
“Defender Europe 2025”, një provë kombëtare dhe strategjike për Kosovën në arkitekturën e sigurisë transatlantike
Shkruan: Hisen Berisha
Rëndësia e ushtrimit shumëkombësh “Defender Europe 2025” për Kosovën
Ushtrimi ushtarak shumëkombësh “Defender Europe 2025”, për herë të dytë e vendos Kosovën në rolin e vendit pritës dhe partnerit aktiv të një prej operacioneve më të mëdha stërvitore të aleancës transatlantike. Pjesëmarrja e Kosovës në ushtrimin shumëkombësh “Defender Europe 2025” përfaqëson një kthesë thelbësore në pozicionimin e saj strategjik në arkitekturën e sigurisë transatlantike.
Ky ushtrim i përbashkët ndërkombëtare i udhëhequr nga Komanda Amerikane në Evropë (EUCOM) dhe Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), që përfshin vende të NATO-s dhe partnere, ka për qëllim testimin dhe forcimin e gatishmërisë strategjike, ndërveprimit të forcave shumëkombëshe dhe aftësisë për dislokim të shpejtë, dhe reagim të përbashkët në rast të një krize ndërkombëtare nga kërcënimet e mundshme.
Për Kosovën, përfshirja aktive në “Defender Europe 2025” është shumë më tepër sesa një pjesëmarrje protokollare. Ajo është dëshmi konkrete e përkushtimit të vendit tonë për të qenë pjesë aktive dhe kontribuuese në sistemin e sigurisë kolektive euroatlantike. Kjo stërvitje e pozicionon Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si aktor relevant në operacionet shumëkombëshe, si pjesë e një arkitekture që garanton paqe dhe siguri në kontinentin evropian.
Përfshirja e komponentës civile në stërvitje
Përveç dimensionit ushtarak, stërvitjet shumëkombëshe si “Defender Europe 2025” përfshijnë gjithnjë e më shumë skenarë të krizave hibride, të cilat kërkojnë reagim të koordinuar ndërinstitucional. Në këtë kontekst, është me rëndësi që Kosova të zhvillojë kapacitete për përfshirjen e institucioneve civile në skenarë të tillë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe strukturat e Mbrojtjes Civile duhet të përfshihen në skenarë që simulojnë kriza të përbashkëta civile-ushtarake, duke forcuar bashkërendimin ndërmjet sektorit të sigurisë dhe atij civil në rast të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Pasojat e përjashtimit nga “Defender Europe 2023” dhe “Steadfast Defender 2024”
Largimi i Kosovës përkatësisht FSK në edicionin paraprak të stërvitjes shumëkombëshe si “Defender Europe 2023” në “Ditën D” – fazën kulmore të skenarit luftarak – dhe konsekuencat që pasuan në proces, nxori në pah nevojën për rritje të besueshmërisë operacionale dhe përmirësim të ciklit të certifikimit të kapaciteteve ushtarake.
Mos përfshirja “Steadfast Defender 2024” ka pasur pasoja të ndjeshme në disa plane. Së pari, ajo ka thelluar hendekun në ndërveprim dhe bashkëpunim praktik me forcat e NATO-s dhe aleatët rajonalë. Së dyti, ka lënë të papërdorura kapacitetet që FSK ka ndërtuar përmes reformave të thella institucionale dhe ngritjes profesionale të pjesëtarëve të saj. Dhe së treti, ka dërguar sinjale të pasakta për gatishmërinë politike dhe teknike të Kosovës për të qenë pjesë aktive e arkitekturës së mbrojtjes kolektive.
Pra, mos përfshirja në një operacion kompleks siç ishte “Steadfast Defender ’24”, tregoi kufizimet aktuale, jo vetëm të karakterit teknik – ushtarak të vendit tonë në arkitekturën euroatlantike të sigurisë por edhe kufizimet politike, që pasuan me përjashtimin nga “Defender Europe 2023” dhe masat sanksionuese politike, nga BE.
