Shkruan: Mr. sc. Naim J. Krasniqi
Persekutimi i shqiptarëve
Ngjarjet, demonstratat, rebelimi, dhe shpeshherë quhej edhe kryengritje e shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi, kanë ndodhur gjatë pranverës së vitit 1981. Ka shumë shkrime dhe interpretime në lidhje me këtë periudhë, por edhe sot e kësaj dite nuk është plotësisht e qartë se si shpërtheu ky rebelim i fuqishëm, që tronditi dhe u bë gangrenë deri në shkatërrimin e Jugosllavisë. Dihet se shqiptarët që jetonin në territorin e Jugosllavisë kurrë nuk e ndjenë atë si shtetin e tyre, por ishin të detyruar ta pranonin si të tillë dhe të jetonin, punonin dhe kryenin shërbime ndaj këtij shteti. Historia e vështirë e bashkëjetesës me sllavët, e veçanërisht me serbët, bëri që shqiptarët gjithmonë të mësoheshin dhe të edukoheshin se ky shtet ishte i huaj për ta. Prandaj, me çdo kusht, ata besonin se duhet të vepronin për t’u ndarë dhe për t’u bashkuar me shtetin amë. Kjo ndodhte përmes ngjarjeve historike që kishin ndodhur më herët. Patriotët shqiptarë e kishin të qartë se kjo pozitë ishte paracaktuar nga qarqe diplomatike, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Ata e dinin se ky ishte një proces i gjatë, por duhet vepruar.
Shteti komunist jugosllav ndërmerrte masa represive kundër shqiptarëve, duke filluar nga rrahjet, poshtërimet, burgosjet dhe eliminimin e tyre. Për pozitën e shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste, besoj se më së miri e ka përshkruar poeti shqiptar Esad Mekuli në poezinë e tij “Njeriu me Bishte”, pas Plenumit të Brioneve (1966), ku pushteti i Titos, i shqetësuar për rrezikun nga nacionalizmi dhe shovinizmi serb, premtoi se do të përmirësohej pozita e shqiptarëve sipas parullës “Vëllazërim-Bashkim”. Ai gjithashtu premtoi se do të dënoheshin të gjithë ata që kishin ushtruar dhunë kundër shqiptarëve. Megjithatë, ndonëse kjo politikë vazhdoi pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, kur pozita juridike e Kosovës u avancua, disa konstatuan se Kushtetuta e asaj kohe nuk e barazonte Kosovën me njësitë e tjera federative që kishin statutin e Republikës, siç e interpretonin disa: “…se vetëm emri nuk ishte Republikë.”

Siç thashë, shqiptarët persekutoheshin, maltretoheshin dhe burgoseshin për qëndrimet e tyre politike. Një personalitet i tillë dhe një dëshmi e gjallë e jetës së shqiptarëve në Jugosllavi ishte Adem Demaçi, i cili kaloi rininë dhe pjesën më të madhe të jetës së tij në kazamatet jugosllave, me 28 vite të kaluara pas grilave. Kjo është një dëshmi e rëndësishme e jetës së shqiptarëve në Jugosllavi. Përveç Demaçit, ka shumë veprimtarë të tjerë që kontribuuan në edukimin e rinisë shqiptare për t’u kundërvënë kësaj situate. Duhet përmendur gjithashtu veprimtaritë e shumë organizatave politike që propagandonin për ndryshim dhe që ndihmonin në mobilizimin e masave. Situata shoqërore, politike dhe ekonomike që po përjetonte Jugosllavia, e veçanërisht pas vdekjes së Titos në vitin 1980, krijoi kushte që çuan në protesta. Sipas një artikulli të revistës gjermane “Der Spiegel”, në fund të vitit 1980 kishte pasur një pakënaqësi mes studentëve, por pas bisedave me strukturat politike të Kosovës, kjo pakënaqësi u zbut dhe nuk u bë e njohur për opinionin.
