, poezisë, të cilën e kishte lënë në harresë gati për 30 vjet. I përjetova me kënaqësi këto vjersha dhe u binda se këtu ishin shumë nga veçantitë poetike, të cilat janë të pranishme edhe në vjershat e tij të para, që i kam lexuar dikur në moshën e rinisë. Pak më vonë, përjetimet e njëjta i pata edhe duke lexuar edhe poezinë e veprës pasuese të këtij poeti, “Kroni i lajthisë”, të cilën e përshkojnë shumë pamje të përjetuara dhe të rikrijuara me një ndjeshmëri të rrallë nga periudha e fëmijërisë. E ndjeva si të ishte edhe pjesë e jetës sime aromën e vendlindjes së tij të strukturuar me një varg formalisht klasik, por kuptimisht modern në shumicën e cikleve të kësaj përmbledhjeje.

Duke përfunduar recensionin për këtë vepër e krijova bindjen se Rrustem Berisha ka çka për të na thënë edhe më tutje, dhe do të vazhdojë të krijojë poezi të reja, prandaj edhe pohova se do të ishte mirë, që në këtë frymë ta realizonte edhe një përmbledhje të tretë. Bindja ime doli e vërtetë dhe ai tash, brenda një kohe relativisht të shkurtër nga botimi i përmbledhjes së mëparshme, po i ofron lexuesit një vepër të re poetike, e cila mund të zgjojë interesim, duke filluar që nga vetë simbolika e titullit – “Lulet e pleqërisë”.
Pa hyrë fare në analiza të veçanta të vlerave poetike të këtij libri, kësaj radhe do të tregoj shkurtimisht se çka kemi në këtë përmbledhje.

Libri hapet me një tekst të shkurtër – porosi e poetit për lexuesit e librit të tij, ku ai kërkon që ata të kenë parasysh se këto vargje i ka hartuar një tetëdhjetëvjeçar, i cili ka dëshirë që edhe lexuesit të gjykojë dhe të ndjejë njësoj si ai. Po këtu është edhe një strofë që shpreh vetëdijen e autorit për vlerat e poezisë, në të cilën tregohet modestia e poetit të moshuar, që i ka krijuar këto “lule të pleqërisë”.

Vjershat e ciklit të parë “Në oborr të Fishtës” i përshkon fryma e atdhedashurisë së poetit, që në fillim krijon një paralele të bukur historike dhe aktuale ndërmjet dy kalave të qyteteve të lashta shqiptare, Prizrenit dhe Ulqinit, vargje këto ku përvijohet krenaria dhe dhembja shekullore që poeti e ndjen në shpirtin e tij sa herë që udhëton nga një qytet në tjetrin. Duke përjetuar aktualitetin e kohës sonë ai në vizionin e tij poetik e përjeton edhe shërimin simbolik të plagëve të Gjergj Elez Alisë, ndërsa duke e përsiatur për kultin e poezisë ai atë e konsideron si me shpatë me të cilën e pret tiraninë.

Ndjeshmëri atdhetare autori përjeton bashkë madhështinë e poezisë së Gjergj Fishtës në vjershën kushtuar oborrit të poetit tonë të madh kombëtar, por edhe dhembjen për pakujdesinë e tanishme ndaj trashëgimisë kulturore. Ndjenja e dashurisë ndaj atdheut përjetohet fuqishëm edhe në vargjet e vjershës “Lumturisht”, pastaj “Lule e luleve”, ndërsa dhembja dëbimin e dhunshëm nga atdheu shprehet më së mirë në vargjet e vjershës “U bëra refugjat”

Në vazhdim cikli i ri i vjershave titullohet “Lisi i madh”, ku krahas evokimit të kujtimeve të shumta nëpërmjet personifikimit të këtij lisi të vendlindjes shprehet dashuria dhe dhembja për fatet e njerëzve të vendlindjes së tij, lisi i madh i të cilës është bërë simbol i qëndresës, i paralajmërimeve të rreziqeve, i përurimit të lindjeve dhe i shpalljes së vdekjeve të njerëzve të këtij mjedisi. Brenda këtij cikli kemi edhe disa vjersha të ndjeshme me tematikë sociale, në të cilat e përgjithshmja dhe e veçanta gërshetohen brenda shprehjes realiste, ku bëhen edhe paralelizma të largëta me “të mjerët” e Viktor Ygos, por edhe përshkruhet në hollësi sjelljet e evgjitit, gishtat dhe dora e lypësit, si edhe shprehet papunësia e madhe e njerëzve që edhe sot e kësaj dite kërkojnë punë me anë të konkurseve, por nuk kanë mundësi të jetojnë me nderë nga puna e tyre.