Në vitin 2023, Kosova ishte po ashtu, vend pritës dhe pjesëmarrës në stërvitjen “Defender Europe”. Ceremonia e hapjes u mbajt në Prishtinë më 21 maj 2023. Më shumë se 1,300 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) morën pjesë në këtë stërvitje, një rritje e konsiderueshme krahasuar me rreth 300 pjesëmarrës sa kishim në stërvitjen e përbashkët në vitin 2021. Në total, mbi 25,000 trupa nga mbi 20 vende morën pjesë në stërvitjen e vitit 2023, e cila u zhvillua në territorin e dhjetë vende evropiane.
Në këtë kontekst, FSK u rendit e katërta në rreshtin e 25 ushtrive pjesëmarrëse për sa i përket numrit të personelit të angazhuar.
Përjashtimi i vendit tonë dhe Forcës nga “Steadfast Defender 2024” mbartë pasoja të parikuperueshme në kohë. Ngase ishte stërvitja më e madhja e NATO-s që nga viti 1988, në të cilën u mobilizuan mbi 90 mijë trupa të aleancës, dhe e testuan për herë të parë në shkallë të gjerë, kapacitetet e mbrojtës në konformitet me Planin e Mbrojtjes së miratuar në Samitin e Vilniusit
Veprimet e gabuara politike dhe pasojat për Forcën
Sidoqoftë, ne si shtet duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga zhvillimet e pos-përjashtimit nga “Defenderi 2023” dhe mos përfshirja e në stërvitjen “Steadfast Defender 2024” që u vlerësua më e madhja në tre dekadat e fundit.
Nga shumë analiza u interpretua si një vendim politik. Në fakt edhe ishte i tillë, ngase erdhi nga një tension politik që krijoj Qeveria e Kosovës me vendimet dhe veprimet e saja politike të pa koordinuara me aleatët, me theks SHBA dhe objektivat gjeostrategjike amerikane në rajon.
Në atë kohë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës deklaroi se fokusi i tyre ishte në përgatitjet për “Defender Europe 2025”, duke theksuar pjesëmarrjen në konferenca përgatitore dhe sigurimin e kushteve logjistike dhe operative për realizimin e kësaj stërvitjeje edhe në territorin e Kosovës. Por, kjo nuk e mbulon dot serinë e pasojave që pati për Forcën dhe Kosovën jo vetëm politike por dhe ekonomike dhe të sigurisë.
Analizat profesionale, mos përfshirjen në “Steadfast Defender 2024”, e interpretuan edhe si pasojë të masave sanksionuese politike, mungesës së certifikimit të kapaciteteve fillestare operacionale të FSK-së – veçanërisht njësive të këmbësorisë, pas përjashtimit nga “Defender Europe 2023”. Ky përjashtim, u bë me urdhër nga vet Gjenerali i Ushtrisë, Christopher G. Cavoli, Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë.
Historiku i zhvillimit të “Steadfast Defender 2024” – pasojat e pashmangshme
“Steadfast Defender 2024” ishte stërvitja më e madhe e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ku u përfshinë 31 vendet anëtare edhe Suedia, me qëllim të testimit të planeve të reja mbrojtëse dhe aftësisë për të dislokuar shpejt forcat.
Sipas Komandantit të Operacionit – Gjenerali i Ushtrisë, Christopher G. Cavoli, njëherit Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë, me ketë stërvitje “Aleanca demonstroi aftësitë e saj për të forcuar zonën Euro-Atlantike përmes lëvizjes transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut.”
Kjo stërvitje shumëkombëshe, ishte po ashtu, një demonstrim i qartë i unitetit, forcës dhe vendosmërisë së Aleatëve për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat e përbashkëta dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Lëvizja e parë në këtë stërvitje filloi me nisjen e anijes USS Gunston Hall nga Norfolk, Virginia. E përcjellë me një seri operacionesh, anija lundroj përtej Atlantikut. Stërvitja zgjati deri në qershor 20224 dhe përfshiu një seri demonstrimesh operacionale të mëdha, kombëtare dhe shumëkombëshe, që u zhvilluan në vende të ndryshme.
