Deformimi i diskursit historik dhe instrumentalizimi i figurave kombëtare!
Shkruan: Ilir Gashi
Kur analiza historike nis nga dyshimi ndaj sakrificës, ajo rrezikon të humbasë autonominë shkencore dhe të shndërrohet në instrument politik. Historia nuk vlerësohet nga distanca e komentimit, por nga çmimi i lirisë që është paguar për të. Reduktimi i saj në gjykime fragmentare prodhon jo dije, por deformim të kujtesës kolektive.
Diskursi publik në Kosovë po përballet me një rënie serioze të standardeve analitike dhe etike, veçanërisht kur në qendër të debatit vendosen figura kyçe të historisë së re politike dhe kombëtare. Në këtë kontekst, deklarata e opinionistit Ramabaja, sipas së cilës Hashim Thaçi “nuk ka qenë i gatshëm të vdesë për veriun e Kosovës”, nuk përbën thjesht një qëndrim personal apo një kritikë politike, por një akt të qartë keqinterpretimi historik dhe instrumentalizimi të qëllimshëm të sakrificës kombëtare.
Opinionisti Ramabaja, la të nënkupton se, në mënyrë të ngjashme, Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk do të kishte qenë i gatshëm të vdiste për Shkodrën apo Ismail Qemali për Sarandën, këtë duhet kuptuar në kontekstin e vet të vërtetë. Kritika ndaj Hashim Thaçit është, në thelb, kritikë ndaj figurave themeluese të çdo periudhe historike shqiptare. As Skënderbeu dhe as Ismail Qemali nuk gjykohen sot mbi baza fragmentare territoriale apo vendime të izoluara taktike, por mbi rolin e tyre si bartës të projekteve historike të epokave përkatëse. Të aplikosh kritere të tilla reduktuese ndaj Thaçit do të thotë të përdorësh të njëjtën logjikë për të delegjitimuar figurat themeluese të historisë kombëtare në çdo periudhë.
Në këtë kuadër, pretendimi se Hashim Thaçi nuk ka qenë i gatshëm të sakrifikohet për veriun e Kosovës bie ndesh drejtpërdrejt me faktet historike të dokumentuara. Thaçi është një nga bartësit kryesorë të historisë së re shqiptare për liri dhe pavarësi, figurë qendrore e rezistencës së armatosur dhe e procesit të shtetndërtimit të Kosovës. Ai ka vepruar për një periudhë të gjatë në rrethana të rrezikut permanent për jetën dhe, sot, më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës, vazhdon të jetë i privuar nga liria pikërisht për shkak të këtij roli historik.
Nga perspektiva e studimeve bashkëkohore të sigurisë dhe komunikimit politik, diskursi i artikuluar nga Ramabaja përkon qartë me modelet e njohura të luftës hibride ruso-serbe në rajon. Këto modele synojnë delegjitimimin e figurave qendrore të historisë çlirimtare përmes relativizimit të sakrificës, fragmentimit të narrativës historike dhe krijimit të dyshimit brenda vetë shoqërisë shqiptare. Në këtë kuptim, deklaratat e Ramabajës nuk janë neutrale dhe as të shkëputura nga konteksti gjeopolitik, por funksionalisht i shërbejnë objektivave strategjike të Serbisë dhe Rusisë për të minuar themelet simbolike dhe politike të shtetit të Kosovës.
Debati publik dhe akademik kërkon përgjegjësi intelektuale, respekt ndaj fakteve dhe ndjeshmëri ndaj peshës së historisë. Përpjekjet për të relativizuar figurat qendrore të historisë moderne shqiptare, përmes analogjive të pasakta dhe kritikave selektive, nuk kontribuojnë në qartësim shoqëror, por në polarizim dhe konfuzion publik.
Historia nuk është pronë e opinionit të çastit dhe as e projekteve politike të huaja. Ajo gjykohet mbi bazën e veprimit, sakrificës dhe përgjegjësisë historike. Çdo analizë që i anashkalon këto parime rrezikon të shndërrohet nga kritikë legjitime në instrument të një lufte hibride kundër vetë kujtesës kombëtare.



