CNN: Trumpi u tha liderëve europianë se s’negocion për territorin ukrainas

14 gusht 2025 | 08:21

Liderët europianë i bënë thirrje presidentit amerikan Donald Trump të mërkurën të mos arrijë një marrëveshje të njëanshme paqeje për Ukrainën me homologun e tij rus Vladimir Putin gjatë takimit të tyre kokë më kokë më vonë këtë javë në Alaskë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte thirrur samitin virtual me Trumpin, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa liderë europianë, pasi u shtua frika se Putin, ish-spiun i KGB-së, do të kërkonte ta bindte presidentin amerikan ta shihte luftën sipas kushteve të tij.

Pas takimit, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Trump ishte “shumë i qartë” se Washingtoni dëshiron ta arrijë një armëpushim dhe se çështjet territoriale të Ukrainës nuk mund të negociohen pa Zelenskyn.

Trump, i cili e përshkroi telefonatën si “shumë të mirë”, u tha gazetarëve se nëse takimi i tij me Putin shkon mirë, një takim pasues midis presidentit rus dhe Zelenskyt mund të ndodhë “pothuajse menjëherë” më pas.

“Ka një mundësi shumë të mirë që të kemi një takim të dytë i cili do të jetë më produktiv se i pari. Sepse i pari është: unë do të zbuloj se ku jemi, çfarë po bëjmë”, tha Trump gjatë një paraqitjeje në Qendrën Kennedy.

Dy diplomatë europianë të njohur me takimin virtual i thanë CNN-it se gjatë bisedës, Trump dukej se tha se do të shtynte për një armëpushim pa kushte në takimin e tij me Putinin.

Trump tha se besonte se një armëpushim do të ishte një shenjë e vullnetit të mirë nga Rusia, dhe gjithashtu tha se territori ukrainas nuk është për t’u negociuar prej tij, thanë burimet.

Liderët e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Finlandës, NATO-s dhe Bashkimit Europian kanë marrë pjesë në takimin virtual me Trumpin. Ai u pasua nga një takim tjetër më i madh i “Koalicionit të të Gatshmëve”, ku mori pjesë nënpresidenti amerikan JD Vance.

Pas takimeve, Zelensky tha se liderët ranë dakord për “pesë parime të përbashkëta” për ta përcaktuar “formatin e negociatave” që do të mbahen në Alaskë, duke përfshirë fokusin në një armëpushim dhe garanci sigurie “me të vërtetë të besueshme”.

“Gjithçka që ka të bëjë me Ukrainën duhet të diskutohet ekskluzivisht me Ukrainën. Duhet të përgatisim një format trepalësh për bisedime. Duhet të ketë një armëpushim – kjo është numër një”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi me “pasoja të rënda”…