De Biasi për trajnerin e ri të Italisë: Nuk kam pasur kontakte me Federatën, por jam i gatshëm për të ndihmuar

16 qershor 2025 | 16:03

Emri i Gianni De Biasit ka qenë shpesh në qarkullim sa herë që posti i trajnerit të Italisë mbetet vakant. E njëjta situatë ndodhi edhe së fundmi, kur pas largimit të Luciano Spallettit, mediat italiane e përmendën si një kandidat potencial. Megjithatë, vetë ish-trajneri i Shqipërisë ka sqaruar se gjithçka ka qenë thjesht zëra pa bazë konkrete.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt me Federatën. Të jem i sinqertë, askush nuk më ka telefonuar. Sigurisht, nëse do të më kërkonin, do të isha i gatshëm të jepja këshilla, pasi kam nëntë vite eksperiencë si trajner i ekipeve përfaqësuese”, tha De Biasi për mediat italiane.

Ai komentoi gjithashtu zgjedhjen e Gennaro Gattusos në krye të Kombëtares italiane: “Rino është një njeri me karakter dhe vendosmëri. Tani mbetet për t’u parë nëse lojtarët do të arrijnë ta përthithin filozofinë e tij. E rëndësishme është që ai e njeh mirë ambientin. Ka avantazhin që ka kohë për të krijuar kontakte me lojtarët që i përshtaten projektit të tij – kjo është një gjë shumë pozitive”.

De Biasi theksoi gjithashtu vështirësinë e detyrës që e pret Gattuson, duke shtuar: “Gjendja fizike me të cilën lojtarët do të paraqiten në ndeshjet e ardhshme është thelbësore. Të jesh trajner i një përfaqësueseje është krejt ndryshe nga të drejtuarit e një klubi”.

Me këto fjalë, De Biasi dëshmoi edhe një herë gatishmërinë e tij për të ndihmuar futbollin italian, por gjithashtu vuri në pah sfidat që sjell drejtimi i një ekipi kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
-Një analizë e proceseve që po rrënojnë shtetin nga brenda…