
Deklarata e Trumpit të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës, BE-ja u shfaq e paaftë për ta menaxhuar dialogun
(Amerika e sheh Kosovën si aleate, dhe jo si problem për t’u menaxhuar me heshtje diplomatike)
Shkruan: Hisen Berisha
Deklarata e Presidentit Donald J. Trump se “e ka parandaluar luftën në Kosovë” nuk është thjesht një pohim i zakonshëm politik. Kosova u bë e lirë në sajë të vetëm një vendimi të Presidentëve Amerikanë; Kosova u bë e pavarur vetëm nga një deklaratë e Presidentëve Amerikanë; Kosova ekziston vetëm në sajë të Amerikës.
Deklarata e Presidentit Trump është një dëshmi e drejtëpërdrejtë për mënyrën sesi diplomacia amerikane, nën drejtimin e tij – jashtë kornizës burokratike të establishmentit të vjetër – ndërhyri për të ndalur një përshkallëzim të rrezikshëm që po përgatitej në Ballkanin Perëndimor në vitin 2020.
Në një kohë kur Bashkimi Evropian shfaqej i paaftë për të menaxhuar krizën midis Kosovës dhe Serbisë, dhe kur tensionet ishin duke u rritur në veri të Kosovës me ndërhyrje të vazhdueshme të strukturave ilegale serbe të mbështetura nga Beogradi, administrata Trump vendosi të veprojë. Jo me fjalë, por me diplomaci të drejtëpërdrejtë, të shpejtë dhe të orientuar nga zgjidhja konkrete.
Nën udhëheqjen e të dërguarit të posaçëm Richard Grenell, Shtëpia e Bardhë arriti një marrëveshje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator 2020, e cila – përtej komponentëve të infrastrukturës dhe energjisë – kishte një objektiv më të thellë: de-eskalimin e konfliktit politik dhe ushtarak dhe ndalimin e infiltrimit rus në Ballkan përmes platformës serbe.
Është fakt se pas kësaj marrëveshjeje, ndërhyrjet e Serbisë në veri të Kosovës ranë ndjeshëm, apo ndërhyrja duhej kamufluar në mënyrë të sofistikuar, dhe ju bë e ditur se duhej të zbatojë njërën ndër marrëveshjet teknike, si p.sh. ajo për shuarjen e strukturave paralele.
U krijua një frymë e re stabiliteti që u shfrytëzua nga institucionet kosovare për të konsoliduar kontrollin mbi të gjithë territorin. Kjo nuk do të kishte ndodhur pa presionin e drejtëpërdrejtë të administratës Trump mbi Serbinë, si dhe pa mbështetjen që Uashingtoni i dha Kosovës në ato momente delikate.
Ajo që Trump bëri – dhe që establishmenti globalist në Evropë dhe madje edhe disa rryma brenda vetë Kosovës tentuan ta minimizojnë – ishte një akt strategjik për të ruajtur paqen dhe për të frenuar një shpërthim të ri lufte që do ta destabilizonte gjithë rajonin.
Kundërshtarët e kësaj qasjeje – sidomos në kampin e euroburokratëve – përpiqen ta paraqesin diplomacinë Trump si të improvizuar ose të orientuar vetëm nga interesat e biznesit. Por në realitet, ajo ishte shumë më e drejtëpërdrejtë, më e guximshme dhe më e suksesshme sesa formulat e dështuara të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilat prodhuan vetëm status quo, tensione dhe kërkesa të reja nga Serbia.
Nëse Kosova ka shmangur një konflikt të armatosur dhe ka mundur të ruajë integritetin e saj territorial, kjo është edhe për shkak të asaj ndërhyrjeje vendimtare të administratës Trump.
Ishte një moment kur një lider amerikan e shihte Kosovën si aleate, dhe jo si problem për t’u menaxhuar me heshtje diplomatike.
Për këtë arsye, deklarata e Trumpit duhet të vlerësohet zyrtarisht nga institucionet e Kosovës. Kjo nuk është çështje e njëanshmërie politike, por çështje historike.
Sepse herët apo vonë, e vërteta se kush e ndihmoi vërtet Kosovën – dhe kush u përpoq të bëjë pazare mbi të – do të mbetet në histori.