Demi: Kosova shpenzoi 574 milionë euro për rrymë, ndihma shkoi kryesisht për më të pasurit

08 korrik 2025 | 11:50

Kosova ka shpenzuar mbi 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për ta mbajtur këtë çmim të ulët, sipas të dhënave të publikuara nga Atlas Institute dhe OECD (2025).

Megjithatë, analiza ka treguar se pjesa më e madhe e kësaj ndihme nuk përfitohet nga familjet e varfra, por nga ato që nuk kanë nevojë për të.

“Kur thonë rryma tek ne është e lirë, dijeni që çmimin real të rrymës janë duke e paguar shtresat më të varfra. Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova shpenzon shuma të mëdha të parave për subvencionim direkt dhe indirekt të rrymës. E mbi 90 për qind e këtij subvencionimi shkon tek ato kategori të qytetarëve dhe bizneseve që nuk kanë nevojë për subvencionim. Vetëm 9 për qind të subvencionimit shkon tek familjet më të varfra.”, ka thënë Agron Demit nga Atlas Institute.

Të dhënat kryesore (2018–2023) kanë treguar se Kosova ka shpenzuar gjithsej 2.2 miliardë euro për subvencionimin e tarifave të energjisë përmes çmimeve të ulëta.

Mbështetja fiskale dhe kreditore ka arritur në 608 milionë euro, prej tyre: 574 milionë euro mbështetje fiskale dhe 33 milionë euro mbështetje kreditore.

Sipas  Atlas Institute, vetëm 9.2 për qind e subvencionimit të fshehur përfitohet nga familjet më të varfra. Pjesa dërrmuese (mbi 90 për qind) përfitohet nga familjet më të pasura dhe bizneset, për shkak se tarifat ishin të njëjta për të gjithë.

Raporti ka nënvizuar se kjo qasje e subvencionimit të përgjithshëm, në vend të ndihmës së synuar për kategoritë në nevojë, thellon pabarazitë sociale dhe financiare. Në vend që të ndihmohen ata që realisht nuk mund të përballojnë faturat e energjisë, politika e tarifave të rregulluara i ka përfshirë të gjithë, duke përfituar më së shumti ata që mund të paguanin vetë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Bosnje e Hercegovinë nisi të martën Marshi i përvitshëm…