Vjen pastaj edhe pyetja retorike “kush na nxjerr nga humnera”, “si të dalim nga skëterra”, si edhe pasojat e trashëguara të hakmarrjes, vëllavrasjeve e inateve të shumta që e përdhosin shpirtin e njeriut.
Në vazhdim e kemi cikli me titull “Poezitë e mia me ju”, ku poeti i personalizuar komunikon drejtpërdrejt me lexuesin për preokupimet e tij jetësore, për jetën që e ka fillimin, por edhe kapakun e vet. Është këtu edhe poezia refleksive për Vitin e Ri, numrat e të cilit ikin bashkë me vrapimet dhe nuk kthehen më kurrë. Në një nga vjershat e këtij cikli tërhiqet një paralele poetike interesante midis zogut shtegtar dhe poetit, kur të dy udhëtojnë, zogu me krahë të vërtetë dhe poeti me fantazi, poeti duke u strukur në vetminë e vetë, kurse zogu i lirë ngjitet në lartësi me shumë cicërima e me këngë.

Po këtu kemi edhe kontrastin midis lotit dhe gjakut si dy simbole të ndjeshmërisë dhe të dhembjes që e masin peshën duke bërë krahasime midis llojeve të lotëve, më ç’rast peshën më të madhe e ka loti i nënës që mbyt krejt në pikëllim, i manifestuar nga dhembje për fëmijët e saj, Brenda kësaj poezie refleksive kemi edhe situata të tjera konstastive, në të cilat poeti e paraqet edhe zërin tjetër, ku vargjet janë në vazhdimësi “lavd dhe vaj” dhe gjithnjë “kushtrim për më të mirët”. Ai pohon se nëpërmjet poezisë ecet gjithnjë “në rrugën e fantazisë” dhe nga ajo dëgjohen “vetëm zërat e dashurisë”.

Duke komunikuar drejtpërdrejt me lexuesin e vet poeti tregon pse shkruan poezi, duke pasur gjithnjë dyshimin se si do të pranohet ajo nga ata që e lexojnë, sado që në momente frymëzimi është i vetëdijshëm se kjo nuk është një punë e kotë. Duke konstatuar se vjershat e tij janë “lule të pleqërisë”, ai e tërheq një paralele ndërmjet plakut dhe fëmijës, ku pleqtë janë “në kolonën e lodhur të ngjarjeve që kanë ndodhur”, kurse fëmijët janë të shumtë dhe e ”kanë mbushur oborrin”.

Në radhën e kësaj poezie kemi edhe plotë parandjenja për brengat e vogla, për udhëtimin simbolik, për shikimin gjithnjë e më të mjegullt, por edhe për respektin që plaku gëzon nga të rinjtë, bashkë me dëshirën që të shtyhen vitet e jetës, të ketë sa më pak ndodhi të trishtueshme, sa më pak stuhi në të cilat plaku nuk do ta njohë as vetveten. Kemi këtu edhe plot rrëfime të çiltra për moshën, për gjendjen fizike e shpirtërore të pleqve e në ndonjë rast këtë e ilustron edhe përshkrimi i ndjeshëm deri në dhembshuri e përgjërim për “plakun e krejt mëhallëve” që tashmë ka mbetur krejt i vetmuar.

Këtu është edhe një cikël i poezive të ashpra, ku zemërimi i poetit është i papërmbajtur, ku ai i godet si me çekan të gjithë ata që e kanë katranosur gjendjen e përgjithshme të shumicës së popullit të Kosovës. Pra, vjershat për “Katranxhinjtë” fillojnë me një ironi të hollë për “ditën e mirë” – pa ligje, të cilat i kanë miratuar “ata që e kanë prishur grigjën” Realiteti i vrazhdë i Kosovës së sotme, sipas poetit, mund të tregohet vetëm nëpërmjet gojës së “të marrit të rrugës”, që nuk kursehet që nuk ngurron edhe ta shajë pushtetin e korruptuar deri në palcë. Në këtë cikël janë pastaj një numër poezisë sarkastike që janë kuptimplote edhe si tituj: “Çartavendi, “Historia e qenve, ‘Hendeku i madh”, “Fytyrëmajmuni” “Gojëujku, “Gjuha zero”, “ Katranxhinjtë” etj.

Në to shfryhet një mllef i madh i njeriut të pakënaqur, të mos them të mllefosur dhe të zhgënjyer keq, me të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur këtij vendi. Në ndonjë rast gjuha e poetit është krejt retorike, por këtu ka edhe shprehje të reja simbolike dhe figura të rralla interesante, të cilat e pasurojnë poezinë tonë satirike në përgjithësi.

