Dashuri pa lajka

07 korrik 2020 | 18:05

Lakmia për ta puthur qiellin mbi ballin e nënës, nga dëshira dhe malli ëmbëlsohej me lëngun e luleshtrydhes që i rridhte vogëlushes nga buzët e një fëmije engjëllor, e cila porsi flutur sillej rreth së ëmës pa ia ndarë sytë asnjëherë.

Ajo me doçkat e saj merrte flokët e nënës duke ia krehur me gishtërinjtë e butë. Pastaj, faqet e nënës me dashuri i ofronte pranë buzëve të saj qumështore.

Anija lundronte bashkë me dashurinë e saj.
Vogëlushja – syrrushja, herë-herë fuste kokën në gjoksin e bardhë që e rriti me dashuri prej nëne.

Unë, bashkudhëtarja e së njëjtës anije, me një mbyllje syri kujtova tim bir dhe një natë dimri, shumë vite më parë, bënte një acar që t’i nxirrte sytë.
Diku larg nga qyteti ecnim nëpër një ftohmë të madhe që na merrte shpirtin. Im bir i sëmurë digjej nga zjarrmia e madhe veshur gjithë trupit të tij.

Pa besuar askush se do të shpëtonte engjëlli im, natën e tretë syengjëlli kokëmbështetur në ballin tim, nxori një fjalë duke më thënë: Mami, ma jep numrin e Zotit!
E habitur nga e papritura, ia lëmova flokun dhe iu përgjigja: Për çfarë të duhet numri i Zotit, zemra ime e vockël?

Dua ta thërras Krijuesin tim të ma shërojë mamanë që ta mbaj në gji.
Dua t’i them: Babanë ma more, të lutem më lërë mamanë të qëndrojë me mua, e dua buzëqeshjen e saj të më bëjë dritë.
Lutjen e një engjëlli e përqafoi Perëndia dhe nga shpirti i nxori tërë flakët, duke e shpëtuar një zë fëmije, një dashuri.

07 .07.2020
Valbona R. Hadri

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas takimit në Elysee, ku ishte pritur nga presidenti francez…