Ka pasur arrestime, por ato nuk u reflektuan aq shumë në opinion, pasi arrestimet ishin të përditshme. Një element tjetër është se organizatat politike me pikëpamje marksiste-leniniste, gjatë shpërthimit të rebelimit të 11 marsit në Mensën e Studentëve, deklaruan se nuk kishin pasur njohuri për këtë ngjarje dhe se u gjetën në një situatë të papritur. Pas demonstratave të 26 marsit, ata pranuan se kishin qenë në krye të organizimit të këtyre protestave. Prandaj, rebelimi i studentëve më 11 mars ishte një shkëndijë për një demonstrim masiv dhe të fuqishëm. Analistët e “Der Spiegel” theksuan se “rebelimi dhe demonstrimi nuk ishte një mbështetje për studentët, që siç thuhet, si supa që gatuan…”
Në këtë shkrim do të trajtojmë katër artikuj të revistës “Der Spiegel” të vitit 1981, që janë botuar gjatë atij viti, pasi kjo revistë ka shumë shkrime, analiza, hulumtime dhe komente edhe më herët, por edhe deri në ditët e sotme, që mund të jenë të rëndësishme për opinionin tonë.
Shkrimi i parë, në formë njoftimi dhe komenti për atë që kishte ndodhur në Kosovë gjatë muajve mars dhe prill, u botua më 12 prill (në rubrikën e jashtme), me një titull mjaft domethënës duke përmendur shtetin jugosllav dhe titullin “Ohne roten Stern” (Pa Yllin e Kuq). Ky titull tërhoqi vëmendjen e lexuesve, pasi Jugosllavia ishte e njohur si shtet socialist dhe komunist, dhe titulli ngjallte pyetje se çfarë po ndodhte që nuk shihej Ylli, simbol i komunizmit. Në nëntitull, autori paralajmëronte për rrezikun që mund të vinte nga pakënaqësitë e kombeve të tjera që jetonin në këtë shtet federal. Siç e theksova më lart, shkrimi i parë në “Der Spiegel” ishte botuar në edicionin e datës 12 prill të vitit 1981 (Nr. 16), për atë që kishte ndodhur në Kosovë.
JUGOSLLAVIA PA YLLIN E KUQ
“Rreziku për shtetin multietnik: Minoriteti shqiptar në jug të vendit po rebelohen. Rajoni i tyre (shqiptarët) është bllokuar nga ushtria.” Pra, që në fillim të analizës, autori paralajmëron për pasojat e këtyre demonstratave për Jugosllavinë.
“Ajo që po ndodhte në jugun e thellë të vendit, jugosllavët mund ta mësonin vetëm nga aludime (sugjerime apo fjalë që dëgjoheshin në korridore të ndryshme apo grupe të ndryshme komentatorësh. – N.K.). Fillimisht, shtypi i partisë (gazeta e vetme e përditshme në gjuhën shqipe “Rilindja”, po ashtu edhe gazeta “Jedinstvo” e përditshme në gjuhën serbe) heshti, më pas raportoi për “fenomene” të dëmshme dhe “armiqësore”, dhe përfundimisht, territori u bllokua jo vetëm për gazetarët e huaj, por edhe për ata vendas.”
Përkundër këtij terri informativ, doli një zë dezinformues, ku kishte vetëm një të vërtetë: “…përmes një deklarate, zëdhënësi i partisë Stane Dolanc, ish-sekretar i Titos, bëri të ditur se gjatë trazirave në rajonin e Kosovës kishin humbur jetën njëmbëdhjetë njerëz. Në Kosovë, në ‘Amselfeld-in’, (Fushën – N.K.) historike të Kosovës, jeton minoriteti shqiptar në Jugosllavi.” Ndërsa, ky analist jep edhe një arsye, si të themi, se: “Më 9 mars, policia sekrete e Jugosllavisë arrestoi profesorin shqiptar të historisë, Ahmet Malokun, dhe dy ditë më pas, studentët e Universitetit të Provincës në Prishtinë shpërthyen në protesta.” Dhe duke përshkruar rrjedhën dhe kërkesat e kësaj proteste: “Ata kërkonin ushqim më të mirë në mensën e tyre, pas një tentative ndërmjetësimi nga rektori i Universitetit,” studentët “kërkuan gjithashtu më shumë liri politike.” Rektori, duke dëgjuar këto kërkesa politike, analisti konstaton se: “Rektori i dha dritën jeshile për një sulm të forcave të policisë ndaj konvikteve studentore, duke çuar në arrestimin e 50 studentëve.” (Se ku i ka marrë këto të dhëna analisti nuk jep burimin.)
