Çmimet e konsumit shënuan ngritje 2.9 për qind

11 janar 2019 | 15:52

Prishtinë, 11 janar (ER)- Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK), për muajin Dhjetor të vitit 2018, viti bazë 2015=100.

Sipas ASK-së, shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2018 ishte 1.1 për qind.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.8 për qind në dhjetor 2018, krahasuar me muajin nëntor 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (2.9 për qind); perime (10.8 për qind); dru zjarri për ngrohje (4.7 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 për qind në IHÇK”, është thënë në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: përdorim i pajisjeve për transportin personal (-0.9 për qind) dhe rënie e çmimit të naftës dhe benzinës me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0.1 për qind) në IHÇK.

“Shkalla e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2018 me muajin dhjetor 2017 ishte 2.9 për qind. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 2.9 për qind në muajin dhjetor 2018, krahasuar me muajin dhjetor 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (7.8 për qind); mish (4.3 për qind); qumësht, djathë dhe vezë (4.3 për qind); perime (21.1 për qind); pije alkoolike (2.9 për qind); duhan (2.9 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (10.5 për qind); çmimet e naftës dhe benzinës, shërbimet për transport (3.5 për qind); çmimet e biletave të transportit ajror, shërbimet hoteliere (2.3 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.4 për qind në IHÇK”, është cituar në raportin e ASK-së.

Sipas këtij raporti, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-12.1 për qind); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (-3.2 për qind); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (-0.7 për qind); energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-1.9 për qind), orenditë dhe aparaturat, qilima dhe shtroja të tjera për dysheme (-2.0 për qind); pajisje telefonike dhe të telefaksit (-4.7 për qind); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative
(-2.5 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.5) për qind në IHÇK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhur me reagimin e Milazim Krasniqit për “Fjalorin enciklopedik të…