Në ciklin vijues që titullohet “Valët e verës” poeti i kthehet përsëri poezisë së qetë që lidhet me kujtimet e së kaluarës, ku ai sikur e poetizon me fantazinë e tij një urë të padukshme lidhëse ndërmjet dy periudhave të rëndësishme të moshës – fëmijërisë dhe pleqërisë. Me ndjeshmërinë e një plaku të përmalluar e të mallëngjyer nga kujtimet e fëmijërisë ai në poezinë e tij sjellë në një varg pamjesh formale dhe në rikrijime të ndjeshme situata nga e kaluara, nga fëmijëria e tij në vendlindje, të cilat me një fantazi të tejdukshme i lidh ato me vende krejtësisht të largëta, në mënyrë të veçantë me fshatin Shtoj afër Ulqinit, në të cilin poeti ynë e ka kaluar një pjesë të jetës së tij, sidomos gjatë pushimeve në stinën e pranverës dhe të verës.

Të arrira artistikisht, sa mund të quhen lirisht me vlerë antologjike, në këtë cikël janë sidomos vjershat: “Bajrami i Madh”, “Valët e verës”, “Këtu e ndjej veten mirë” etj. Këto vjersha dhe përgjithësisht poezitë e këtij cikli i përshkon një ngrohtësi e veçantë e përmallimit për të kaluarën, një ndjeshmëri e përjetimeve të sotme bashkë më gërshetimin e një rrezatimi kuptimplotë ndërmjet periudhave ekstreme të jetës – fëmijërisë dhe pleqërisë, të cilat edhe si të tilla përmbajnë inde të shumta poetike që autori i ka realizuar me një mjeshtri të veçantë.

Ritmet e ndjeshmërisë së periudhës rinore në vetëdijen e poetit të moshuar e karakterizojnë edhe ciklin e titulluar “Valletarja”. Midis këtyre vjershave janë realizuar artistikisht motivet e veçanta në vjershat: “Një shteg i kujtimeve”, “Drithma shqetësimi”, “Valë cicërimesh” dhe “Valltarja”. Edhe në këto vjersha është gërshetuar bukur bota e ideve dhe e ndjenjave të realitetit të sotëm me shprehjen tradicionale të poezisë sonë.

Përjetimet intime të poetit në përditshmërinë e tij jetësore, brenda rrethit familjar dhe shoqëror e përshkojnë edhe ciklin e vjershave “Brengë e vogël”, ku gjejmë shumë hollësi, të cilat mund t’i vërejë vetëm syri i poetit dhe çështje që e karakterizojnë botën e tij të krijuar brenda atyre mjediseve Për një frymëmarrje poetike të ngjashme me atë të Dritëro Agollit, këtu brenda mikrobotës së poetit, i gjejmë disa poezi, midis të cilave për vlerën e veçantë poetike shquhen poezitë “I miri qen, Larko” dhe ajo me titull “Pak në oborr”.
Përmbledhja poetike “Lulet e pleqërisë” e Rrustem Berishës përmban edhe një cikël vjershash përshkruese me titull “Fytyrë dimri”. Edhe në këtë rast përshkrimi është në funksion të përjetimeve të moshës dhe të përshkrimeve poetike të mjediseve të caktuara, që kanë edhe kuptime simbolike, si, bie fjala “Deti fëmijë – deti Perëndi”. “Me pranverën ngohu vetin”, “Turbullirë kohe” dhe “Në fund të udhëtimit”.

Poeti Rrustem Berisha, që në rini është shquar si krijues i letërsisë për fëmijë, veçanërisht i prozës, edhe këtë përmbledhje e mbyll me një cikël vjersha për më të rinjtë, që e ka titulluar “Eja flutur”. Me anë të këtyre vjershave poeti komunikon natyrshëm me fëmijët, duke paraqitur poetikisht situata të ndryshme nga jeta e fëmijëve dhe duke treguar ndonjë episod nga fëmijëria e tij. Këto vjersha i karakterizon gjuha e pasur dhe ritmika e veçantë e poezisë së fëmijëve.

Në fund do të theksojmë se përmbledhja “Lulet e pleqërisë” e Rrustem Berishës përmban në vetvete shumë poezi të bukura si përjetime të një poeti të moshuar, i cili e ka ende të gjallë dhe të fortë muzën poetike: frymëzimin, fantazinë, përjetimet e fuqishme dhe fuqinë shprehëse të fjalës poetike. Ai do të ecë edhe më tutje bashkë me poezinë, të cilës i është përkushtuar tërësisht, si në moshën e rinisë, ashtu edhe tash kur e ka përfunduar përmbledhjen “Lulet e pleqërisë”. Nuk do të ishte aspak e habitshme nëse ai edhe në të ardhmen do të na dhuronte edhe ndonjë përmbledhje të re poetike…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë dhe zëvendësministri i…