
Çmimi “Hasan Prishtina” u jepet studentëve të dalluar në përvjetorin e protestës së 97-s
Në “Ditën e Studentëve” të organizuar nga Parlamenti Studentor, studentëve të dalluar u është ndarë për herë të parë çmimi “Hasan Prishtina”.
Këtë çmim e morën studentët e nivelit bachelor: Dorina Doda, Erion Hasi, Ledianë Hoti, Rron Zeka, Butrint Sallauka, Yllka Thaqi, Albena Veseli, Elsa Kqiku, Arbër Spanca, Amar Dragusha, Feime Hajdari, Rona Blakaj, Aridon Luta, Leira Musliu e Mjellma Ramadani.
Po ashtu, u shpërblyen edhe studentët e masterit: Viola Graiçevci, Lejla Krasniqi, Olta Blakaj, Lea Meraku, Leard Nuredini, Ylberinë Baliu, Erna Hulaj, Flamur Sejdiu, Leutrim Sahiti, Ylli Shtavica, Aneta Beqiri, Dea Cermjani dhe Dafina Ahmetaj.
Çmimin “Hasan Prishtina” 28 studentëve të dalluar të UP-së ua ndanë së bashku rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.
Rektori Hajrullahu u tha studentëve se duhet të kenë ëndrra të mëdha dhe të mendojnë me kokë të tyre, të kujtojnë të kaluarën dhe ta ndërtojnë të ardhmen.
Kryetarja e Parlamentit Studentor, Drilona Hamiti, tha se Universiteti i Prishtinës është gurthemel i lirisë së mendimit dhe hapësirë e zhvillimit të mendimit kritik. Ajo konstatoi se universiteti nuk duhet të jetë vetëm vend ku merret një diplomë.
Gjatë ngjarjes foli edhe dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Bekim Baliqi.
Në ceremoninë e nderimit të studentëve morën pjesë edhe prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje të studentëve, prof. Majlinda Gjelaj, prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, prof. Naim Jerliu, prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari, dekanë të njësive akademike, profesorë të UP-së, studentë e mysafirë.
Çmimi “Hasan Prishtina” është çmimi më i lartë për studentët, sipas Rregullores për procesin dhe procedurën e vendimmarrjes në përzgjedhjen e fituesve të titujve të nderit, çmimeve për studentët e dalluar dhe mirënjohjeve, që u miratua nga Senati i Universitetit të Prishtinës më 18 korrik 2025.
Dita e Studentëve përkon me përvjetorin e protestës së 1 tetorit 1997 të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të UP-së për kthim në objekte universitare. Protestuesit e veshur me të bardha u shpërndanë atëherë me forcë nga policia e ish-regjimit serb, por ngjarja u pa si një shpejtuese e proceseve drejt çlirimit përfundimtar të vendit.