
Deda pas deklaratës së Osmanit: A pat mbledhje të Këshillit të Sigurisë?
Analisti Ilir Deda ka reaguar pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani se presidenti amerikan, Donald Trump së fundmi ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës në veri nga Serbia.
Ai ka shtruar pyetjen nëse ka pasur mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Deda ka pyetur edhe nëse krerët e shtetit e dinë peshën dhe detyrat e funksioneve që i bartin apo nuk i japin pesë pare.
“Nëse me të vërtetë paskemi qenë në prag të ‘ndezjes’ me Serbinë, atëherë ku mbeti shteti? A pat mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës? A pat takime ndërmjet udhëheqësve institucional e partiak? A pat biseda me udhëheqës të shteteve të mëdha – Francës, Gjermanisë, Italisë e Britanisë? Me shefin e NATO-s? Apo ndonjë komunikatë publike ku thuhet ‘… u bisedua për situatën e sigurisë në rajon dhe për nevojën urgjente për depërshkallëzim…?’. Thirrje për bisedime? Urgjencë e kompromis për konstituim të Kuvendit e Qeverisë? Apo, të gjithë do të zgjoheshim një mëngjes – pa Kuvend e pa Qeveri – duke e marr vesh se u ‘ndez’ situata me Serbinë! A jeni normal? A keni ndonjë përgjegjësi për këtë shtet? A e dini peshën dhe detyrat e funksioneve që i bartni, apo nuk i jepni pesë pare?”, ka shkruar Deda në “Facebook”.