Dashuria që lindi LIRINË!

22 shtator 2025 | 16:20
Astrit Gashi
Astrit Gashi

 

Në zemrën e Kosovës në Drenicën kreshnike çdo lot dhe çdo këngë fletë për dashurinë e madhe për atë dashuri që e lindi lirinë. Sot, më 22 Shtator, kombi shqiptar përkulet me respekt dhe krenari për dy figura që e deshën njëri tjetrin dhe atdheun me të njëjtin zjarr, duke u bërë simbol i idealit kombëtar Heronjtë e Kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.
Jeta dhe veprat e tyre reflektojnë një filozofi të jetuar mbi dashurinë dhe sakrificën. Ata nuk ishin thjesht një çift i dashuruar por ishin një unitet shpirtëror, një zemër e vetme që rrahu në dy trupa, një shembull se dashuria e vërtetë nuk njeh kufij mes individit dhe përgjegjësisë ndaj kombit. Dashurinë për njëri-tjetrin e ngritën aq lart, sa ajo u bë dashuri për Kosovën e cila u bë amanet i jetës së tyre dhe udhërrëfyes i veprës së tyre të përkushtuar.
Fehmiu dhe Xheva janë shembull i guximit dhe përkushtimit të palëkundur. As frika, as lodhja, as burgjet dhe as mërgimi nuk e ndanë unitetin e tyre. Çdo hap i tyre ishte një betim filozofik për liri dhe drejtësi. Nga frontet e luftës në Kroaci, te përgatitja dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata ishin gjithmonë bashkë, si dy shtylla të së njëjtës flamur, duke shfaqur qëndresë dhe frymëzim për të gjithë brezat.
Rënia e tyre dorë për dore nuk shënoi fundin e jetës së tyre, por kurorëzoi idealin dhe sakrificën. Ata shkrinë dashurinë dhe jetën në themelet e lirisë së Kosovës. Në gjakun e tyre u shkrua një këngë që nuk shuhet kurrë, kënga e dashurisë së pastër, e besës dhe e atdheut një testament filozofik për lidhjen e dashurisë personale me idealin kombëtar.
Sot, 27 vjet pas rënies së tyre, kujtimi i tyre mbetet udhërrëfyes për të kuptuar se dashuria më e madhe është ajo që lind lirinë dhe që formëson pavdekësinë e shpirtit. Fehmiu dhe Xheva mbeten frymëzim i brezave, poezi e gjallë e shpirtit shqiptar dhe dëshmi se sakrifica dhe përkushtimi nuk janë vetëm histori, por filozofi e jetuar që udhëheq kombin drejt të ardhmes.
Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ethet e Topit të Artë do të marrin fund sonte.…