Që nga stërvitja “Reforger” e vitit 1988, kjo ishte stërvitja më e madhe e NATO-s dhe testi i parë në shkallë të gjerë, i planeve të reja mbrojtëse të miratuara në Samitin e Vilniusit para tre vitesh.
Në thelb, stërvitja demonstroi unitetin dhe vendosmërinë e aleancës për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të NATO-s. Ajo tregoji aftësinë e NATO-s për të dislokuar, lëvizur dhe përdorur përforcime nga Amerika e Veriut dhe pjesë të tjera të aleancës në Evropën kontinentale, duke zhvilluar operacione komplekse shumëdimensionale për disa muaj, në mijëra kilometra, nga veriu i largët deri në Evropën Qendrore dhe Lindore, në çdo rrethanë.
Stërvitja u zhvillua kryesisht në Finlandë, Estoni, Gjermani, Greqi, Hungari, Letoni, Lituani, Norvegji, Poloni, Rumani, Sllovaki, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ka përfshirë më shumë se 50 mjete detare, duke përfshirë aeroplanmbajtëse, shkatërrues, fregata dhe korveta.
Pajisjet ajrore: F-35, FA-18, Harrier, F-15, helikopterë dhe një sërë mjetesh ajrore pa pilot.
Gjithashtu, ka pasur mbi 1,100 mjete luftarake, duke përfshirë mbi 150 tanke, 500 mjete luftarake këmbësorie dhe 400 transportues të blinduar personeli.
Stërvitja bazohej në një skenar fiktiv në implementim të Nenit 5, i shkaktuar nga një sulm imagjinar kundër aleancës nga një kundërshtar i supozuar.
Megjithëse stërvitjet e NATO-s nuk janë të drejtuara kundër ndonjë vendi specifik, në një mjedis sigurie të paparashikueshëm, është thelbësore që aleatët të jenë të gatshëm për të penguar të gjitha kërcënimet dhe për të mbrojtur të gjithë aleatët.
Duke pasur parasysh agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, NATO ka forcuar mbrojtjen dhe masat prevenuese në kontinent.
Edhe pse stërvitja përbashkët “Steadfast Defender ‘24” ishte planifikuar prej vitesh, stërvitja përfshiu në planin e aksionit veprime operacionale të bazuara në veprimet e Rusisë.
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës do të formësojë konceptimin doktrinar për konfliktet, për vitet që vijnë.
Pra, shikuar nga prizmi profesional ushtarak dhe politik, NATO po e vëzhgon nga afër konfliktin në Ukrainë jo vetëm për të mbajtur nën kontroll dhe prevenuar kërcënimin ndaj sigurisë globale me theks në kontinentin e vjetër, por edhe për të përmirësuar gatishmërinë dhe për të rafinuar trajnimet, aftësitë dhe inovacionet e ardhshme.
Kurse Stërvitja Ushtarake shumëkombëshe po ashtu, duhet parë edhe në kontekstin e politikave të administratës Trump ndaj sigurisë dhe mbrojtjes së Evropës.
Presidenti Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet evropiane të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake, duke sugjeruar që SHBA mund të rishqyrtojë angazhimet e saj ndaj NATO-s nëse aleatët nuk përmbushin detyrimet financiare. Ky standard i ri doktrinar amerikan, ka vënë në veprim BE për të alokuar buxhet shtesë, dhe shtetet individualisht.
Në këtë kuadër, “Defender Europe 2025” mund të interpretohet si një përpjekje e vendeve evropiane për të forcuar kapacitete mbrojtëse dhe për të demonstruar gatishmërinë e tyre për të marr më shumë përgjegjësi në mbrojtjen e kontinentit.
Megjithatë, shqetësimet mbeten! Administrata Trump, ka inkurajuar një qasje më të pavarur evropiane ndaj mbrojtjes.
