Demarkacioni: edhe ujku i ngopur, edhe tufa e dhenve e paprekur?

05 shkurt 2018 | 12:24

Islam Lauka

Këto ditë janë shtuar përpjekjet për zbulimin e ideve “të reja”, “krijuese” për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Analistë, ekspertë dhe drejtues partish politike, janë vënë në garë, kush e kush të paraqitet me ide sa më “origjinale”, në mënyrë që të mbetet në histori si njeriu që ua hapi rrugën e lëvizjes së lirë shqiptarëve të Kosovës dhe që arriti ta ruajë të paprekur miqësinë e Kosovës me aleatët e saj strategjikë.

Midis këtyre ideve spikat ajo për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, duke i shtuar asaj një letër zotimi, në bazë të së cilës, Kosova dhe Mali i Zi pajtohen që, gjatë shënjimit të kufirit, t’i bëjnë korrigjimet përkatëse, mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të reja, të panjohura më parë.

Sipas mbështetësve të kësaj ideje, ky proces duhet të kryhet brenda një afati prej dy vjetësh nga momenti i ratifikimit. Ata pretendojnë se kanë zbuluar formulën magjike të një kompromisi, të pranueshëm si për Prishtinën, ashtu edhe për Podgoricën, pra një zgjidhje që i nxjerrë të dyja palët fituese. Me këtë formulë magjike të alkimistëve të rinj të Prishtinës, edhe ujku ngopet, edhe tufa e deleve mbetet e paprekur.

Duket paradoksale, por e njëjta formulë magjike po ofrohet, këto ditë, nga Athina për marrëveshjen detare me Shqipërinë, pra të ratifikohet ajo pastaj, gjatë zbatimit në terren, të merren parasysh pretendimet e Tiranës. Po si nuk ndodhi, qoftë edhe një herë të vetme, që fqinjët e shqiptarëve t’i ratifikojnë marrëveshjet sipas variantit tonë, pastaj gjatë zbatimit në terren ne t’i marrim në konsideratë pretendimet e tyre? Përse u dashka që gjithmonë shqiptarët t’i ratifikojnë marrëveshjet në bazë të kushteve që ua imponojnë fqinjët?

Ne duhet të vetëdijesohemi që jetojmë në shekullin e 21 dhe jo në epokën e mesjetës që njihet si koha e alkimistëve. Edhe këta të fundit duhet të vetëdijesohen për këtë fakt, sepse “zbulimet” e tyre nuk mund të shiten më si dikur. Duke iu rikthyer marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duket se më shumë se zgjidhje e problemit, “formula e re” përbën mashtrimin e radhës për popullin e Kosovës.

Së pari, deri tani autoritetet zyrtare të Malit të Zi janë shprehur se e konsiderojnë të mbyllur, përfundimisht, çështjen e demarkacionit të kufirit me Kosovën. Në përgjigje të pyetjes, nëse po kërkohet ndonjë zgjidhje tjetër, përfshirë atë për një letër zotimi, a deklaratë të përbashkët, këshilltari i kryeministrit të Malit të Zi, Srdjan Kusoviç, deklaroi se qëndrimi i vendit të tij nuk ka ndryshuar as nuk do të ndryshojë.

Së dyti, ta zëmë, në mënyrë hipotetike, se Mali i Zi bie dakord me formulën magjike të alkimistëve tanë. Çfarë do të thotë zbatimi i saj në praktikë? Asgjë më pak se përjetësimi i kufirit midis dy vendeve tona në vijën Qafë Çakorr-Kullё.

Ajo që alkimistët duan të na e shesin si “formulë të re” është po aq e vjetër sa historia e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në çdo marrëveshje demarkacioni ekziston një klauzolë për korrigjime që diktohen nga terreni, gjatë procesit të shënjimit të kufirit. Mundet, që në vende të caktuara, kufiri të shmanget pak nga ai që është fiksuar në letër, pra të mos vendoset në këtë shkëmb, por në atë tjetrin, jo në këtë përroskë, por në atë tjetrën, jo në përlinë, por në rudinë, etj.

Këto janë shmangie të domosdoshme për shënjimin e kufirit në terren që, në aspektin e përfitimit të sipërfaqes, nuk kanë asnjë vlerë për palët. Në fund të këtij procesi hartohet protokolli që fikson kufirin e shënjuar midis dy vendeve. Nuk ka asnjë dyshim që ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit, do të çonte, pashmangshëm, në nënshkrimin e protokollit që do të fiksonte, përfundimisht, mbetjen e Qafës së Çakorrit dhe Kullës në Mal të Zi. Ky është shqetësimi themelor që lidhet me zbatimin e marrëveshjes së demarkacionit, jo “korrigjimet” që kanë të bëjnë me vendosjen e kufirit në këtë apo atë gur, për të cilat shqetësohen alkimistët.

Nga ana tjetër, disa politikanë të lartë, përfshirë presidentin e vendit, Hashim Thaçi. Po kërkojnë me ngulm ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas tyre, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, me përjashtim të demarkacionit. Ata theksojnë se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, automatikisht, do të çonte në liberalizimin e vizave dhe në përshpejtimin e proceseve integruese euroatlantike.

Këta politikanë harrojnë një fakt të thjeshtë: nuk janë ata që përcaktojnë, nëse Kosova i ka plotësuar apo jo kriteret për liberalizimin e vizave, por është Brukseli ai që vendosë për këtë çështje. Nëpërmjet përfaqësuesve të vet të lartë, komisionarëve, apo titullarëve të zyrës së BE-së në Prishtinë, ai e ka bërë të qartë se: nga 95 kritere, Kosova ende nuk i ka plotësuar dy kritere: demarkacionin dhe luftën kundër korrupsionit; se të dyja ato janë njëlloj të rëndësishme, pra nuk është demarkacioni kriter i dorës së parë dhe lufta kundër korrupsionit, i dorës së dytë; se po nuk u plotësuan këto dy kritere, Kosova duhet ta harrojnë liberalizimin.

Qëndrimi im rreth marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka qenë dhe mbetet i qartë dhe i prerë:

Marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Malit të Zi, më 26 gusht 2015, “Mbi Kufirin Shtetëror” është e gabuar dhe në dëm të interesave tona kombëtare e shtetërore. Si e tillë, marrëveshja e demarkacionit duhet të futet sa më shpejt në rendin e ditës të Kuvendit të Kosovës dhe të votohet kundër ratifikimit të saj. Do të kishte qenë në nderin e qeverisë, sikur ajo ta kishte përcjellë atë në parlament me mendimin që të mos ratifikohet. Paanshmëria e qeverisë Haradinaj, në këtë rast, në thelb, është ikje nga përgjegjësia për një çështje madhore si ajo e territorit shtetëror. Kufiri është i shenjtë dhe mbrojtja e tij, një kauzë e drejtë.

Çdo përpjekje për ta shitur ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nëpërmjet formulave me “letra zotimi” dhe “deklarata të përbashkëta” për korrigjimin, në të ardhmen, të kufirit me Malin e Zi, nuk është gjë tjetër, veç mashtrim për të fshehur humbjen përfundimtare, nga ana e Kosovës, të territorit nga Qafa e Çakorrit deri në Kullë. Kjo humbje do të rëndonte jo vetëm në ndërgjegjen e brezit tonë, por do të ishte një minë me sahat për të ardhmen e marrëdhënieve të Kosovës me Malin e Zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E sponsorizuar nga Ministra e Integrimit Evropian, në mbledhjen e…