Si pasojë e këtyre masave, studentët u revoltuan edhe më tepër, përkundër aktiviteteve politike që zhvillonin strukturat politike (komuniste të Kosovës dhe të rinisë) me studentët. Thuajse e gjithë java u karakterizua me këto takime, por nuk patën sukses, sepse studentët kërkonin lirimin e të arrestuarve, për çka komunistët kosovarë nuk ishin të gatshëm. Prandaj, “Më 26 mars, dhjetëra mijëra studentë, nxënës, punëtorë grevistë dhe qytetarë dolën në rrugë duke kërkuar pavarësinë e popullit shqiptar.” Në atë kohë, manifestohej “udhëtimi i stafetes së Titos”, që simbolizonte vazhdimësinë e rrugës së Titos, sipas komunisteve jugosllavë. Ky simbol komunist ishte parashikuar që të vinte në Prishtinë më 26 mars të vitit 1981. Sigurimi i shtetit kishte ndërmarrë të gjitha masat për sigurimin e pritjes dhe përcjelljes së saj, e në anën tjetër arsyetonin edhe arrestimet që kishin ndodhur dhe ndodhnin gjatë kësaj periudhe, por më duket se edhe studentët e kishin shprehur kundërshtimin e tyre kundër këtyre arrestimeve si dhe këtij manifestimi. Pjesëmarrja ishte masive, sepse studentëve iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë të strukturave të ndryshme shoqërore, e sidomos pasi kishin shikuar dhunën e shfrenuar të organeve të sigurimit si dhe aksionet e policisë kundër studentëve. Analiza nuk përshkruan rrjedhën e ngjarjeve, por analizon gjendjen.
“Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, një rajon i tërë u izolua nga bota e jashtme, dhe forca ushtarake u dërgua me helikopterë dhe kamionë nga pjesë të tjera të vendit (kuptohet nga republikat e tjera të Jugosllavisë – N.K.), e që vetëm se shtoi zemërimin e popullsisë shqiptare.” Pas aplikimit të Gjendjes së Jashtëzakonshme në Kosovë, në opinionin jugosllav u kuptua se diçka serioze po ndodhte.
Është interesante se më 30 mars 1981, në Zagreb ishte organizuar një protestë nga studentët shqiptarë që studionin në universitetet e Kroacisë në shenjë solidariteti me studentët e Prishtinës, por kësaj proteste iu kishin bashkuar edhe shumë kroatë. “Rebelimi në Prishtinë u shtri në të gjithë provincën, madje përtej kufijve të saj në Zagreb, studentët shqiptarë (që studionin në universitetet e Kroacisë – N.K.) me përkrahjen e shokëve të tyre kroatë, ngritën flamujt pa yllin e kuq të komunizmit.” Qeveria shpejt kërkoi të “lokalizonte” këtë pakënaqësi, për të mos infektuar edhe popujt e tjerë të pakënaqur të Jugosllavisë. Valvitja e flamujve shqiptarë dhe kroatë pa yll, si dhe kërkesa për mos përdorimin e dhunës kundër demonstruesve në Prishtinë, kundër ndjekjes së shqiptarëve sepse ata kishin të drejtë në kërkesat e tyre, si dhe kërkesa për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë, analizës i jep një kuptim tjetër. Se, regjimi jugosllav përndiqte qytetarët e saj për shprehjen e mendimit të lirë. Prandaj kërkesat e shqiptarëve duhej të ndaloheshin dhe shteti kishte ndërmarrë masa.
