Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në seminarin “Sfidat e lidershipit të shekullit 21” në Berlin
Zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së qëndruan për një vizitë njëjavore në Berlin të Gjermanisë.
Gjatë kësaj jave, delegacioni mori pjesë në seminarin “Sfidat e lidershipit të shekullit 21”, ku pati takime e diskutime, duke filluar me ligjëratat për kulturën e veteranëve në Gjermani dhe filozofinë e lidershipit deri te vizitat në Zyrën e Komisionerit të Forcave të Armatosura, Komisionin e Mbrojtjes, Qendrën e Karrierës së Bundeswehr-it, si dhe Fondacionin Kërkimor për Shkencë dhe Politikë.
Delegacioni u mirëprit nga nënkolonel Friedrich von Bismark dhe oficerë të lartë gjermanë, me të cilët shkëmbyen përvoja praktike më të mira në fushën e udhëheqjes bashkëkohore ushtarake, menaxhimit të burimeve njerëzore dhe përkujdesjes ndaj veteranëve.
Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, përveç pritjes zyrtare, u zhvillua edhe ceremonia e diplomimit të katër kadetëve të FSK-së, të cilët përfunduan me sukses studimet e tyre në Gjermani, duke shënuar edhe një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së.
Po ashtu, u realizuan vizita në objektet kryesore shtetërore dhe aktivitete kulturore për të njohur më mirë kryeqytetin gjerman.
Kjo vizitë synoi forcimin e bashkëpunimit dypalësh Kosovë – Gjermani në fushën e mbrojtjes, zhvillimin profesional të kuadrove tona dhe avancimin e standardeve të lidershipit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.



