
Conte: ‘Scudetto’ ende është e arritshme
Antonio Conte pranoi se Napoli “humbi bonusin që kishte” në garën për “Scudetto” pas barazimit 2-2 ndaj Genoas të dielën mbrëma, duke shprehur hidhërim dhe keqardhje, por theksoi se titulli ende është i mundur.
“Genoa pati dy gjuajtje drejt portës dhe shënoi të dyja. Këto gjëra ndodhin edhe në futboll, kur pranon një gol, gjithmonë mund të kishe bërë diçka më të mirë. Është zhgënjyese, sepse e meritonim fitoren për gjithçka që krijuam, kështu që mbetet hidhërim dhe keqardhje”, ka thënë Conte.
“Nuk mund të kërkoja më shumë nga lojtarët e mi, pasi ata kishin 22 gjuajtje drejt portës, 11 prej tyre në portë, dominuan posedimin e topit dhe në fund ndeshja ishte barazim. Duhet të përmirësohemi në situata të tilla. Nuk e meritonim humbjen e këtyre dy pikëve, por në të njëjtën kohë duhet të kujtojmë se kemi humbur bonusin që kishim. Na duheshin shtatë pikë nga tre raunde për të fituar titullin, tani na duhen gjashtë pikë nga dy nëse duam të fitojmë ‘Scudetton’, gjë që do të ishte diçka e pabesueshme”, ka deklaruar Conte.