“Pamja e rrugëve në Kosovë javën e kaluar shihej kështu: Helikopterë duke fluturuar mbi dhe rreth kryeqytetit të Kosovës – në Prishtinë, nëpër rrugë kamionë dhe autobusa ushtarakë të djegur dhe të rrëzuar, copa xhamash dhe gazhoja të plumbave.” Në këtë analizë kemi edhe deklarimin e një “gastarbeiter” (emigranti shqiptar që punonte në Gjermani), punëtori shqiptar që kishte deklaruar: “Një punëtor shqiptar, që po kthehej në Gjermani nga një vizitë në atdhe, betohej përpara Kuranit se ‘kishin humbur jetën 235 persona dhe ishin plagosur 2553 të tjerë.’ Ai pohonte se kishte parë me sytë e tij se si milicët serbë që ishin dërguar në Kosovë hapën zjarr mbi fëmijë në një urë pranë tregut të vjetër të Mitrovicës, gjë që e kishte shtyrë një milic shqiptar të hapte zjarr ndaj kolegëve të tij serbë. Po ashtu, thuhet se 25 oficerë shqiptarë të policisë kishin refuzuar të hapnin zjarr ndaj bashkëkombësve të tyre.” (Pra kjo është një deklaratë e një punëtori shqiptar që punonte dhe jetonte në Gjermani, por se sa është e saktë kjo, mbetet për t’u hulumtuar. Sipas të gjitha burimeve dhe bisedave me organizatorë dhe pjesëmarrës të këtyre demonstratave, numri nuk është më i madh se 11 të vrarë, edhe pse ka pasur deklarime të ndryshme duke u munduar që të zvogëlohej nga politikanët shqiptarë diku filluar nga 7, 8 dhe 9, por deri më sot nuk kemi asnjë të dhënë tjetër, sepse këtë e dinin edhe familjarët e të rënëve – vrarëve. – N.K.)
Më poshtë, analiza jep edhe një historik se si kishte mbetur Kosova dhe shqiptarët nën Serbi: “Me milicët serbë dhe Ushtrinë Popullore të Jugosllavisë, Beogradi ndërhyri në Fushë të Kosovës. Urrejtja mes serbëve dhe shqiptarëve ka një histori të gjatë: Në vitin 1913, kur Perandoria Osmane ra, malazezët, grekët dhe serbët ndanë territorin e iliro-shqiptarëve, të cilët nuk (ngjashmëri) dhe as janë të lidhur me asnjë komb tjetër të Evropës. Një pjesë e vogël e shqiptarëve arriti të jetojë në një shtet të vetin – për një kohë të shkurtër nën princin gjerman të Wied. Pjesa më e madhe (territoreve të shqiptarëve – N.K.) kaloi nën Serbi, dhe pse atje as nuk mund të flisnin gjuhën e tyre amtare.” Ky konstatim i autorit të analizës është një konstatim i gabuar kur thotë se shqiptarët erdhën në Serbi, unë mendoj se ka qenë i ndikuar nga propaganda serbe. Tito – një udhëheqës i luftës partizane në Jugosllavi rekrutoi shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilët vetë e quanin “Skipetar” (Shqiptarët e Malit – shpjegim i autorit të analizës). Por edhe në Jugosllavinë komuniste, ata nuk morën një republikë të vetën.” Duke vazhduar me përshkrimin e qëndrimeve jo të drejta të Jugosllavisë së Titos ndaj shqiptarëve.
Në vitin 1966, Beogradi zbuloi se cilat ishin krimet që ishin bërë ndaj shqiptarëve: Policia sekrete jugosllave, nën drejtimin e Rankoviç-it, një serb ekstremist, kishte vrarë mijëra shqiptarë. Shtypi i partisë në atë kohë shkruante: “As sulltanët turq, as mbretërit serbë dhe malazezë nuk kishin bërë asgjë më të tmerrshme se sa ky regjim.” Megjithatë, gjendja nuk u përmirësua shumë: Edhe pse Tito u premtoi shqiptarëve se do të zhvilloheshin (në sferën ekonomike – N.K.) më shpejt se popujt e tjerë të Jugosllavisë, por përkundrazi territori i Kosovës ra në një varfëri të thellë. Nga viti 1967 deri në vitin 1976, produkti social për frymë i shqiptarëve në Jugosllavi ra me 24 për qind – krahasuar me të ardhurat mesatare të trevave të tjera jugosllave.”
