
Conte ndryshon mendjen, nuk largohet nga Napoli
Trajneri Antonio Conte pritet të qëndrojë në krye të Napolit, duke vijuar projektin ambicioz të nisur sezonin e kaluar. Edhe pse ende pritet zyrtarizimi, marrëveshja është në thelb e mbyllur dhe në qytetin jugor të Italisë mbizotëron entuziazmi.
Presidenti i Napolit ka arritur të bindë trajnerin e titullit të katërt kampion të vazhdojë punën në “Stadio Maradona”, duke iu përgjigjur pozitivisht të gjitha kërkesave që Conte kishte paraqitur. Përveç një rritjeje të ndjeshme të pagës (nga 6 milionë euro në sezon), De Laurentiis ka garantuar një merkato të nivelit të lartë, me të paktën gjashtë përforcime cilësore, ndër ta edhe një objektiv madhor si Kevin De Bruyne, për të qenë kompetitiv edhe në Ligën e Kampionëve.
Një tjetër garanci e dhënë nga klubi është ristrukturimi i qendrës stërvitore të Castel Volturno, që do të modernizohet për t’u përshtatur me standardet e një klubi elitar evropian.
Përgjigjja përfundimtare e Conte pritet brenda orëve në vijim, por optimizmi në Napoli është maksimal. Palët duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe gjithçka po shkon drejt rinovimit të një bashkëpunimi që premton të vazhdojë me suksese të reja.