Për më tepër, ambasadori i SHBA në NATO z. Matthew Whitaker dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në deklarimet e tyre, theksuan nevojën që aleatët evropianë të “udhëheqin nga fronti”, politika doktrinore që kanë ngritur alarmin lidhur me angazhimin e SHBA ndaj mbrojtjes evropiane.
Përfitimet strategjike për Kosovën
Këtë vit, në “Defender Europe 2025”, do jenë të përfshira në ushtrim, të gjitha kapacitetet e Kosovës si: njësitë e manovrës, mbështetjes logjistike, mbrojtjes kibernetike, ndihmës së parë taktike, zjarrfikjes ushtarake, inxhinierisë fushore dhe kërkim-shpëtimit.
Po ashtu, një rol me peshë operative do të ketë edhe angazhimi i komponentës civile në stërvitje (MINT, AKI, Mbrojtja Civile, Emergjencat) që kanë rol kritik në rast të një krize apo lufte hibride. Pastaj në këto stërvitje dalin në sipërfaqe sfidat infrastrukturore dhe ligjore, qoftë në mungesën e transporti hekurudhor, kapacitetet e magazinimit ushtarak, ose kufizimet ligjore në marrëdhëniet bilaterale me vendet jo-njohëse. Të një rëndësie unike janë dhe përfitimet ekonomike dhe teknologjike në fushën mbrojtjes. Këtu mund të shqyrtohet potenciali për industri vendore të mbrojtjes, partneritete teknologjike me kompani amerikane dhe investime në mbrojtje kibernetike. Ketë e favorizon vendosja e përhershme e Komandës së Forcave Amerikane në territorin e Kosovës.
Prania fizike e Komandës Amerikane dhe pjesëmarrja e aleatëve dhe partnerëve në terren janë dëshmi e faktorizimit të Kosovës në hartën e sigurisë rajonale, jo vetëm si një partnere të besueshme të SHBA-së, por edhe një nyje të sigurisë së NATO-s në rajon.
Pritet që operacionet në kuadër të “Defender Europe 2025”, të përfshijnë dislokime të trupave nëpër terrene të ndryshme në Kosovë, skenarë të simuluara për implementim të nenit 5 të Kartës së NATO-s dhe testim të zinxhirit të komandës ndërkombëtare.
Kosova, nuk merr vetëm trajnime në këtë ushtrim, ngase koncepti i stërvitja “Defender Europe” ka për qëllim:
– Demonstrimin e gatishmërisë strategjike, përkatësisht testim i aftësisë për të dislokuar shpejt forcat dhe pajisjet nga SHBA në Evropë;
– Forcimin e ndërveprimit, gjegjësisht rritja e aftësisë së forcave të ndryshme për të punuar së bashku në operacione të përbashkëta;
– Parandalimin e kërcënimeve, që do të thotë dërgim i një mesazhi të qartë për kundërshtarët potencialë mbi gatishmërinë dhe vendosmërinë e aleancës;
– Përmirësimin e logjistikës dhe infrastrukturës, gjegjësisht testimi dhe përmirësimi i rrjeteve të transportit dhe logjistikës në Evropë për të mbështetur lëvizjen e shpejtë të forcave.
Pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjen shumëkombëshe “Defender Europe 2025”, përveçse përforcon gatishmërinë operacionale dhe ndërveprimin me ushtritë partnere, shërben edhe si një instrument gjeopolitik për afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë. Me përfshirjen në ketë aktivitet gjeostrategjik ushtarak dhe politik po ashtu, ndërton besimin, përforcon kapacitetet e saj diplomatike dhe strategjike, teston infrastrukturën logjistike dhe demonstron vullnetin politik për integrim euroatlantik.
