
Dënimet e feniksëve të lirisë sipas dërdëllitjeve!
Hasan Mujaj
Boban Bogdanoviq tha: “Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë! Unë kisha dashur që të shpërbëhet Gjykata Speciale në mënyrë që të ndalohet kjo marrëzi!”
Titull aksiomë. Më se i vërtetë. Kur mungojnë faktet, duhen dërdëllitjet. Gjepurat.Të pavërtetat. Duhen shkrimet distopike e sa më shumë fiktive të prokurorëve serbë për Gjykatën në Hagë. Nuk ka rëndësi që janë të këtilla, d. m. th. të sajuara nergut për dënimet e krerëve të UÇK-së! Gjykata po i pranon si të dhëna me vlerë. Pa prova. Sepse, prokurorët e atjeshëm, në bashkërendim me Gjykatën, “i përmirësojnë, i përshtatin, i shtojnë. i zgjerojnë, i veshin me të vërteta!” Këto janë “dëshmitë” e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, mbi bazën e të cilave po dënohen astritët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.
Mendimi i lartcituar nga B. Bogdanoviq përputhet me konstatimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili, në seancën e parlamenteve të të dy shteteve që u mbajt në Prishtinë më 20. 12. 2024, ndër të tjera, tha: “Jam i çuditur që Kuvendi ( i Kosovës ) nuk ndërmori nismë për t’I verifikuar standardet e akuzave të Speciales ndaj ish- udhëheqësve të UÇK-së.” Me shumë të drejtë. Vërtet habi e madhe!
Gjykata e Kosovës në Hagë pranon “prova” shterpë nga shteti i krimeve dhe i masakrave mbi popullatën civile shqiptare: fëmijë, femra e pleq! Mbrojtësen e kësaj popullate, UÇK-në, Gjykata e atjeshme e emërton me termat e Beogradit: “organizatë terroriste e kriminale.”
Ishte shumë korrekt edhe reagimi i avokatit të popullit, z. Naim Qelaj që e paraqiti në bisedën me kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, me zonjën Ekaterina Trendafilova: “Gjykata e Kosovës në Hagë u beson “ provave “ të Serbisë, por nuk u beson institucioneve të Kosovës!”
Pas dënimit të parë të komandantit të UÇK-së, të Salih Mustafës me njëzet e gjashtë vjet burgim, më 17 korrik 2024, Gjykata Speciale, për luftëtarët çlirimtarë të Kosovës që luftuan për ta mbrojtur popullin shqiptar nga gjenocidi i politikës së Slobodan Milosheviqit, shpalli vendimin arbitrar, të padëshmuar me fakte sipas të cilit komandanti tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala dënohet me tetëmbëdhjetë vjet burg!
Po qe se i bëhet një vrojtim semantik, logjik, juridik, terminologjik etj. këtij vendimi, vihet re shumë qartë se teksti i përmbajtjes së aktgjykimit ngre në sipërfaqen publike stilin trillues e karagjoz nga mungesa e të dhënave për veprimtarinë kriminale. I tërë ky aktgjykim, pasi nuk ka fakte për veprat penale, mbështetet në deklaratat e paguara, të porositura, të parapërgatitura për ndonjë favor nga shërbimi sekret i politikës antishqiptare të Beogradit zyrtar.
Në aktgjykimin e Gjykatës Speciale, ndër të tjera, thuhet se “trupi gjykues konstatoi se Pjetër Shala mban përgjegjësi penale për veprat penale përmes kontributit personal të tij si pjesëmarrës në një ndërmarrje kriminale të përbashkët së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së.” (Telegrafi, 17. 7. 2024) Sikundër shihet nga ky citim i shkurtër i marrë nga teksti i aktgjykimit, ky është edhe një dënim i paverifikuar me të dhënat faktike.
Pra, vetëm nga ky paragraf i shkurtër i tekstit të aktgjykimit del plotësisht e kuptueshme se arsyetimi i paargumentuar për veprat penale i Gjykatës për dënimin e komandantëve të UÇK-së: Salih Mustafa dhe Pjetër Shala është tërësisht i rrëzueshëm, i paqëndrueshëm ngase nuk ka themel as juridik, as pragmatik. Do të thotë është dënim pavarësisht dëshmive persuasive që e thonë të kundërtën.
Veprat penale duhet t’i kenë faktet kriminale, bazën dhe fushën e veprimtarisë që në rastet në vëzhgim, nuk ekzistojnë që komandantët e dënuar ishin “pjesëmarrës të një ndërmarrje kriminale të përbashkët së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së.” Një çështje, po qe se për dikë është e dyshimtë, për t’u ndriçuar, për t‘u parë e vërteta, do kapur nga rrënja dhe jo nga pipthi siç po vepron Gjykata në Hagë! Tani, me shumë të drejtë, mund të shtrohet pyetja: cila është “ndërmarrja kriminale”? Implikatura më se e qartë: politika shoviniste e S. Milosheviqit dhe e vijuesit të politikës së tij – A. Vuçiqit. Vetëm kjo politikë e kishte shpallur UÇK-në si të këtillë!
