Dashuria që nuk shuhet, Luis Enrique kërkon fitoren për vajzën e tij të ndjerë

08 maj 2025 | 16:12

Luis Enrique, trajner aktual i Paris Saint-Germain, i rikthehet finales së Ligës së Kampionëve me një ngarkesë emocionale të jashtëzakonshme. Dhjetë vjet më parë, në Berlin, ai ngriti trofeun më të rëndësishëm të klubeve me Barcelonën pas një fitoreje 3-1 ndaj Juventusit.

Në mesin e festimeve në ‘Olympiastadion’, një imazh mbeti përjetësisht i gdhendur në kujtesën e tij: vajza e tij e vogël, Xana, me një flamur të Barcelonës të bashkuar me atë të Katalunjës, e ngulur krenarisht në fushën e blertë.

Ishte një moment magjik që ai ëndërronte ta përsëriste, këtë herë me PSG-në. Por, për fat të keq, kjo ëndërr mori një tjetër ngjyrim pas tragjedisë personale që goditi familjen Enrique-s: në vitin 2019, Xana ndërroi jetë në moshën 9-vjeçare, pasi vuajti nga një sëmundje e rëndë — osteosarkoma, një formë e rrallë e kancerit agresiv në kocka.

Pavarësisht dhimbjes së humbjes, Luis Enrique e ka mbajtur vajzën pranë në zemër. “Për mua ajo nuk ka vdekur. Ajo është gjithmonë me ne. Çdo ditë flasim për të. Besoj se Xana na shikon nga diku,” ka deklaruar ai së fundmi, duke ndarë një lidhje shpirtërore që nuk është ndërprerë asnjëherë.

Në prag të finales së 31 majit në Mynih kundër Interit, Enrique ka mundësinë të rikrijojë atë moment të paharrueshëm — këtë herë jo me praninë fizike të Xana-s, por me forcën e kujtimit dhe shpirtit të saj. “Më kujtohet ajo foto e paharrueshme në Berlin, kur Xana mbolli flamurin e Barcelonës. Do të doja të bëja të njëjtën gjë me PSG-në. Vajza ime nuk do të jetë aty fizikisht, por do të jetë shpirtërisht.”

Finalja për Luis Enrique nuk është vetëm një sfidë sportive. Është një udhëtim personal, një nderim për vajzën e tij të ndjerë dhe një mundësi për të kthyer dhimbjen në forcë. Dhe nëse ai arrin ta ngrejë sërish trofeun, do të jetë jo vetëm një triumf profesional, por mbi të gjitha, një fitore e dashurisë së përjetshme të një babai për vajzën e tij.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Petrol Company, një nga liderët në ofrimin e derivateve në…