Në një periudhë ku arkitektura e sigurisë evropiane është në riformatim për shkak të kërcënimeve nga Rusia dhe aktorë të tjerë jo-shtetërorë, përfshirja aktive e Kosovës në këto stërvitje tregon orientimin e saj të qartë strategjik: anëtarësimi në NATO dhe ndërtimi i kapaciteteve të veta në përputhje me standardet euroatlantike.
Përfitimet e drejtpërdrejta për Forcën
Për më tepër, ky ushtrim përbën një mundësi të jashtëzakonshme për identifikimin e mangësive (GAP) midis kapaciteteve aktuale të FSK-së dhe atyre që kërkohen për përmbushjen e misionit ushtarak të Forcës, i përcaktuar me ligj, si një ushtri e aftë të mbrojë territorin, të kontribuojë në paqen ndërkombëtare dhe të operojë me standarde të NATO.
Pjesëmarrja në këto stërvitje ndihmon në:
1. Zhvillimi i Kapaciteteve Ushtarake: Rritjen e kapaciteteve të brendshme mbrojtëse dhe operacionale të FSK-së; FSK ka mundësinë të trajnojë dhe të zhvillojë aftësitë e saj në përputhje me standardet ndërkombëtare.
2. Rritja e ndërveprimit ndërkombëtar: Përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin në strukturat shumëkombëshe; bashkëpunimi me ushtritë e vendeve të tjera për forcimin e marrëdhënieve dhe besimit reciprok.
3. Integrimi në struktura ndërkombëtare: Ngritjen e profilit ndërkombëtar të Kosovës si partner i besueshëm i sigurisë; pjesëmarrja aktive mund të shërbejë si një hap drejt integrimit të mëtejshëm në strukturat euroatlantike.
4. Përmirësimi i infrastrukturës: Nxitjen e bashkëpunimit me SHBA dhe vendet kryesore të NATO-s për mbështetje teknike dhe politike; pasi që përgatitjet për stërvitje të tilla shpesh kërkojnë investime në infrastrukturë, të cilat mund të kenë përfitime afatgjata për vendin.
5. Certifikimi i Kapaciteteve Ushtarake të Kosovës: Duke qenë se Kosova është në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura me mision të ri, pjesëmarrja në stërvitje si “Defender Europe” mund të shërbejë si një mundësi për të testuar dhe certifikuar kapacitetet e reja ushtarake. Kjo do të ndihmonte në vlerësimin e progresit dhe identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësim.
Përfitimet ekonomike, infrastrukturale dhe teknologjike
Përveç dimensionit strategjik ushtarak, “Defender Europe 2025” ka potencial për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike dhe teknologjike për Kosovën.
– Investimet në infrastrukturë: për nevojat e stërvitjes pritet modernizimi dhe zhvillimi i infrastrukturës rrugore, logjistike dhe ushtarake, që do të mbesin në funksion edhe pas përfundimit të stërvitjes.
Sfidat infrastrukturore dhe sfidat ligjore
Megjithatë, Kosova përballet me sfida reale infrastrukturore dhe ligjore që mund të pengojnë zhvillimin e plotë të stërvitjeve të këtij niveli. Mungesa e një rrjeti funksional të transportit hekurudhor e ngadalëson lëvizjen strategjike të trupave dhe pajisjeve. Kapacitetet e magazinimit ushtarak mbeten të kufizuara dhe kërkojnë investime afatgjata. Po ashtu, kufizimet ligjore në marrëdhëniet bilaterale me vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, përfshirë ndalimin e marrëveshjeve ushtarake të drejtpërdrejta, paraqesin pengesa në aspektin operacional dhe diplomatik.
– Injektim financiar: stërvitjet e mëparshme kanë treguar se vetëm prania e kontingjenteve ndërkombëtare gjeneron qindra mijëra euro për ekonominë lokale, nga akomodimi, transporti, shërbimet teknike, furnizimet dhe komunikimi.
