Dashuria politike – hipokrizi e rrezikshme

20 tetor 2025 | 15:03

Shkruan: Hisen Berisha

Kosova po përballet me një paradoks të rrezikshëm: partitë që dje shanin e denonconin njëra-tjetrën për tradhti, sot po përqafohen në “dashuri” të reja politike nëpër komunat e vendit. Po lindin koalicione që s’kanë as parim, as moral por vetëm etje për pushtet. Dhe kjo nuk është dashuri për qytetarin, por për karrigen.
Të njëjtët liderë që para pak muajsh betoheshin se nuk do të bëheshin kurrë pjesë e asnjë bashkëqeverisjeje me Albin Kurtin, sot po shkojnë drejt tij me duar të hapura – për ta ndihmuar të mbijetojë politikisht. Këta janë njerëzit që e quajtën Kurtin rrezik kombëtar, produkt politik serb dhe rus, njeri që po e ndan Kosovën, që po e përplas me SHBA-të dhe që e çoi vendin në izolim. U etiketuan nga Kurti dhe struktura e tij si tradhtarë në bashkërendim me Vuiçiqin e Beogradin. Dhe megjithatë, për interesa të vogla lokale, po i hapin derën për t’iu subordinuar në qeverisjen qendrore.
Kjo është hipokrizia më e madhe politike që ka parë Kosova që nga paslufta, kur betohesh për parime, e i shet ato për një ulëse në ndonjë kuvend komunal.
Në vend që të ndërtojnë opozitë të fortë, po ndërtojnë ura nënshtrimi ndaj pushtetit të Albin Kurtit. Në vend që të ruajnë partneritetin me SHBA-në, po i japin jetë një qeverie që vetë Departamenti i Shtetit e ka paralajmëruar si problem për stabilitetin e rajonit dhe për interesat amerikane në Kosovë.
Ku mbetën zotimet për miqësinë me SHBA? Ku mbeti “vija e kuqe” kundër populizmit dhe autoritarizmit të Kurtit?
Në vend që të dëgjojnë thirrjen e Uashingtonit për ndryshim politik, ata po e forcojnë atë që SHBA e konsideron pengesë për demokracinë.
Nëse dikush ka harruar, Albin Kurti është sot politikani më i izoluar në raport me SHBA-në. Nuk pranohet në Uashington, nuk ftohet në samite strategjike, nuk përmendet në agjenda të aleancës.
Ai është një “non grata” e heshtur, për të mos e poshtëruar publikisht shtetin e Kosovës. Dhe megjithatë, partitë e ashtuquajtura opozitare po i japin oksigjen për mbijetesë, në kurriz të interesit shtetëror.
Kjo nuk është politikë, është dorëzim. Është tregti e ulët me dinjitetin kombëtar.
Në këtë lojë të pistë, nuk ka më të majtë e të djathtë; ka vetëm të përfshirë dhe të nënshtruar. Dhe kjo ndodh sepse të gjithë janë peng i një zinxhiri ndikimi që fillon në Soros, kalon nëpër agjentët e tij në Tiranë e Beograd, dhe përfundon në Prishtinë, ku lidershipet mbahen gjallë vetëm për aq sa shërbejnë interesave të huaja.
Prandaj Kosova nuk ka më nevojë për “dashuri politike”, por për katarsis kombëtar. Jo luftë, por përballje të madhe qytetare e morale. Jo dhunë, por zgjim. Jo përçarje, por bashkim në mbrojtje të dinjitetit të shtetit dhe aleancës me SHBA-në.
Koha e kompromiseve ka mbaruar.
Nëse klasa politike nuk reformohet vetë, duhet ta reformojë populli me votë, me protestë e padëgjueshmëri qytetare – me refuzim total të çdo mashtrimi të ri politik. Sepse populli nuk ka më luksin të tradhtohet për herë të tretë nga të njëjtët njerëz mashtrues.
Zgjidhja është e qartë: kthim tek parimet, tek miqësia me SHBA-në, dhe tek ndershmëria në politikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), u…