Prokurorët serbë dërguan mijëra faqe shkrimesh në Hagë!
S’ ka dilemë se edhe nga terminologjia leksikore e tekstit të aktgjykimit të Gjykatës mund të shihen mbështetja dhe bashkërendimi i prokurorëve të kësaj Gjykate me prokurorët nga Beogradi, të cilët publikisht kanë deklaruar se në Gjykatën e Hagës kanë dërguar me mijëra faqe tekstesh sipas të cilave UÇK-ja akuzohet kinse për veprat kriminale. Ky është burimi kryesor i “fakteve” në të cilat bazohen aktgjykimet e Gjykatës në Hagë për t’i dënuar eprorët e UÇK-së!
Prandaj, përmbajtjet e aktgjykimeve të sipërpërmendura janë tërësisht imagjinare, ireale dhe kundër luftës mbrojtëse e të drejtë të UÇK-së. Këto dënime, sipas të dhënave të prokurorëve serbë dhe të dëshmitarëve të paguar, paraqesin shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut duke përfshirë këtu edhe krerët e UÇK-së, të cilët, në muajin nëntor të këtij viti, bëhen pesë vjet që po mbahen në paraburgim nga fakti i mungesës së dëshmive për t’i shpallur fajtorë që është synim i politikës së Beogradit.
Kjo stërzgjatje e paraburgimit bëhet me qëllim që Gjykata të furnizohet me të dhëna të tjera nga bashkëpunëtorët juristë të Beogradit sipas porosisë së Vuçiqit. Se deklaratat e dëshmitarëve serbë në Hagë janë ndryshuar dhe rishkruar nga prokurorët serbë sipas politikës së Qeverisë serbe, dëshmohet edhe nga një dëshmitare serbe, e cila, pasi në gjykatë u lexua deklarata e saj për UÇK-në, ajo reagoi dhe shtoi se “këto nuk janë fjalët e mia për UÇK- në.” Dëshmitarja kishte dhënë vlerësim pozitiv për UÇK-në në deklaratën e saj, por prokurorët serbë e kishin ndryshuar atë nga ndërhyrja e politikës për ta akuzuar UÇK-në!
Nga ana tjetër është dëshmi e pakundërshtueshme, të cilën e pa demokracia botërore se politika serbe bëri krime të mëdha ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë; UÇK-ja nuk bëri krime; ajo u vu në mbrojtjen e civilëve të paarmatosur nga sulmet ushtarako-policore serbe; ajo ishte krijesë vullnetarësh në territorin e vet për ta sendërtuar idealin e popullit. Nga kjo pikëpamje del e kuptueshme se UÇK-ja nuk ishte “organizatë kriminale”, “ndërmarrje kriminale” siç quhet në aktgjykimet e Gjykatës së Hagës. Jo. Termat e apostrofuar janë për çdo kritikë. Ata janë të trilluar dhe të kopjuar nga politika e Vuçiqit dhe nga Qeveria e tij. UÇK-ja ishte dhe do të mbetet përherë “shpëtimtarja e kombit shqiptar” siç e quajti shkrimtari elitar- Ismail Kadare.
Është befasi e madhe, tejet e madhe madje karagjoze heshtja e institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës ndaj këtyre emërtimeve të marra nga politika e Beogradit.
Sepse ajo nuk bëri masakra mbi popullatën civile serbe siç bënë ushtria dhe policia serbe mbi popullatën e paarmatosur shqiptare; ajo nuk vrau fëmijë, femra e të moshuar siç vepruan ushtria dhe policia serbe; ajo nuk dhunoi femra dhe nuk dogji vendbanimet serbe sikundër dogjën shtëpi e banorë shqiptarë ushtria e policia serbe e shumë krime të tjera.
UÇK-ja, aleate e NATO-s në luftë e në paqe
Faktet flasin se UÇK-ja nuk mund të quhet “organizatë kriminale” siç quhet në tekstin e aktgjykimit të Gjykatës në Hagë, as “terroriste” siç quhet nga politika serbe, porse ky emërtim është marrë nga shkolla politike antishqiptare e Beogradit, drejtor i së cilës është despoti e arkitekti i gjenocidit në Srebrenicë dhe në Kosovë – A. Vuçiqi në bashkëveprim me Sheshelin, Milosheviqin, Daçiqin e të tjerë të këtillë. UÇK-ja është verifikuar edhe nga forca më e madhe ushtarake-politike e botës, nga NATO se ajo zhvilloi luftë të drejtë dhe mbrojtëse, prandaj vuri bashkërendim me UÇK-në në luftë dhe në paqe.