“Shqiponjat e malit megjithatë u rritën në mënyrë kërcënuese (për mentalitetin e të menduarit jugosllav – N.K.) – nga një milion (1961) në 1.6 milion banorë sot. Ata së shpejti do të jenë populli i tretë më i madh në Republikën Federative të Jugosllavisë – por ata ende nuk (kanë statutin e Republikës – N.K.) janë shteti i kësaj federate, por thjesht janë një ‘rajon autonom’ i shtetit federal të Serbisë.” Këtu autori sqaron pozitat e Kosovës në kuadrin e njësisë federale të Serbisë. Beogradi frikësohet se një republikë shqiptare pranë atyre të gjashtë republikave të tjera të Jugosllavisë do të kërkonte menjëherë shkëputjen dhe bashkimin me Shqipërinë.
Është një pjesë e analizës dhe komenteve mbi ngjarjet që ndodhën gjatë demonstratave të studentëve dhe protestave të tjera në Kosovë në vitin 1981, duke theksuar situatën politike, shoqërore dhe mediatike që kishte shpërthyer pas këtyre ngjarjeve.
Në fillim, analisti përshkruan situatën e tensionuar dhe thekson rrezikun që mund të shfaqet nacionalizmi i tjerë në Jugosllavi si përgjigje ndaj nacionalizmit shqiptar, duke përmendur si paralel të ngjarjeve një tendencë që kishte ndodhur më herët në Jugosllavi, kur disa grupe, si sllovenët, kishin shprehur dëshira për autonomi ose ndarjen nga federata. Ky është një argument i rëndësishëm që i jep autoritetit të Beogradit arsyetim për masat që mori për të shtypur protestat shqiptare dhe për të mbrojtur “unitetin” e shtetit jugosllav.
Në këtë analizë, ndodhen gjithashtu disa deklarata që akuzojnë vendet e huaja për përfshirje në ngjarjet që ndodhën në Kosovë. I referohet një “qendre sekrete” që ndodhej në Gjermani, ku emigrantë shqiptarë, si Emil Kastrioti, organizonin dhe mbështetnin protestat në Kosovë. Kjo është një akuzë që është përdorur si një justifikim për masat represive ndaj shqiptarëve dhe emigrantëve që jetonin jashtë Jugosllavisë.
Ndërkohë, analisti thekson se situata në Kosovë ishte e pakontrolluar dhe se autoritetet jugosllave filluan një ndjekje të gjerë kundër shqiptarëve, duke përdorur metoda të dhunshme, duke përfshirë arrestime dhe shtrëngime ndaj aktivistëve të rinj. Shtypi jugosllav përhapte një narrativë të caktuar, duke akuzuar Shqipërinë, NATO-n dhe agjenturat e huaja për përfshirje në ngjarjet që ndodhën. Kjo propagandë shërbente për të krijuar një imazh të rrezikut të madh që kërcënonte shtetin jugosllav, duke e prezantuar rebelimin shqiptar si një kërcënim të drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia.

Foto: “Asnjë popull tjetër në Evropë nuk është kaq i afërt.”
Në fund, analisti përshkruan masat e vendosura për të pastruar strukturat udhëheqëse shqiptare dhe për të rehabilituar disa figura që ishin të përshtatshme për regjimin, duke synuar të ruanin stabilitetin politik në Serbi dhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë. Ky fragment pasqyron kompleksitetin e situatës politike dhe shoqërore në Jugosllavi gjatë periudhës së demonstratave, duke nxjerrë në pah tensionet midis grupeve etnike, shtypjen e pakënaqësisë dhe manovrat politike të udhëheqësve jugosllavë për të ruajtur kontrollin mbi territoret dhe popujt që kishin qenë pjesë e federatës. (Vijon)