Zgjerimi i përfitimeve ekonomike dhe teknologjisë së mbrojtjes
Përtej ndikimit të menjëhershëm ekonomik, Kosova ka potencial real për zhvillimin e një industrie vendore të mbrojtjes në partneritet me kompani amerikane dhe aleatë të tjerë strategjikë. Krijimi i kapaciteteve për mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake, përpunimin e materialeve mbrojtëse dhe prodhimin e komponentëve elektronikë, do të ndikonte në zhvillimin ekonomik afatgjatë. Po ashtu, mbështetja në rritje për investime në mbrojtje kibernetike do të mundësonte ngritjen e një sektori të specializuar për sigurinë digjitale në bashkëpunim me aleatët e NATO-s.
– Transferimi i njohurive teknologjike dhe dijes ushtarake: përmes bashkëpunimit me ushtritë më të zhvilluara të botës, FSK dhe institucionet vendore përfitojnë në rritjen e kapaciteteve teknike, shkëmbimin e njohurive dhe inovacioneve në fushën e mbrojtjes.
Sfidat për Kosovën në planifikimin e mbrojtjes
Ky aktivitet ushtarak krahas pritshmërive përfituese, mund të sjell edhe sfidat në procesin e ndjeshëm nëpër të cilin po kalon Kosova në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe ndërtimit të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes.
Nëse “Defender Europe 2025” zhvillohet me sukses, Kosova do të jetë më afër qëllimit strategjik të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura me kapacitete të plota mbrojtëse dhe operacionale. Por kjo s’do të thotë se suksesi është i garantuar. Dështimi për të përmbushur pritjet, mund të konsolidojë perceptimin se Kosova ende nuk është gati për përfshirje të plotë në mekanizmat euroatlantikë të sigurisë.
Në këtë drejtim, mbetet vendimtare që stërvitja të shërbejë si pikë reference për planifikimin e mbrojtjes kombëtare, si dhe për reformimin e kuadrit ligjor dhe të burimeve njerëzore brenda FSK-së.
Ndikimi i politikave amerikane në arkitekturën transatlantike të sigurisë
Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është jetik në konceptimin dhe realizimin e “Defender Europe 2025”. Ky ushtrim është dëshmi konkrete e zotimit amerikan për mbështetjen e aleatëve në Evropë dhe përforcimin e krahut lindor të NATO-s.
Mirëpo, dinamika politike në SHBA mund të ndikojë drejtpërdrejt në vijimësinë dhe përfshirjen e vendeve si Kosova në këto stërvitje.
Administrata e presidentit Trump, me stopimin e vendimit të tij për doktrinën e re për investim në sigurinë globale, me aleatet, është tregues se, SHBA po e rikthen angazhimin e fuqishëm ndaj NATO-s dhe po i përkrah fuqimisht shtetet si Kosova-në rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Kjo vije si rezultat i braktisjes së politikave izolacioniste që do të mund të sjellin pasoja jo vetëm për NATO-n si strukturë, por edhe për angazhimet konkrete të SHBA-së në rajon, përfshirë Kosovën.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja aktive në “Defender Europe 2025” dhe vendosja e komandës amerikane në Kosovë është jo vetëm konfirmim i përkushtimit aktual të SHBA-së, por edhe investim në konsistencën e këtij përkushtimi përtej cikleve politike në Uashington.
Si konkluzion – “Defender Europe 2025” është më shumë sesa një stërvitje. Është një test kombëtar, diplomatik dhe ushtarak për Kosovën. Është prova e pjekurisë së saj për t’u rreshtuar jo vetëm politikisht, por edhe operacionalisht me aleatët e saj strategjikë.
Pas përjashtimit nga “Defender Europe 2023” dhe për pasojë edhe nga “Steadfast Defender 2024”, ky ushtrim duhet të shfrytëzohet për të mbyllur hendekët që e ndajnë Kosovën nga struktura ku ajo aspiron të jetë pjesë – NATO. Sepse në epokën e kërcënimeve hibride dhe luftërave të hapura, gatishmëria nuk është vetëm një zgjedhje ushtarake, por një domosdoshmëri shtetformuese.