Holistikisht del e qartë se Gjykata për Kosovën në Hagë, për t‘u përcaktuar për masat ndëshkuese ndaj komandantëve të UÇK-së, u mbështetka në emërtimet e ndërtuara nergut nga politika e Beogradit për të improvizuar terma që e kualifikojnë UÇK-në si “organizatë kriminale”!
UÇK-ja është ajo forcë ushtarake, e cila ndonëse me armatim modest, por me moral të lartë, në koordinim me aleatët, krijoi historinë e re të Kosovës. Gjykata për Kosovën në Hagë nuk duhet të mbështetet në raportet me shkrim të prokurorëve të Beogradit, sepse ato janë të diktuara nga politika e Vuçiqit, i cili, që nga fillimi i luftës së armatosur në Kosovë, e cila ( luftë ) u është imponuar shqiptarëve, UÇK-në e quan “terroriste”.
Shqiptarët kërkuan botërisht që të drejtat e tyre kombëtare, juridike, ekonomike, demokratike etj. të trupëzohen me dialog dhe paqe, por Beogradi nuk pranoi, i bindur se Kosovën do ta mbajë edhe më tej me masat e dhunës ushtarake-policore. Dihet se është politika diskriminuese e represive e S. Milosheviqit ndaj shqiptarëve ajo që e detyroi themelimin e UÇK-së dhe të luftës ngase shqiptarët ishin të privuar nga të gjitha të drejtat elementare njerëzore e kombëtare.
Në këso rrethanash politike të terrorit serb, të cilat paralizuan zhvillimin e jetës normale të shqiptarëve në Kosovë, themeluesit e UÇK-së ndërprenë studimet dhe kapën armët jo për ta sulmuar territorin e Serbisë, por për t’u vënë në mbrojtjen e popullatës nga krimet ushtarake e policore serbe. Edhe këto të dhëna duhet të merren parasysh në Gjykatën e Hagës se kush e deshi dhe zhvilloi luftë pushtuese dhe kush bëri luftë për t’u mbrojtur nga agresori.
Pa UÇK-në dhe pa NATO-n në krye me ShBA-në Kosova edhe sot do të ishte nën okupimin serb. T’i dënosh themeluesit dhe komandantët e UÇK-së, do të thotë ta dënosh lirinë dhe shtetin e Kosovës për të cilin kanë rënë rreth katërmbëdhjetë mijë viktima në themel të të cilit qëndrojnë dëshmorët dhe therorët e kombit.
Nuk është tepër të përsëritet vlerësmi i shkrimtarit me zulmë lapidare botërore, Ismail Kadare për UÇK-në: “Shpëtimtarja e kombit shqiptar.”
Kjo shprehje e shkrimtarit I. Kadare do të rrojë përherë.
Krerët e UÇK-së janë ata që shpeshherë kaluan në këmbë kufirin e dhunshëm nëpër male e kreshta Shqipëri – Shqipëri ( Kosovë ), të vënë nga diktati politik i Beogradit, për të organizuar zhvillimin e luftës mbrojtëse nga forcat e armatosura serbe; UÇK-ja është ajo që, për veprimtarinë e lavdishme heroike, atdhetare dhe kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, do të qëndrojë me mburrje e krenari sot e gjithë ditën, d.m.th. përherë, në faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar.
Nga ndëshkimet e deritashme të Gjykatës në Hagë për UÇK-në është dëshmuar se tentimi për të vënë stigma mbi krerët e UÇK-së dhe të luftëtarëve të saj, është veprim distopik, ireal. Kjo padrejtësi shumë e madhe nga një institucion kinse i drejtësisë, është parë edhe nga disa analistë, juristë, diplomatë etj. jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj madje edhe serbë dhe po kritikohet me befasi fakti se si po dënohen viktimat dhe jo autorët e masakrave ndaj shqiptarëve!
Kështu p.sh. sekretari gjeneral i Institutit për Strategjinë Euro- Atlantike, Boban Bogdanoviq, në emisionin “Politiko”, ndër të tjera, tha: “Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë “! Ai shtoi:” Unë kisha dashur që të shpërbëhet Gjykata Speciale në mënyrë që të ndalohet kjo marrëzi.” Sekretari B. Bogdanoviq spikati dy veprime të dënueshme që i janë bërë Kosovës: 1. gjenocidi nga Serbia dhe 2. marrëzitë nga Gjykata në Hagë!